Shpendi Topollaj: Lërini talljet me këtë popull që u besoi sinqerisht

73
Sigal

 

Nuk jam i sigurt në ishte Mark Katoni (i Vjetri), apo stërnipi i tij Utiku, ai që këshillonte se “S`është keq ta mbyllësh gojën, keq është të flasësh”. Por duke ditur se ky i Vjetri renditet te shkrimtarët e parë romakë, kurse ky i dyti u angazhua më shumë për t`u përballur me kurajë, si me Gnei Pompeun, ashtu edhe Gaj Jul Çezarin, jam i prirur të besoj se qe konsulli Mark ai që i tha ato fjalë. Por kjo nuk ka fare rëndësi, pasi unë vetëm desha të pohoj se edhe sikur të jetoja në kohën e tij, do zgjidhja të flisja pa drojë dhe do pranoja të kundërshtoja këdo, sidomos kur fatet e Atdheut e kërkojnë këtë. Për dikë, kjo fjala “fatet e Atdheut”, mund të duket pak e madhe, por kam mendimin se vendi po kalon një situatë sa paradoksale aq edhe të rëndë që një Zot e di se ku do na shpjerë. Një situatë që jo vetëm po na turpëron, por edhe po na çorodit çdo ditë e më shumë, si forcat politike ashtu dhe popullin në përgjithësi. Kishim dhe kemi mjaft arsye të shpallim me gjithë sinqeritetin dhe forcën tonë se synimi ynë është miqësia dhe marrëdhëniet e ngushta me SHBA dhe BE. Por në këtë rrugëtim, ndofta gabuam disi edhe vetë. Ka një barsaletë që thotë se kur e pyetën dikë sesi mund të vallëzohet me elefantin, ai u përgjigj: duke bërë shumë kujdes! Por ne pikërisht këtë kujdes e harruam. Qysh në krye të herës, ashtu pak e nga pak i lejuam të huajt të ndihen zot në shtëpinë tonë. Dhe ngjau, as më shumë e as më pak, tamam si tek ajo përrralla e dhelprës me gjelin që pasi ky e strehoi, e nxorri nga shtëpia. Sot të gjithë e shohin këtë, por nuk ndihen, ose – ose, ashtu me gjysmë zëri artikulojnë rezervat e tyre. Politikanët, kuptohet, kanë hallin e karriges, se sundon psikologjia që “ata të vënë, ata të heqin!” Gazetarët, hiq ndonjë Andi Bushat, nuk duan t`i marrin me sy të keq ata të ambasadave. Dridhen e spërdridhen duke i ardhur problemit rrotull, por pa i rënë kokës.

