Ilmi S. Qazimi: Udhë drejt asimilimit apo shembull i ‘qytetërimit’?!

“Dhe sa shumë resorte ultraluksoze reklamohen e ndërtohen pak kilometra me tutje. Fshatrat e tokat po braktisen. Syri të zë turistë nga gjithëfarësoj shtetesh, nga Polonia e Ukraina deri prej Bangladeshit e Nepalit, që blejnë shtëpi, tokë, pronë dhe jetojnë këtu! Që shpërndajnë drogë, që vrasin e vriten. Se qeveria jonë i lejon, madje i impulson me anë të lehtësirave ligjore dhe çmimeve tepër të ulëta.”

Jam ulur në një nga stolat me ndenjëse sfungjeri mbuluar me lëkurë të lustruar në një shesh çlodhjeje brenda supermarketit torontez, që mban emrin “Mulliri i Vuhanit”, ku në një sipërfaqe prej afër gjashtë hektarësh, në një ndërtesë gjithë xham e mermer, mbi njëzetë kompani e firma shumëkombëshe kanë ekspozuar për t’u blerë mallrat që i nevojiten njeriut për jetesë, luks dhe plotësimin e thuajse tërë dëshirave të tij. Vërej tek kalimtarët e shumtë veçanti të kësaj bote brenda këtij “mulliri”: njerëzit që lëvrijnë si milingonat, nuk kanë asnjë lloj kompleksi (të paktën kështu duket nga jashtë dhe deri në një farë thellësie), për njëri-tjetrin. Shkojnë si vëllezër e si motra; martohen me dashuri direkte apo internet, pavarësisht se çfarë rrace janë, çfarë ngjyre i kanë sytë, fytyrën, shputat e duarve dhe putrat e këmbëve. Nuk iu duhet nëse janë në punë ose jo; në pavarësi të plotë  nga fakti nëse i kanë apo s’i kanë prindërit. Ata bisedojnë dhe ngulmojnë, por nuk shajnë; ata edhe qajnë (vetëm me lot), edhe këndojnë (vetëm me zë të ulët). Është  një komunitet me njerëz nga tërë rruzulli, i ndërtuar mbi bazën e marrëdhënieve, tek e mbramja, të buta, të thjeshta, njerëzore… Askujt nuk i bën përshtypje pse një vajzë me lëkurë të lëmuar bojë çokolatë, ka dalë me sisë e kofshë  krejt  jashtë dhe që ecën serbes në mes të turmës që baret nëpër mermer. Apo pse një bardhoshe vetjoshëse çapitet e “veshur”me dy copa cohe të çara nga këmba te koka që i shërben si fustan e që nuk mbulon veçse zbulon gjithçka të trupit të saj kur ajo hedh këmbët sikur është duke vallzuar. Askujt nuk i bëhet qeder pse një kineze puthet me superafsh me një djalë me ngjyrë nga Afrika e Jugut në tavolinën numër nëntë të restorantit të katërt. Kurrkush nuk shpreh diçka përse tërë këto gra e këta burra janë me pantallona kaq shumë të shkurtra,”të grisura”, ekstravgante, që mua më duken pa shije. Ose përse janë kaq shumë të parruar e të paqethur, të pahekurosur e të paveshur bukur! Nuk duan ta dinë se prej nga vijnë e ku shkojnë. Jo!Jo! Këtu, askujt nuk i vete në mendje se ka qeveri federale, rajonale, bashki dhe…për një çast edhe …hipokrizi! Në këtë supermarket gjigand të duket sikur askujt s’i bie ndërmend se ka politikanë e miliarderë, ngase përdoret vetëm fjala: “Bosi!” Dhe bosi i tyre në familje është o gruaja, o burri. Bosi në punë është pronari apo punëdhënësi dhe në  rrugë është ligji. Dhe së fundmi, kudo e gjithnjë superbosi mbetet paraja! Na ndalon, diku, semafori në një nyje rrugore ku kryqëzohen me një harmoni të pabesueshme gjashtë udhë asfalti makinash. Sipër nesh, pak majtas, është një mbikalim i shkëlqyer arkitekturor ku, për fat këtë çast, secili në trasenë e vet, veç makinave, traleve, mauneve, po lëviz  në shinat e tij edhe treni me 167 vagona të mbushur me lloj-lloj ushqimesh, veshjesh mallrash të botës tjetër matanë oqeanit si dhe çisterna gazi e nafte, për botën kanadeze dhe atë amerikane. Lart në qiell të tremb me madhështinë dhe uturimën e tij një avion i stërmadh, i cili fluturon ulët ngaqë po i afrohet aerodromit supermodern “Pirson”. E, në këtë kryqëzim rrugësh, semaforësh, mendimesh, idesh, emocionesh, njerëzish, modernizimi teknologjik, zgjatohet drejt qiellit shtylla edmontoneze e pishës rreth 30 metra lartësi, me majë të mprehtë përpjetë, që mban tendosur telat e tensionit të lartë. Pikërisht në rrëzë të kësaj shtylle, ngjitur me të, është mbështetur  një njeri me moshë rreth të dyzet e pestave, me fytyrë të palarë, i bubunjosur, i pakrehur e i paqethur ndoshta kurrë ndonjëherë dhe pa këmishë. (Kjo sakaq më kujton përrallën emblemë të gjuhës angleze, ku më i lumturi i botës u gjend se ishte pikërisht ai që nuk kishte as këmishë). Ky, i braktisuri, lakuriq në mes e lart, me pantallona të vjetra e të grisura, me ca biçim këpucësh të shqyera, mezi qëndron paksa i kërrusur dhe mban në dorën që i dridhet, përpara barkut, një karton ambalazhi bojë kafe ku është shkruar shtrembazi me gërma të mëdha në gjuhën angleze: “JAM I PAPUNË, JAM I URITUR, PRANOJ ÇDO GJË QË MË JEPET!” Në semafor u shfaq ngjyra jeshile dhe makina jonë ‘fluturoi’ në radhën e mijra të tjerave para e pas saj në autostradën me pagesë me 14 korsi, drejt apartamentit në një pallat disakatësh periferik ku jetojmë me qira. Kjo që përshkrova ishte një ditë korriku e vitit 2013 në Toronto të Kanadasë, vendit të tejzhvilluar imperialist, me sipërfaqe afër dhjetëmijë km. katrore e me popullsi mbi 34 milion banorë. Tani pas plot dhjetë vitesh, në mënyrë galopante mjaft prej këtyre skenave i shikoj në Tiranën tonë ku gumzhin ‘turizmi’ shumë llojesh. Sidomos këtë skenën e fundit: sa shumë njerëz tek ne flejnë e jetojnë pranë koshit të plehrave, nën urë e nëpër kthina tortuarësh!? Dhe sa shumë resorte ultraluksoze reklamohen e ndërtohen pak kilometra me tutje. Fshatrat e tokat po braktisen. Syri të zë turistë nga gjithë farësoj shtetesh, nga Polonia e Ukraina deri prej Bangladeshit e Nepalit, që blejnë shtëpi, tokë, pronë dhe jetojnë këtu! Që shpërndajnë drogë, që vrasin e vriten që qeshin e qajnë, që lajnë e shplajnë. Se qeveria jonë i lejon, madje i impulson me anë të lehtësirave ligjore dhe çmimeve tepër të ulta. Mos vallë po kthehemi kaq shpejt edhe ne një shtet i vogël multietnik ku popullsia e ardhur të zërë vendin e parë, kurse shqiptarët të mbeten fare pakicë? Këtu, duket qartë se bos është hajduti, krimineli, ministri dhe deputeti. Këtu dëshirat e fëmijëve nuk realizohen dot, se shkolla si ndërtesë ka plot, por nxënës ka pak, se janë paksuar lindjet e janë shtuar largimet nga Shqipëria. Nuk ka paga të mira, as për mësuesit e as për prindërit. Këtu polarizimi shoqëror është i tejskashëm. Këtu hëpërhë, sundon dhe stimulohet pesimizmi.  Industria e 138 mediave vizive këtu, e prirur për fitime sa më të mëdha prej pastrimit të parave dhe formave të tjera, po e helmon tërësisht psikologjinë shoqërore të të gjithë moshave dhe po e shkatërron me rrënjë familjen shqiptare.

