Gjyqësori fundos Shqipërinë! Indeksi 2023 e rendit të 133 nga 142 vende në botë

52

Indeksi Global 2023 Shqipëria hapa pas në Sundimin e Ligjit

Sigal

Indeksi Global 2023 i Sundimit të Ligjit në treguesin nëse gjyqësori ka realisht pavarësinë dhe aftësinë për të ushtruar kontroll efektiv ndaj qeverisë e rendit Shqipërinë në vendin e 133 nga 142 vende. Një muaj më parë Indeksi Global i Krimit për Shqipërinë tha se anëtarë të shquar politikë dyshohet se marrin pjesë në praktika korruptive ose joetike pa u ndëshkuar.


Shqipëria vijon të bëjë hapa pas në sundimin e ligjit. Këtë e tregoi edhe Indeksi Global 2023 i Sundimit të Ligjit. Në këtë raport të publikuar në 25 tetor 2023 ku jepen të dhënat për 142 shtete: Shqipëria renditet në vendin e 91 duke u listuar kështu në vendet e fundit. Tregues të ndryshëm të institucioneve më të njohura në botë në raporte kanë dëshmuar problematikat, që ka Shqipëria. Një muaj më parë Indeksi Global i Krimit që u publikua në muajin Shtator 2023 nxiu sërish Shqipërinë. Ky raport ndër të tjera tha se “pavarësisht përpjekjeve, nivelet e larta të korrupsionit dhe mungesa e transparencës në shumë aspekte të jetës publike dhe private vazhdojnë. Për më tepër, anëtarë të shquar politikë dyshohet se marrin pjesë në praktika korruptive ose joetike pa u ndëshkuar”. Në korrik 2023 raporti i përvitshëm i DASH për klimën e investimeve këtë herë dha një panoramë shumë problematike dhe me tone me të forta negative krahasuar me vitin e kaluar për vendin tonë. Indeksi Global 2023 i Sundimit të Ligjit i cili mat një sërë treguesisht e liston vendin tonë thuajse në pjesën më të madhe të treguesve në rënie. Sipas të dhënave të këtij indeksi për treguesin që mat nëse organet legjislative kanë realisht aftësinë për të ushtruar kontroll dhe mbikqyrje efektive ndaj qeverisë, Shqipëria renditet e 113-a nga 142 vende të botës. Treguesi tjetër ai që tregon sesa realisht gjyqësori ka pavarësi dhe aftësi për të ushtruar kontroll efektiv ndaj qeverisë Shqipëria renditet e 133 ndaj 142 vende të botës pjesë e këtij indeksi. Konkretisht:

-Në treguesin nëse gjyqësori ka realisht pavarësinë dhe aftësinë për të ushtruar kontroll efektiv ndaj qeverisë, Shqipëria renditet në vendin e 133 nga 142 vende.

-Në treguesin nëse organet legjislative kanë realisht aftësinë për të ushtruar kontroll dhe mbikqyrje efektive ndaj qeverisë, Shqipëria renditet e 113-a nga 142 vende të botës.

-Në treguesin nëse zyrtarët e qeverisë zgjidhen apo emërohen në përputhje me rregullat dhe procedurat e përcaktuara në kushtetutë, dhe nëse zgjedhjet janë të rregullta, duke përfshirë aksesin në fletën e votimit, mungesën e frikësimit dhe shqyrtimin publik të rezultateve të zgjedhjeve, Shqipëria renditet në vendin 107 nga 142 vende.

-Në treguesin nëse gjyqtarët dhe zyrtarët gjyqësorë frenohen nga kërkimi dhe pranimi i ryshfetit për të kryer detyrat ose për të përshpejtuar proceset, dhe nëse gjyqësori dhe vendimet gjyqësore janë të lira nga ndikimi i paligjshëm i qeverisë, interesave private dhe organizatave kriminale, Shqipëria renditet në vendin e 125 nga 142 vende.

-Në treguesin që mat efektivitetin e mekanizmave të pjesëmarrjes qytetare, duke përfshirë mbrojtjen e lirisë së mendimit dhe të shprehjes, të tubimit dhe të organizimit, si dhe të drejtën për peticion ndaj qeverisë, nëse njerëzit mund të shprehin shqetësime tek zyrtarët e ndryshëm të qeverisë dhe nëse zyrtarët qeveritarë japin informacion dhe njoftim të mjaftueshëm për vendimet që prekin komunitetin, Shqipëria renditet e 111 nga 142 vende.

-Në treguesin nëse njerëzit mund të marrin pjesë lirisht në mbledhjet e komunitetit, t’u bashkohen organizatave politike, të mbajnë demonstrata publike paqësore, të nënshkruajnë peticione dhe të shprehin mendime kundër politikave dhe veprimeve të qeverisë pa frikë nga hakmarrja, Shqipëria renditet e 102 nga 142 vende.

-Në treguesin nëse zbatimi i rregulloreve i nënshtrohet ryshfetit ose ndikimit të paligjshëm nga interesat private, dhe nëse shërbimet publike, si dhënia e lejeve dhe licencave dhe administrimi i shërbimeve shëndetësore publike, ofrohen pa ryshfet ose nxitje të tjera, Shqipëria renditet e 116 nga 142 vende.

-Në treguesin nëse procesi i rregullt ligjor respektohet në procedurat administrative të kryera nga autoritetet kombëtare dhe lokale në fusha të tilla si mjedisi, taksat dhe puna, Shqipëria renditet e 120 nga 142 vende.

-Në treguesin nëse sistemi i drejtësisë civile është i lirë nga ryshfeti dhe ndikimi i jashtëligjshëm i interesave private, Shqipëria renditet e 127 nga 142 vende.

-Në treguesin nëse policia, prokurorët dhe gjyqtarët nuk marrin ryshfet dhe janë të lirë nga ndikimi i paligjshëm i organizatave kriminale, Shqipëria renditet e 122 nga 142 vende.