Në kërkim të kornavirusit…

666
Sigal

Nga Gentian Çala – Mjek Psikiatër

Një pyetje mundon shumë të gjithë: A ka hyrë Koronavirusi në Shqipëri?!

Kujt i duhet kjo përgjigje?

Strukturave shëndetësore, popullit, politikës?

Nuk e di, mbase të gjithëve. Paniku u mboll dhe mediat vazhdojnë ti bëjnë jehonë. Tashmë koronavirusi është mes nesh, virtualisht dhe në mëndjet tona. Kaq mjafton! Tashmë ne, unë, ti, të gjithë, po kërkojmë të sigurohemi se nuk do të prekemi dhe se nuk do të na rrezikojë jetën. Statistikisht kjo është gjasa më e mundshme, pra të mos sëmuremi dhe të mos na rrezikohet jeta.

Madje statistikisht kemi më shumë mundësi të pësojmë aksident komunikacioni, se sa të vdesim nga një infeksion viral prej CoVid-19. Çuditërisht për të parën nuk bëjmë aspak kujdes, kurse për të dytën zbrasëm farmacitë dhe rrëmuam ngado për informacion. E panjohura provokon mjaft frikë dhe pasiguri, këtu mbase qëndron efekti “çudibërës” i preokupimit tonë të ekzagjeruar me një grip të pazakontë. Po nga u mboll paniku?!

Sigurisht nga dy faktorë: Së pari, nga informacionet e pakuruara në media, në disa raste dhe të dyshimta; së dyti, nga selektiviteti ynë në procesimin e informacionit, ku më shpejtë dhe më lehtë perceptojmë lajmet e këqia. Njerëzimi ka kohë që jeton në një atmosferë pasigurie globale, ku reagimet katastrofike modifikohen me lehtësi dhe prekin pa dallim si shoqëritë e zhvilluara dhe me të ardhura të larta, ashtu edhe shoqëritë më pak të zhvilluara dhe me të ardhura mesatare apo të ulta.

Koronavirusi dhe përhapja e tij po teston në një farë mënyre reagimin njerëzor, të sistemeve shëndetësore, të shoqërive, të vendimmarrësve. Por, kujdes duhet bërë që përtej rrezikut real, mos të mbivendoset një rrezik imagjinar, i pambështetur dhe joproporcional. Koronavirusi është thjesht një nga sfidat tona të mbijetesës, e zgjidhshme dhe ku reagimi duhet të jetë i arsyeshëm. “Koronavirusët” e frikës kemi kohë që i kemi në mesin tonë, në mendjet tona, ndaj mos kërkoni të gjeni atë çka e kemi pasur ngado.

Kujdesi dhe informimi janë të nevojshëm, po aq sa dhe masat e ndërmarra nga qeveritë apo sistemet shëndetësore. Qytetarët duhet të jenë të vëmendshëm. Kaq mjafton! Por, në emër të saj nuk duhet mbjellë panik i panevojshëm, i cili shkaton më shumë probleme se sa vetë epidemia.