“Mos vallë po kthehemi kaq shpejt edhe ne, një shtet të vogël multietnik ku popullsia e ardhur të zërë vendin e parë, kurse shqiptarët të mbeten fare pakicë? Këtu, duket qartë se bos është hajduti, krimineli, ministri dhe deputeti. Këtu dëshirat e fëmijëve nuk realizohen dot, se shkolla si ndërtesë ka plot, por nxënës ka pak, se janë paksuar lindjet e janë shtuar largimet nga Shqipëria. Nuk ka paga të mira, as për mësuesit e as për prindërit, stimulohet pesimizmi.”

Shqipëria jonë, si vend shumë i bukur, me 462 km bregdet, me popullsi rreth dy million e gjysëm e në largim të përditshëm, me lindje të pakta, me divorce të shumta, me gjuhë të goditur e të gjymtuar, me ekonomi të shkatërruar e me kulturë të shpërfillur nga qeverisja, mos duhet të pranojë ‘pushtimin botëror’ me italianët në krye nën  drejtimin amerikan? Ka ardhur koha të themi se në këtë derexhé, veç të tjerave, na solli edhe fakti që shqiptarët mbeten peng pikërisht të atyre personave që vazhdojnë të kafshojnë dorën e atij që i ushqeu dhe sot lëpijnë këpucën e atij që po i shpërfill e qëllon me shkelma ata vetë dhe popullin që i ka votuar.

NOA

Kryeministrat tanë një fytyrë kanë: shërbetorë të zellshëm të të huajve, sharës të paskrupullt të sistemit socialist që i ushqeu, njerëz që kultivojnë kultin e antikomunistit dhe nën këtë petk edhe veprime tepër të rënda antikombëtare. Harram e paçin bukën, emrin, postin, paranë! Vendi ynë, i vogël, por i fuqishëm, kërkon zot. Kërkon një parlament me 70 deputetë, e jo 140 batakçinj në fjalë e veprime si ata që shahen e grihen deri në thyerje karrigesh! Kërkon një qeveri me një sedër kombëtare, me një objektiv atdhetar e popullor, paçka se, tani për tani nuk ka rrugë tjetër veç ndjekjes së qerres rrotëndryshkur perëndimore.