Kryemadhi: Reforma në pensione një domosdoshmëri

229

Në historikun e krijimit të sistemit të sigurimeve shoqërore, ashtu dhe atë të sigurimeve shëndetësore, financimi i skemave të detyrueshme edhe atyre vullnetare, karakterizohet nga nje ecuri jo shumë pozitive. Pavaresisht përpjekjeve të vazhdueshme nëpërmjet reformave të shumta, që u ndërmorën ndër vite me qëllim  përmirësimin e këtyre sistemeve në dobi të përfituesve, sot të gjithë e kuptojmë se nuk është arritur ajo që duhet. Sigurimet shoqërore, kujdesi shëndetësor, mbetet pika e dobët e të gjitha qeverisjeve dhe kryefjala e trishtë e ccdo qytetari. Për fat të keq, si sistemi i sigurimeve shoqërore ashtu dhe sistemi i kujdesit shëndetësor në mënyrë të vazhdueshme ballafaqohet me problematika të trashëguara ndër vite, të cilat pengojnë progresin e tij dhe për rrjedhojë sjellin pakënaqësi në shoqëri. Të dy këto sisteme financohen nga dy burime kryesore: personat ekonomikisht aktiv dhe buxheti i shtetit. Në lidhje me sistemin e kujdesit shëndetësor, dua të theksoj se për një periudhë të gjatë përqindja e kontributit për sigurim shëndetësor që paguhej në skemën e detyrueshme dhe vullnetare ishte në masën 3.4%. Dukshëm kuptohet se të ardhurat, që mblidheshin në këtë sistem nuk mund të mbulonin shpenzimet për godina të reja, teknologji bashkëkohore dhe barna mjekësore, kërkesa për të cilat është rritur ndjeshëm në ditet e sotme. Problemi i përfshirjes së popullësisë, e cila në mënyrë të rritur shfaq një nevojë për kujdes shëndetësor. Rritja e shkallës së sofistikimit të kujdesit shëndetësor, ka shkaktuar një shpenzim më të madh, duke shkaktuar një presion të madh mbi sistemin e kujdesit shëndetësor. Prandaj është e kuptueshme se peshën më të madhe në mbulimin e shpenzimeve të kujdesit shëndetësor, e ka mbajtur dhe e mban buxheti i shtetit si financuesi kryesor i fondit të kujdesit shëndetësor. E ngjashme vlen të theksohet edhe për sistemin e sigurimeve shoqërore. Një sistem me një histori negative përsa i përket pritshmërisë së shoqërisë. Pavarësisht reformave të ndryshme të asistuara nga FMN dhe Banka Boterore, apo reformave në kuadër të marrëveshjes se stabilizim asocimit, mund të them se efekti i ndikimit të tyre në shoqëri ka qenë fare i lehtë. E kundërt ka qënë ndikimi në buxhetin e shtetit, i cili ka qenë dhe vazhdon të jetë financuesi kryesor i këtij sistemi në degën e pensioneve. Për këtë arsye ky sistem sot ka një dificcit të konsiderueshëm. Të nderuar koleg, përvec problemeve të mësipërme, dua të theksoj se si sistemi i sigurimeve shoqërore ashtu dhe ai i kujdesit shëndetësor, për fat të keq, në mënyrë të vazhdueshme ballafaqohet me disa problematika të cilat pengojnë progresin  dhe për rrjedhojë sjellin pasoja negative tek ajo pjesë e shoqërisë, e cila ballafaqohet dhe ka nevojë për të. Më lejoni të evidentoj, se informaliteti në fushën e marrdhënieve të punës, evazion i lartë, deklarim i të ardhurave më të vogla se sa janë në realitet, mungesa e nxitjes për punonjësit me të ardhura mesatare/të larta për të paguar kontribute, përbëjnë  problematikat kryesore të këyre sistemeve, duke sjellë si pasojë zvogëlimin e fondit të kontributeve, si elementi kryesor i financimit. Fakti që kontributet janë elementi kryesor i financimit të këtyre dy sistemeve, vëmëndje e madhe duhet të përqëndrohet në forcimin e kushteve për mbledhjen e tyre. Ndryshimet e paraqitura në këtë seancë unë do ti konsideroja shumë pozitive dhe një hap të rëndësishëm drejt përmirësimit të mëtejshëm të funksionimit të këtyre sistemeve në dobi të gjithë shoqërisë. Prandaj unë do të tërhiqja vëmëndjen, se krahas këtyre ndryshimeve ligjore të domosdoshme, si në sistemin e kujdesit shëndetësor ashtu dhe atë të sigurimeve shoqërore, në vecanti do doja të theksoja se ka ardhur koha për të menduar reformimin e sistemit aktual të pensioneve në Shqipëri si një domosdoshmëri për t’ i gjetur zgjidhje problemeve të shumta, që ka ky sistem si dhe për të krijuar instrumentet dhe strukturat e nevojshme ekonomike, që mund t’ i sigurojnë pensione të kënaqshme të gjithë njerëzve që derdhin kontribute mbi pagën e punës së tyre dhe të mundësojë produktivitet për brezat që do të vijnë.