NDËRROI JETË LEKË GOJÇAJ, I “SHTATOREVE TË PËRJETËSISË”

793
Sigal

Nga Frank Shkreli

Javën që kaloi, komuniteti shqiptaro-amerikan humbi njërin prej aktivistëve më të njohur të tij, Lekë Gojçaj.  Megjithëse nën rregulla shumë të lufizuara për arsye të pandemisë aktuale që ka goditur mbarë botën, komuniteti shqiptaro-amerikan, me një pjesëmarrje të madhe përcolli për në amshim, me më të madhin respekt, veprimtarin, bamirsin dhe fisnikun malësor, Lekë Gojçaj, ditën e enjtë të javës që kaloi.

 

Leka njihej në komunitetin tonë si një veprimtar i dalluar, i cili gjëndej gjithmonë i gatëshëm për të ndihmuar dhe kurdoherë që e lypte nevoja, i angazhuar në nismat atdhetare, fetare dhe shoqërore të komunitetit, por edhe më gjërë.  Por mbi të gjitha, Lekë Gojçaj njihej dhe do të mbeten — së bashku me vëllain e tij Pashkon, i cili gjithashtu ka ndërruar jetë para disa viteve — si dy shqiptare fisnikë malësorë, mërgimtarë që i kishin përcaktuar vetes misionin e shenjtë dhe patriotik për të vendosur sa më shumë shtatore të Shënjëtëreshës Nënë Tereza, anë e mbanë trojeve shqiptare dhe në botë.  Këtë donin ta bënin me qëllim për t’ia bërë të njohur këtë bijë të dalluar të Kombit Shqiptar një bote të dyshimtë e cila ende nuk e njihte origjinën e saj shqiptare si duhej, ose e njihte bazuar në keq identifikime dhe në informacionin që sot konsiderohet si “fake news, të sllavëve të jugut dhe të armiqëve historikë të Kombit shqiptar.  Përveç shtatoreve gjigante qai kishte spnsorizuar, Lekë Gojçaj nuk linte derë pa trokitë nga Washingtoni e deri në Vatikan për të dhuruar shtatoret më të vogëla prej argjendi, Papës zyrtarëve të lartë të politikës amerikane në Washingtonin, përfshir kongresmenë e senatorë, me qëllim që edhe ata të njohin më mirë Nënë Terezen, si shqiptare që ishte dhe nepërmjet saj të njihnin më mirë edhe Kombin shqiptar, që deri në vitin 1990 ishte vet-izoluar nga bota perëndimore për pothuaj 50-vjet komunizëm.    

 

I ndjeri Lekë, përveç aktiviteteve të tjera, ka botuar edhe një libër me titull, “Shtatoret e Përjetësisë”, mbi jetën dhe veprimtarinë e familjes Gojçaj në Hot të Malësisë së Mbishkodrës nga ku e ka origjinën familja dhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës ku kemi gjetur strehim dhe siguri.  Pjesën e parë të të librit ai ia ka kushtuar   shtatoreve të Nenë Terezës që ai dhe vëllai i tij kanë sponsorizuar duke i vendosur në trojet shqiptare dhe në Amerikë.

 

Suksesin e realizuar, që ka bërë të mundur edhe shpenzimet për këto shtatore, në një biznes imobilar si emigrant në Shtetet e Bashkuara, Leka ia dedikonte punës së rëndë prej disa dekadash, familjes dhe mbi të gjitha nenës së tij.  Në një intervistë me Zërin e Amerikës, Leka ishte shprehur se,“Pasurinë më të madhe, kisha nënën me vete.  Jo se kam qenë punëtor i madh, jo se kam patur edukatë për biznes, por kemi punuar me djersë të ballit, na kanë ndihmuar miq e dashamirë.  Kjo ishte meritë e të gjithëve, e Zotit mbi të gjitha, e vëllait tim Pashkut, i cili është punëtor i vërtetë, natë e ditë nuk lodhet”, është shprehur ai disa vjetë më parë në një program për VOA-n.

