Prof. Dr. Lush Susaj: Varfëri, shantazh dhe frikë për të dëbuar rininë dhe profesorët e universiteteve

191

“Dëbimi i intelektualëve dhe profesorëve më të mirë e më profesionistë të vendit, duket që po i kthen shkollat dhe universitetet tona në zyra të rendomta të punësimit të tarafit nepotikë e krahinorë, e kjo në shërbim të 20 apo 50 votave, që secili sjell për partinë. Zoti e ndihmoftë Shqipërinë, elitën dhe rininë”

Sigal

Pedagogë që po përgatisin familjet e të largohen drejt kampeve të azilit

Protesta e pedagogëve, pa pikë dyshimi që është reagimi dhe drita më e madhe kundër errësirës së konspiracionit, korrupsionit, fiktivitetit dhe kriminalitetit të shtetit dhe politikës shqiptare, e që falë kësaj drite të bardhë, shoqëria do të mund të shohë e të kuptojë pasojat e megaskandaleve dhe politikave të gabuara me shkollën dhe universitetet publike. Në kohët që po jetojmë, mendoj se është më mirë që të flitet e të shkruhet duke sjellur në vëmendje ngjarje, biseda dhe shëmbuj konkretë të një dite të punës dhe jetesës së një pedagogu apo edhe të një banori të zakonshëm të Shqipërisë. Parë në këtë këndvështrim, po sjell dy shëmbuj të ditës së sotme, me datë 3 nëntor 2022, kur në tavolinën ku pimë kafen e mëngjesit, njëri nga pedagogët protestues, profesionistë e me dinjitet të lartë njerëzorë e profesionalë na tha: “kam tre fëmijë të vegjël, e jam duke bërë gati letrat e rrobat për të ikur, sepse këtu nuk shoh asnjë mundësi e shpresë për t’i rritur dhe edukuar”. Kështu më thoshte edhe profesori i nderuar Taulant Nela (nga Kollovozi, kushëri i poetit Havzi Nela) gjatë kohës që ne po jepnim mësim në filialin e Lushnjes. Unë e këshilloja që të qëndronte, ndërsa në një ditë të zakonshme, në orarin që pinim kafen e mëngjesit, Taulanti me mori në telefon nga Franca, ku kishte shkuar sëbashku me bashkëshorten e tij. Të njëjtën bisedë e kam bërë edhe me Samiun, profesorin e nderuar të Gjenetikës, që sëbashku me tre fëmijët e bashkëshorten e tij, përmes një projekti arriti të shkojë në Kanada e të mos kthehej më për universitetin e as për studentët e Shqipërisë. Në këtë mënyrë po shantazhohen e përndiqen me familjarë e me të afërm edhe dy pedagogë të tjerë të nderuar e me shumë përvojë, të cilët po numërojnë ditët e janë në momentin e tyre të fundit për t’u larguar drejt kampeve të azilit të vendeve të Europës, pasi në Shqipëri puna dhe jetesa e elitës dhe intelektualëve me ide dhe me sjellje europiane e demokratike, po bëhet gjithnjë e më e pamundur dhe e padurueshme. Sot në mëngjes, sapo hapa adresën time elektronike, lexova dhe më bëri përshtypje shkrimi i një profesoreshe të meritës dhe të nivelit më të lartë profesional në Shqipëri dhe Europë. Është një shkrim i shkurtër për kushëririn e saj të zgjedhur në këshillin bashkiak të Londrës. Këtë shkrim, vetëm për të parë e për ta kuptuar mënyrën se si po trajtohen e po dëbohen elita e mirëfilltë dhe pedagogët e meritës nga Shqipëria, po e ndaj me lexuesit. Profesorja e asociuar, doktore e shkencave, e cila ka studjuar dhe është diplomuar në Michigan të SHBA, në Universitetin Mesdhetarë në Hanja të Kretës dhe në Universitetin e Kajros në Egjipt, fjalë për fjalë i shkruan kushëririt të saj në Londër: “Ne këtu në Shqipëri jemi akoma më të stresuar, kemi frikë të hapim televizorin, kushëri i dashur. Jemi të shtypur e të shkelur me këmbë…. Pamjet që kemi postuar janë të tmerrshme, të frikshme… Janë djem nënash shqiptare të pashpresë në vendin e tyre. Shqiptarët ikin, ikin, ikin, pa kthim, jo se nuk e duan vendin e tyre, jo se nuk i duan prindërit e tyre, jo se janë të paaftë e joprofesionistë, por se ju është vrarë shpresa. Le të jesh sado i aftë, profesionistë e i kualifikuar. Edhe Profesor po të jesh, nëse thua mendimin tënd që nuk i pëlqen shefit të katapultuar, të vendosur aty pa asnjë meritë, ti kërcënohesh, shantazhohesh, pushohesh nga puna. Nëse ti kërkon të drejtat e tua, nëse kërkon kushte e mjete pune e jetese modeste, konsiderohesh kundër shefit, kundër shtetit … Rinia është e pashpresë… Jemi bërë të gjithë për të ikur nga sytë-këmbët… Turpi i mbuloftë kush na solli në këtë gjendje!”. Për lexuesin, kjo profesoreshë e nderuar, vetëm për shkak të reagimit dhe të fjalës e mendimit të saj të lirë, është dërguar për të punuar në një punë fare të parëndësishme, e ku fyhet dhe shantazhohet pa mëshirë e në çdo ditë të punës së saj. E gjithë kjo bëhet me qëllim për ta detyruar që ta lejë punën, e për ta dëbuar familjarisht nga Shqipëria. Në këto kushte, e gjithë administrata dhe institucionet e shtetit shqiptarë, si kurrë ndonjëherë tjetër, kanë ra në dorën e një klani të neveritshëm nepotikë , e totalisht inkopetentë në drejtim të reformave dhe projekteve të zhvillimit. Edhe në këtë rast, përsëri po shoh dhe po parandjej largimin e dy pedagogëve të tjerë të një niveli akademikë e profesionalë shumë të lartë e të admirueshëm.

