Prof.Dr.Klara Kodra: Rruga e mundimshme e gruas, drejt çlirimit të saj

925
Sigal

8 Marsi  përkujton  një protestë  dhe duhet parë kryesisht  si burim meditimi për të sotmen dhe për të ardhmen

Rruga e mundimshme e gruas shqiptare drejt çlirimit të saj

Para shumë  vjetëve, në rininë  time,  pata  shkruar  një poemë për rrugën e emancipimit të gruas  shqiptare që e kisha  titulluar  “Rruga është e gjatë”. Një koleg më pyeti: “Pse jo e ndritur?” Duke  lënë  mënjanë  idealizimin e  realitetit karakteristik  për atë kohë diktature, ajo rrugë mund të përkufizohej  edhe si e “ndritur”, një  vazhdë  drite  në errësirë.

Pra, mund të thuhet  dhe “e gjatë, po e ndritur”, edhe “e ndritur, po e gjatë”. Nuk është një lojë fjalësh. Në shekuj ka pasur  gra që e kanë  ndezur  atë dritë me gjakun e tyre. Zhan d’Arka, udhëheqësja  trime e martire… e sa e sa të tjera që s’u  dihen emrat. Edhe spektrit të jetës  shqiptare ia kanë  dhënë  ngjyrën gjatë historisë udhëheqëse shteti si mbretëresha  ilire  Teuta, luftëtare si Shota, gra të penës si Dora d’Istria që  u rreshtua  krahas  simotrave evropiane me talentin e shumëllojshëm dhe erudicionin e vet  dhe u përpoq për lirinë e popujve.

Më vonë,  pasuan  njëra pas tjetrës shumë  figura  duke  nisur  nga poetesha lirike e thjeshtë gati e harruar sot,  arbëreshja Maria  Antonia  Braile  me tufëzën e vet të poezive, duke vazhduar me armatën  trime  dhe modeste të  veprimtareve dhe shkrimtareve të viteve 30, me luftëtaret  që u rreshtuan  krahas burrave gjatë Luftës Antifashiste (krahas burrave, vëllezërve, jo  kundër  tyre si  feministet e skajshme) të frymëzuara nga e njëjta atdhedashuri, me tërë vajzat  dhe gratë  që vërshuan pas lufte (përsëri pranë  burrave, duke  luftuar  vetëm me bartësit e së vjetrës)  në  të gjitha  fushat e punës. Ato  synonin të ndanin  me ta  lirinë për t’u  vetëafirmuar, për t’i dhënë  diçka  shoqërisë. Po –  medet! – ndanë  me ta  edhe skllavërinë e individit nga diktatura, edhe  vështirësitë ekonomike të  maskuara me etiketën  e progresit. Dhe  pati  edhe figura grash që u shquan  jo vetëm  për aftësitë e tyre në  një  fushë  të caktuar, po  me guximin me të cilin  iu kundërvunë  një diktature të egër si shkencëtarja martire Sabiha  Kasimati, shkrimtarja  dhe veprimtarja  Musine  Kokalari të cilat  ditën, jo vetëm  ta  lënë gjurmën e vet  në shkencë  apo letërsi, po edhe të  japin  një shembull  trimërie  a integriteti moral  deri në  flijimin e jetës  a të lirisë. Dhe kur  muri  ideologjik  më në fund  u shemb,  vajzat edhe gratë  shqiptare  filluan luftën e re për  demokraci, luftë  që vazhdon edhe  sot. Po të shohësh  prapa, në  këtë shekull  të ri,  mund të numërosh  sa e sa arritje. Po të hedhësh  sytë  nëpër  botë ndesh  gra  kryeministre, presidente, gra që  kanë  luajtur  rol  në  skenën politike si kancelarja  e çeliktë Merkel,  gra që  kanë  lënë gjurmë të pashlyera  në shkencë, art, letërsi, nobeliste …