Nxjerrin pastaj disa teori të padëgjuara si “Zoti në Qiell dhe Amerika në Tokë”, “Edhe gabim ta kenë ata, ne do bëjmë si na thonë”, “Do i rregullojnë këto punë agjentët e FBI – së”, ose “Ne jemi vend i vogël dhe s`kemi fuqi të kundërshtojmë” etj. Jo more! Sa bukur gjykoni. Tamam si shërbëtorë të paskrupullt. Po ne a nuk e marrim si shembull demokracie vetë Amerikën ku askush nuk i fsheh mendimet dhe kritikat e tij pa pasur frikë nga askush. Do sjell vetëm një shembull: Në fushatën elektorale për mandatin e katërt, presidenti Franklin Dolano Ruzvelt, ju drejtua zgjedhësve të tij, afërsisht me fjalët: “Nuk po lënë gjë pa thënë për mua republikanët. Më shajnë mua, gruan time dhe djemtë (që luftonin kundër Vermahtit në Evropë, – shënimi im). Tani mesa duket do shajnë edhe qenin tim”. Pra, pse kjo frikë mes nesh? Nuk jemi as te parametrat e Piter Zengerit, i cili në gazetën e tij “Neë York Weekly Journal” qysh në vitet 1730 ndeshej e fitonte gjyqeve me qeverinë e ShBA për lirinë e shprehjes. Pse kjo heshtje deri edhe nga intelektualët, kur qartazi kanceleritë perëndimore luajnë paturpësisht me ne duke na vënë detyra pas detyrash. E thënë shqip, ata nuk na duan, derisa sajojnë pretekste qesharake. Se nuk ka sesi shpjegohet tjetërsoj kur inatet e Bullgarisë me Maqedoninë e Veriut duhen nxjerrë te shqiptarët. Se në qoftëse flitet për anëtarësimin në bashkësinë evropiane, përse u dashkan zgjidhur disa çështje kufijsh e emrash etj. Ose, si mund të pajtohemi me ndërhyrjet brutale, në formë urdhrash nga ambasadorja Kim për të shkarkuar e ngarkuar zyrtarë të lartë e deri deputetë. Tomas Xhefersoni qysh 231 vjet më parë thosh se “Çdo njeri apo grup njerëzish në këtë botë, ka të drejtën e vetëqeverisjes”. Tek ata burra që e bënë Amerikën dhe te ndihma që na kanë dhënë e shohim, e respektojmë dhe e duam atë vend. Atje ende është në fuqi dhe zbatohet parimi i shpallur nga Monrou më 2 dhjetor të vitit 1823 për mosndërhyrje në asnjë nga shtetet e tjera. Askush nuk e ka mirë kur shkel me të dyja këmbët “Doktrinën Monro”. Si mund të kërcënosh me izolim gjysmën e Shqipërisë, po nuk u zbatua dëbimi i një personi, dhe si mund ta identifikosh atë gjysmë me një njeri të vetëm. Po ja, nuk u zbatua ai urdhri administrativ, pastaj ç`do bëhej me ne. Dhe fundja, nuk e kuptoj se çfarë rreziku i vjen SHBA nga doktoresha humane dhe e nderuar Liri Berisha. Thua të ketë ajo fuqinë e Kinës apo të Rusisë për të trembur një superfuqi si ajo? Ajo nuk është as “Gruaja e mijëvjeçarit” siç e kanë quajtur Indira Priyadarshini Gandhin që po mbush plot 37 vjet që prehet në Shakti Sthala. Le të aryetojmë: po sikur administratës së Departamentit të Shtetit t`i shkrepet e të vërë kusht rehabilitimin e Enver Hoxhës, si do t`i përgjigjen asaj forcat tona politike? Vërtetë ambasada nuk i sheh reagimet negative në shtim të qytetarëve ndaj sjelljeve të tilla? Sikur po shtohen shumë këto gabimet e tyre ndaj nesh. Kjo sepse më sjell ndërmend atë shprehjen e vjetër romake “Errare humanum est, perseverare autem diabolicum” që do të thotë “Gabimi është për njerëzit, përsëritja është një gjë djallëzore”. Duke pranuar ndërhyrjet kudo, deri dhe te drejtësia, me arsyetimin se “kanë shpenzuar nga taksapaguesit e tyre”, mos ka mbetur që të përsërisim dorëzimin e kurorës së Skënderbeut si dikur mbretit xhuxh Viktor Emanueli të Tretë? Po të jetë kështu, a nuk vlejnë edhe sot e kësaj dite fjalët e teoricienit anglo – amerikan Tomas Pein të shpallura tek ato 50 faqet e broshurës anti Xhorxh “Gjykimi i shëndoshë”, ku thotë se një njeri i ndershëm vlen shumë më tepër për shoqërinë se sa “gjithë maskarenjtë me kurorë të kësaj bote”. Dhe pikërisht kjo na bën që gjithë mllefin dhe qortimet tona t`ua drejtojmë qeveritarëve tanë frikacakë e servilë, që e shohin humnerën ku na kanë futur dhe nuk guxojnë të përpiqen për të na nxjerrë prej saj. Përsa i përket atij citatit të Katonit, unë do ta korrigjoja: “Miq! S`është keq të flasësh, keq është të heshtësh”.