AMA nis fushatën e Edukimit Mediatik me prindër dhe edukatoret e kopshteve të Tiranës. Ndalesa e parë në kopshtin, “Duarartët”

25
Sigal

Autoriteti i Mediave Audiovizive ka hapur fazën e dytë të fushatës së Edukimit Mediatik. E nisur prej muajsh me një cikël videosh informuese dhe orientuese për fëmijë dhe të rritur, mbi Prindërimin Digjital, rreziqet e njohura digjitale, mbrojtja e të dhënave personale, lojrat, reklamat, blerjet online etj, kjo fushatë është zgjeruar më tej dhe ka për objektiv prindër, edukatoret e kopshteve dhe fëmijë të moshës parashkollore.

Kjo fazë e dytë e titulluar, “Kompetencë mediatike për moshat parashkollore”, e hartuar dhe drejtuar nga Këshilli i Ankesave, nisi sot në kopshtin “Duarartët”, në Njësinë administrative Nr.5, në Tiranë, ku me prindër dhe edukatorë u diskutua për sfidat e prindërimit në epokën digjitale.
Fushata është konceptuar si një cikël bisedash informuese dhe ndërgjegjësuese me prindër dhe edukatorë dhe ka në qendër të vëmendjes fëmijët parashkollorë të moshës 5-6 vjeç, për shkak të veçorive të zhvillimit të tyre moshor dhe nevojës për orientim në botën mediatike dhe digjitale, në prag të një hapi të rëndësishëm të jetës së tyre, siç është shkollimi.

Në kopshtin “Duarartët”, vëmendje e veçantë iu kushtua nevojës së orientimit të fëmijës në mjedisin audioviziv dhe përdorimit të mekanizmave mbrojtës për shëndetin e tij fizik dhe mendor, ushtrimit të kontrollit prindëror mbi praninë dhe sjelljen e fëmijës në internet, mënyrave të kufizimit të kohës së fëmijës online, mbrojtjen e tij nga rreziqet kibernetike, etj.

Prindërit e pranishëm u interesuan gjithashtu edhe për veçoritë e identitetit digjital dhe rëndësinë e mbrojtjes së të dhënave personale në mjediset digjitale si edhe për mjetet e mbrojtjes prej rreziqeve që vijnë prej hapësirës kibernetike, pranisë dhe marrëdhënieve, që gjithsecili krijon në të.

Për të garantuar efektivitet dhe shpërndarje gjeografike, në bashkëpunim dhe bashkërendim me Drejtorinë e Përgjithshme të Kopshteve dhe Çerdheve të Bashkisë Tiranë, bazuar në verifikimin paraprak të interesit, pjesë e fushatës do të jenë 21 kopshte në 11 njësi administrative të Tiranës urbane. Me moton “Kompetencë mediatike – fëmijë të shëndetshëm dhe të sigurtë!”, ndalesat e radhës fushata i ka në kopshtet “Pema e miqësisë” dhe “Ngjyrat e jetës”, për të vazhduar me të njëjtat ritme edhe në muajin qershor.