Arta Dade: Qytetarët janë më Presidentin për të mbrojtur Kushtetutën ,PS-ja nuk i shërben më vendit

512
Sigal

Arta Dade: Partia Socialiste është parti e atrofizuar. Nuk i shërben më vendit

Qytetarët janë më Presidentin për të mbrojtur Kushtetutën

Zonja Dade, sa i takon përplasjes institucionale mes Presidencës dhe Kryeministrit. Kjo në vetvete është edhe një përplasje mes ish-rivalëve të dikurshëm të PS, pra e kam fjalën për zotin Meta dhe Zotin Rama. Kush ka të drejtë në opinionin tuaj?

Unë di të them që mazhoranca duhet të jetë më së pari e interesuar që të ketë stabiletet në vend sepse çdo qeverisjeje i intereson të garantojë stabilitet. E dyta çdo kryeministër duhet të manifestojë kapacitete si i krijon aleancat dhe si i sjell të gjitha elementët e shoqërisë në mbështetje dhe me mbështetje nuk kam parasysh vetëm duartrokitje por edhe vërejtjet që i bëhen qeverisë. Për fat të keq Rama është një person shumë konfliktual, është një person që vazhdimisht krijon përplasje. Promovimin e grave e ka thjesht një retorike dhe jo të ndjerë. Fakti që iu kthehet grave duke i fyer sepse këtë ka bërë që në 2013-ën, edhe me ish kolege të opozitës së atëhershme. Besoj se sa i takon shkeljeve Kushtetuese është vërtetuar katërcipërisht nga ekspertë jo vetëm të nivelit kombëtar por edhe ndërkombëtarë që kjo mazhorancë ka një numër të frikshëm shkeljesh kushtetuese. Sigurisht Presidenti është në të drejtën e tij kur ngre këto problematika. Mënyra se si Presidenti ngre këto mjete demokratike, është sigurisht në vlerësimin e Presidentit por përsëri më lejoni të them që fakti që një numër i jashtëzakonshëm qytetarësh dolën dhe iu përgjigjën thirrjes së Presidentit tregon që qytetarët janë dakord me luftën për mbrojtjen e Kushtetutës, po aq sa janë kundër mënyrës autokratike për të kapur të gjitha pushtetet.

 Kongresi i PS në fakt ngjante edhe me çeljen e një fushate elektorale nga ana e kryeministrit Rama. Madje ai u bëri të qartë të vetëve se donte 800 mijë vota në mandatin e tretë. A mendoni se ai do ia dalë të marrë një mandat të tretë?

Mendoj se mënyra se si kryeministri i kërkon kongresit dhe thotë ‘ UNË DUA’ është tejet e papranushme dhe e gabuar sepse një kryeministër mbasi lancon një projekt qeverisës, dhe s’është ky kongresi që duhet ta bëjë, por mënyra arrogante se si thotë ‘DUA 800 mijë vota’ është e papranushme në shoqëritë demokratike.

Por a mendoni se do i marrë?

Ti mund të caktosh që mund të marrësh dhe një mandat të katërt e të pestë. Nëse ke ca praktika që ne i kemi refuzuar deri në momentin që u vunë re edhe në votimet e fundit në strukturat e PS. Unë kam një vit që i kërkoj kryeministrit Rama të japë dorëheqjen sepse në mandatin e dytë ai nuk e ka qeverisur vendin. Ai ka punuar më shumë për të kapur të gjitha institucionet dhe për të privatizuar edhe reformën në drejtësi. Kam pasur iluzionin se vetë PS-ja do e zgjidhte vetë këtë gjë. Është një kryetar që s’është zgjedhur në parti prej 12 vjetësh, është një individ që ka në pushtet që nga viti ’98, pra i thonë gati 22 vjet. Dhe të gjitha këto janë kushte që një njeri me një logjikë jo shumë të fuqishme, e bëjnë të mendoje se ai nuk ka se si i merr 800 mijë vota dhe në fakt Rama nuk duhet të marrë një mandat të tretë.

 

Zonja Dade… Rama është ky që është, gjuha e tij është kjo që është, dorëheqjen duket se nuk ka ndërmend ta japë, çfarë ndodh me PS-në? Si e parashikoni ju të ardhmen e PS-së në këto kushte?

Një forcë politike që udhëhiqet nga një autokrat, që ka mbytur demokracinë e brendshme dhe frymën e demokracisë brenda strukturave, patjetër besoj se nuk ka të ardhme. Dhe kjo është që ne po bëjmë përpjekjen e fundit për ta reformuar.

Kush nuk ka të ardhme? Rama apo PS?

Sigurisht, PS-ja në gjendjen që është sot derisa aty në kongres… Ju që e ndoqët dëgjuat ndonjë fjali kritike ose ndonjë fjali me dashamirësi, ndonjë sugjerim se si do përmirësohet qeverisja, dëgjuat ndonjë nga themeluesit të ngrinin ndonjë problem?

Pse nuk e bëjnë?

Kjo tregon se kjo parti është atrofizuar dhe nuk ka cfarë t’i japë më vendit. Duhet patjetër të fillojë një lëvizje e thellë radikale brenda partisë nëse do jetë një parti që do kandidojë me dinjitet dhe duhet të krijohet me ndryshimet kushtetuese, fryma demokratike edhe për krijimin e lëvizjeve të tjera, socialiste, social-demokrate, pse jo në fronte në të djathtë e të majtë. Kemi lëvizjen studentore që vjet u shua, është lëvizja tjetër që mblodhi 50 mijë firma për ndryshimin e sistemit. Si ka mundësi që këto të neglizhohen? këto duhet të merren fort në konsideratë dhe masa e të rinjve duhet të organizohet dhe nëse janë të zhgënjyer dhe të neveritur në ndonjë rast, indiferenca nuk është në të mirë të vendit.

Ju nuk keni asnjë kontakt më me kryeministrin Rama?

Jo, nuk kam dhe as preferoj që të kem.