Universitete me hapësira akademike, profesionale e demokratike të reduktuara

Në këtë mënyrë, për universitetet tona publike, gjithnjë e më shumë po ngushtohen hapësirat profesionale dhe akademike. Kjo për shkak se përmes linjave të nepotizmit dhe korrupsionit, gjithkund po shantazhohen, stresohen dhe largohen ata pedagogë dhe intelektualë që flasin, që shkruajnë e që kërkojnë misione dhe reformat e thella integruese.  Profesionistët flasin dhe kundërshtojnë degradimin e mëtejshëm të sistemit tonë arsimorë, prandaj janë kaq shumë problem për klanet nepotike të shkollave dhe universiteteve. Për këtë arsye sulmohen kudo e në çdo ditë të punës së tyre, duke i stresuar e lodhur me arrogancë, bullizëm dhe padrejtësi të tjera, vetëm për t’i mërzitur e për t’i detyruar që të lenë punën dhe Shqipërinë, e të shkojnë drejt kampeve të azilit të vendeve të Europës dhe në SHBA. Në këtë mënyrë, universitetet dhe shkollat tona publike po bëhen gjithnjë e më të thata e më të braktisura nga studentët dhe rinia, pasi ata që nuk kanë asnjë profesion, nuk mund të nxjerrin kurrë profesionistë e as punëtorë e qytetarë të mirë. Persekutimi dhe dëbimi i intelektualëve dhe profesorëve më të mirë e më profesionistë të vendit, duket që po i kthen shkollat dhe universitetet tona në zyra të rendomta të punësimit të tarafit nepotikë e krahinorë, e kjo në shërbim të 20 apo 50 votave që secili sjell për partinë. Në këtë mënyrë, shkollat dhe universitetet tona, në vend që të prodhojnë profesionistë, ide zhvillimore dhe qytetarë të mirë, po degradohen në laboratorë të prodhimit të gojëkyçurve dhe të njerëzve pa dije, pa ide dhe pa profesion, e që rendin si të marrë për të duartrokitur sundimtarin e radhës. E ky është mallkimi ynë më i madh. Në këtë mënyrë po vritet edhe e ardhmja e politikës, e jetës dhe e ekonomisë shqiptare. Nga kjo arsye, sikurse po shohim e dëgjojmë përditë, nga fshatrat dhe qytetet e Shqipërisë po vazhdon eksodi dhe shpopullimi masiv. Ndërsa greva e pedagogëve ka marrë shkas nga kjo situatë e vetëm për të stopuar largimin e profesorëve dhe të rinisë, e për të të siguruar kthimin e tyre në shkollat dhe në universitetet profesionale e demokratike të Shqipërisë. Edhe rritja e pagës dhe pikat e tjera të peticionit, këtu synojnë, më shumë kohë dhe profesionalizëm për studentët dhe kërkimin shkencorë. Më shumë jetë dhe investime për universitetet dhe rininë studentore. Ndërsa përkundrejtë qëllimit tonë të pastër dhe të vendosmërisë për të qëndruar në kërkesat tona është shfaqur kercenimi, fyerjet, bullizmi, shantazhi qeveritarë, e që nuk i shërben aspak Shqipërisë e as shkollës dhe universiteteve publike. Në këtë mënyrë ju solla në kujtesë vetëm një ditë të zakonshme të punës dhe të lajmeve mbi përmasat e shpopullimit dhe dëbimit të rinisë dhe intelektualëve. Zoti e ndihmoftë Shqipërinë, elitën dhe rininë e saj të mrekullueshme.