 

Ishte pra ky sukses në biznesin e tij imobilar që ia kishte bërë të mundur, që nderimin, respektin dhe mahnitjen e tij pas “madhështisë së shpirtit të Nenë Terezës”, siç thotë ai, ta çonte në vend duke realizuar ëndërrën e tij për të ndërtuar sa më shumë shtatore kushtuar Nenë Terezës në trojet shqiptare dhe në Amerikë. Ishte në vendlindjen e vëllezërve Gojçaj në Malësi, që më 13 qershor, 1996, atyre u lindi ideja e projektit për shtatoren e Nenë Terezës, — shënon Lekë Gojçaj në librin e tij, “Shtatoret e Përjetësisë”. 

 

Këtë nderim dhe mahnitje me Nënë Terezën, Lekë dhe Pashko Gojçaj janë përpjekur ta shprehin gjatë jetës së tyre me vepra – përfshir, pikërisht, edhe ndërtimin e disa shtatoreve të Nenës Tereze, që me sponsorizimin e tyre kanë bërë të mundur, këtu në Shtetet e Bashkuara dhe në trojet shqiptare.  Realizimin e kësaj nisme e kanë filluar me vendosjen e shtatores së parë të Shënjëtores shqiptare, në vendlindjen e tyre në Tuz të Malësisë,  (18 tetor, 1997) që mendohet të jetë edhe shtatorja e parë e Nenë Terezës, në botë.  Gojçajt kishin vendosur që shtatorja e Nenë Terezës të ishte produkt i punës së tre skulptorëve shqiptarë — të përzgjedhur me qëllim nga vëllezrit Gojçaj — përfaqësues të tri feve kryesore të shqiptarëve: Vasil Rakaj, katolik, Sadik Spahia, mysliman dhe Vasiliev Nini, ortodoks, për të dëshmuar, sipas Lekë Gojçajt, harmoninë fetare ndër shqiptarët, por edhe për treguar se Nenë Tereza u përket të gjithë shqiptarëve, pa dallim. 

 

Shtatoren e dytë të Nenë Terezës, vëllëzrit Gojçaj e vendosën para Kishës , “Zoja e Shkodrës” në Hartsdale të Nju Jorkut, me 10 shtator, 2000, kur Nenë Tereza e cila shpesh kishte vizituar komunitetin shqiptaro-amerikan në Nju Jork – tani u bë pjesë e pandarë e këtij komuniteti, pranë Kishës Katolike, Zoja e Shkodrës” në Nju Jork.  Vëllëzrit Gojçaj ndihmuan gjithashtu me një shtatore edhe Kishën Katolike Shqiptare në Detroit.

Shtatorja e tretë e Nenë Terezës e kishte radhën të vendosej në Prishtinë, kryeqytetin e Dardanisë së lirë, si një premtim, shkruan Lekë Gojçaj, që ai i kishte dhënë Presidentit të parë historik të Kosovës, Dr. Ibrahim Rugovës, në një takim me një grup shqiptaro-amerikanësh.  Premtimi u bë realitet me 2 Korrik, 2002, datë që përkonte me shpalljen e “Deklaratës Kushtetuese të Kosovës”.  Në përurimin e shtatores së vendosur në rrugën kryesore të kryeqytetit të Kosovës që edhe mban emrin “Nenë Tereza”, pat marrë pjesë edhe Presidenti Ibrahim Rugova.

Për shtatoren e katërt (vepër e skulptorit shqiptarXhelil Rufati nga Maqedonia), e kishte radhën Struga, qyteti shqiptar në Maqedoni, si rezultat i një propozimi që u kishte ardhur vëllezërve Gojçaj nga Jashar Pollozhani, Kryetar i Shoqatës Humanitare Nënë Tereza në Strugë.  Përurimi i shtatores së Nenë Terezës në Strugë u bë me 17 prill, 2004, kur “Katër vajza si zana zbuluan shtatoren e Nenë Terezës, i gjithë sheshi shpërtheu në një duatrokitje të gjatë.”  Nga ai moment Nenë Tereza u bë pjesë e pandashme e qytetit piktoresk me shumicë shqiptare, buzë Liqenit të Ohrit, thuhet në librin, “Shtatoret e Përjetësisë”, të autorit Lekë Gojçajt.