NJERIU DHE ETJA PËR DIJE

Prof.Dr.Klara Kodra

PROF. DR. KLARA KODRA

Kur ishim  fëmijë  shkruanim me penë dhe me bojë. Më vonë erdhi stilografi.Akoma më vonë stilolapsi, më praktik dhe tepër  i efektshëm ndonëse nuk lejohej në shkollë.Tani janë kompjuteri dhe interneti  që fëmijët  e sotëm  i njohin  që të vegjël.7 Marsi përkujton  tek ne  luftën  për shkrimin  e gjuhës shqipe në përleshje me pushtuesin otoman, përkujton  një rrugë  të gjatë  të shënuar me gjakun e mësuesve  atdhetarë.Më vonë lufta  për dije  mori forma  të tjera  më paqësore.Shkolla shqiptare  ka rrënjë të thella në traditë. Lulëzimi i shkollave  shqiptare për më tepër se  gjysmë shekulli qe padyshim një arritje, pavarësisht nga deformimet ideologjike që solli me  vete diktatura. Demokracia  shqiptare për të qenë  vërtet e tillë, për të  marrë forcë  do të duhej  të kishte  shartuar  filiza të reja  dijeje në pjesën e  shëndetshme të rrënjëve. Po vitet  e fundit është vënë re një  largim  gradual i fëmijëve  dhe  të rinjve  nga shkolla që lidhet me  faktorë të ndryshëm si vështirësitë ekonomike, dukuria  negative e emigrimit, kriza e familjes dhe vlerave, ndikimi negativ i televizionit dhe internetit. Dita e mësuesit  s’duhet të jetë rast për meditime lirike, po  një nxitje  për  t’iu rikthyer  diturisë dhe shkollës  nga  ana e rinisë, një nxitje ndaj mësuesve për të thelluar  rolin e tyre  me  rëndësi  jetësore në edukimin jo vetëm intelektual  dhe dituror, po edhe  moral të brezave të rinj  shqiptarë.

Edhe gratë shqiptare sot po shpërthejnë në shumë fusha  dhe në shumë forma. Po ekziston  edhe  ana tjetër e medaljes që të çudit dhe të  tmerron. Ende në vendet  e pazhvilluara, madje edhe  më të qytetëruarat ka raste që gruaja  keqtrajtohet psikologjikisht dhe fizikisht, diskriminohet, madje  rrihet  dhe vritet,  shihet si pronë, si objekt seksi ….

Kjo dëshmon se progresi shkencor  dhe teknologjik nuk ka mundur  ta zhdukë  bishën te  njeriu, prirjet shekullore të “seksit të fortë” për t’iu  imponuar  “seksit të dobët” me dhunë.

Në ekuacionin e çuditshëm në saje të të cilit qenia  njerëzore  bëhet  e barabartë  me pafundësi (pafundësia e mundësive, e veprimeve, e rezultateve) ose me zero (ndrydhje e aftësive  dhe e  cilësisë), ndodh që  shtypja  (e shtetit ose e familjes)  ta shndërrojë në zero  potencialin e pafund  të mrekullueshëm të qenies, e cila  ashtu si jep biologjikisht  jetën  është e aftë  të japë  edhe vepra  në fusha  nga më të  shumëllojshmet. 8 Marsi tek ne  është parë  për një kohë të gjatë si  festë. Po kjo ditë  përkujton  një protestë  dhe duhet parë kryesisht  si burim meditimi për të sotmen dhe për të ardhmen, si burim ndërgjegjësimi të gruas,  jo vetëm për detyrat (në familje dhe në shoqëri),  po edhe  për të drejtat e saj. Mimoza, kjo  lule që në këtë ditë  burrat ia sjellin grave dhe fëmijët nënave, përveç bukurisë dhe brishtësisë, karakterizohet  nga guximi meqenëse  sfidon   ngricën  e dimrit. Ajo  mund të simbolizojë guximin  e gruas  që pa humbur  bukurinë, finesën dhe ëmbëlsinë e vet (ato  cilësi  që quhen  tradicionalisht  femërore)  sfidon  ngricën e  paragjykimeve  dhe lulëzon si rreze dielli.