Akademik Artan Fuga: Presidenti ka shprehur vetëm pikëpamje politike apo ka firmosur dekrete në favor të partive politike ?!

294

Pse, more, a nuk i lejohet njeriut të shpreh politikisht bindjet e veta politike, ndërkohë, që nuk ka asnjë veprim juridik nga ana e tij, ku ai të ketë shkelur Kushtetutën!

Sigal

Mund të mos jesh dakord me faktin që me anë të retorikës politike Presidenti Meta pati raste, që u bë palë politike. Mund të mos jesh dakord edhe me përmbajtjen e deklarimeve të tij politike për këtë çështje, ose për të gjitha çështjet. Por, duhet argumentuar se kur Presidenti me deklarime dhe komente apo intervista shpreh qëndrime politike, a e shkel ai me këtë Kushtetutën?

Pra, a mund të shkarkohet?

Tjetër është ta gjykosh dhe ta kritikosh një president, kryeministër, ministër, a këdo funksionar, dhe tjetër ta shkarkosh për shkelje ligjesh a kushtetute!

Ore, a kanë këta qoftë edhe kulturën juridike më minimale, apo ç’a dreqin kanë nën kockat e kokës qofshin deputetë, analistë, a ekspertë (pikaaaaaa!) kushtetues!

Qenka garant i unitetit të kombit, pra nuk duhet të mbajë anësi politike! Po mirë, mo, po kur Presidenti Trump hyn në fushatë, duke qenë president, a e shkelte Kushtetutën ai! Po, çfarë thoni mo, se na latë pa mend! Po kur presidenti Makron hyn në fushatë elektorale, a e cënon ai unitetin e Kombit!

E dyta, juridikisht flas, për analfabetët juridikë, Presidenti, (me të cilin për shumë deklarime nuk jam i një mendjeje), ka shprehur vetëm pikëpamje politike apo edhe ka firmosur dekrete në favor të partive politike, që ai parapëlqen ndofta? Pse, more, a nuk i lejohet njeriut të shprehet politikisht bindjet e veta politike, ndërkohë, që nuk ka asnjë veprim juridik nga ana e tij, ku ai të ketë shkelur Kushtetutën!

Ku e ndalon Kushtetuta Presidentin të ketë pikëpamjet e veta politike, ndërkohë që këto pikëpamje nuk materializohen në dekrete antiligjore, që do të cënonin vetë funksionin e tij!

Edhe unë do të doja një President as mish a peshk, por tjetër se çfarë dua unë, sepse nuk do të doja as edhe një kryeministër, që në fushatë elektorale do të shkonte te qendrat, ku veteranët shpoheshin në krah me vaksina, për të marrë urimet e tyre. Por, kjo nuk vlen as për të shkarkuar Presidentin, a për të shkarkuar kryeministrin. A, sa për retorikë politike! Pooooo, shaj sa të duash!