 

Pastaj radhën e kishte Mitrovica në jesën veriore të Kosovës, që edhe atje të ngrihej shtatorja e Nenë Terezës.  Për vendosjen e shtatores në Mitrovicë bashkpunoi i njëjti komision shqiptaro-amerikanësh që kishte bashkpunuar, më heret, për vendosjen e shtatores së Nenë Terezës në Strugë.

 

I ndjeri Lekë Gojçaj, në librin “Shtatoret e Përjetësisë” shpreh zhgënjimin e tij të thellë se nuk ia doli që shtatoren e Nenë Terezës ta vendosnin edhe pranë Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB-ja) në Nju Jork, që ishte një dëshirë e madhe e tij.  Sipas tij, ai hasi në pengesa të konsiderueshme, pasi OKB-ja nuk pranon dhurata nga individë, por vetëm nga shtetet anëtare.  Vëllezërit Gojçaj pastaj kishin menduar që t’i dhuronin shtatoren e Nenë Terezës, Shqipërisë si shtet anëtar i OKB-së, por siç duket as me shtetin shqiptar (nepërmjet misionit të tij pranë OKB-së), nuk gjeti bashkpunimin e nevojshëm për të realizuar endërren e tij për miratimin e vendosjes së shtatores së Nenë Terezës pranë OKB-së në Nju Jork.

 

Lekë Gojçaj ndërroi jetë pa realizimin e këtij projekti në OKB, por vëllezërit Gojçaj kanë lenë gjurmë të pashlyeshme dhe dëshmi historike duke vendosur shtatoren e Nenë Terezës nepër rrugë dhe sheshe anë e mbanë trojeve shqiptare, si edhe në botën e re, këtu në Shetet e Bashkuara të Amerikës.  Si rrjedhim, siç është shprehur edhe Dom Lush Gjergji, biografi i Nenës Tereze në një mesazh ngushëllimi me rastin e vdekjes së Lekë Gojçajt, duke vlerësuar kontributin e vëllezërve Lekë dhe Pashko Gojçaj, ka thekësuar se,“Emrat e tyre janë të shkruar jo vetëm në mendjen e shumë shqiptarëve, por edhe më shumë në zemra dhe ndërgjegje, sepse ata edhe më shumë kanë dëshmua fisnikërinë, bujarinë, mikpritjen, bamirësinë, si stil jete dhe veprimi, duke pasur dhe kultivuar gjithnjë dhe kudo ide dhe ideale të larta shpirtërore, kulturore, kombëtare dhe fetare shqiptare.”

 

Në mesazhin e tij, Dom Lush Gjergji falënderoi vëllezirt Gojçaj edhe për ndihmën dhe mbështetjen e tyre në ndërtimin e Katedrales “Nëna Tereze” në Prishtinë, që, sipas tij,  “Ishte sfidë për të gjithë ne”, por që, “Për vëllezërit Lekë dhe Pashk Gojçaj, ishte rast i mirë i bashkëpunimit, vëllazërisë dhe dëshmisë së çdo shqiptari, pa dallim vendi apo feje — që dëshmon para nesh dhe mbarë njerëzimit, që ne në Nënën Tereze e kemi gjetur vetveten dhe të vërtetën, jetën dhe dashurinë, flijimin dhe dhurimin, si mundësi për të jetuar dhe për të vepruar me dashuri dhe për dashuri”.  Jeta, puna dhe veprimtaria kulturore, fetare dhe atdhetare e vëllezërve Gojçaj nuk mund të vlerësohej më mirë se kështu.

 

Frank Shkreli

*Ish-Drejtor i VOA-s për Euro-Azinë

Ish-Drejtor Ekzekutiv i Këshillit Kombëtar- Shqiptaro-Amerikano (NAAC)

Nenë Tereza, atëherë dhe sot, një prej personaliteteve më të admiruara të botës edhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës