Ilir Beqaj emërohet në krye të grupit negociator Shqipëri- BE

Ndërsa për muaj të tërë skena e politikës shfaqi tragjiko-komedinë e akuzave korruptive për tenderat e ndryshëm në shëndetësi ku emri i tij ishte dhe është në qendër të akuzave, Ilir Beqaj ndryshe nga sa pritej është emëruar së fundmi në kupolën drejtuese të përbërjes së grupit negociator për negociatat e aderimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian. Romina Kuko, zëvendësministre e Brendshme, nuk do të jetë më pjesë e përbërjes së grupit negociator. Ajo do të zëvendësohet në këtë funksion nga Ilir Beqaj. Ky i fundit është edhe Drejtor i Përgjithshëm i Agjencisë Shtetërore të Programimit Strategjik dhe Koordinimit të Ndihmës. Mbështetur në ligjin për shërbimin e jashtëm, për krijimin, organizimin dhe funksionimin e strukturës shtetërore, përgjegjëse për zhvillimin e negociatave dhe lidhjen e traktatit të aderimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian, me propozimin e ministrit të Shtetit dhe Kryenegociator, Këshilli i Ministrave vendosi që në bazë të vendimit për përbërjen, rregullat e funksionimit dhe trajtimin financiar të grupit negociator dhe detyrat e Kryenegociatorit për zhvillimin e negociatave të aderimit të Republikës së Shqipërisë në Bashkimin Evropian, Romina Kuko, zëvendësministre e Brendshme do të zëvendësohet me Ilir Beqaj, drejtor i Përgjithshëm i Agjencisë Shtetërore të Programimit Strategjik dhe Koordinimit të Ndihmës.

Sigal