Klodi Stralla: Sot 7 prilli i pushtimit nga Italia fashiste

Si sot, tetë dekada më parë, në 7 prill 1939, Italia fashiste e Mussolinit pushtoi Shqipërinë, një vend sovran, anëtar i Lidhjes të Kombeve që prej vitit 1921. Ky ishte një agresion i pastër, që propaganda fashiste e kohës e paraqiti si dëshirë të popullit shqipëtar për t’u çliruar prej një mbreti anadollak dhe për t’iu bashkuar një qytetërimi të lashtë roman. Ky pushtim u miratua edhe nga anglezët të cilët kërkonin ta tërhiqnin Italinë në anën e tyre në një luftë të mundshme që pritej, si rezultat i pozitës të saj strategjike në Mesdhe.

Për të kuptuar, edhe sot, rolin që kemi ne shqiptarët në skakierën politike, si nje shtet i vogël, i brishtë, frut i pazarllëqeve të të mëdhnjve, po u sjell për lexim një fragment të shkëputur nga një dokument autentik britanik të kohës. Bëhet fjalë për Proces-verbalin e datës 10 prill 1939 të Kabinetit britanik (qeverisë), që, ndër të tjera, analizon edhe pushtimin italian të Shqipërisë.

NOA

Une mendoj se në pozitë të ngjashme është sot Kosova, ku diplomacia anglo-amerikane, për të tërhequr në anën e vet Serbinë, një vend me pozitë kyç në Ballkan, mund ta përdorin atë (Kosovën) si monedhe shkembimi.

“Kryeministri (Neville Chamberlain) shprehu keqardhje që ndërpreu pushimet e kolegëve, por në kushte të tilla ishte e pashmangeshme mbledhja e Kabinetit për të dëgjuar informacionet më të fundit dhe për të analizuar situatën e raportuar prej Sekretarit të Shtetit për Punët e Jashtme.

Të shtunën në mbrëmje, ai (sek.shtetit) takoi edhe ambasadorin shqiptar në Londër, i cili i dorëzoi një notë proteste kundër aksionit të ndërmarrë nga qeveria italiane, në kundërshtim me të gjitha traktatet ndërkombëtare të firmosura vullnetarisht, si dhe apeloi që qeveria britanike të bëjë të pamundurën që të ndihmojë këtë komb të vogël që, në mënyrë të dëshpëruar, po tenton të mbrojë territorin e vet.

– Në këtë pikë, nuk është në detyrën tonë të zhysim të gjithë Europën në luftë për Shqipërinë, duke pasur parasysh interesat e mëdha që Italia ka në Shqipëri, të cilat tashmë janë njohur edhe prej nesh. Ne nuk kemi interesa të drejtpërdrejta në Shqipëri dhe duhet ta shfrytëzojmë këtë rast (pushtimin) për të ndërmarrë hapa me qëllim që të tërheqim në anën tonë Greqinë dhe Turqinë.

Të shtunën mbrëma i ngarkuari me punë i Italisë tek ne, z.Crolla, kërkoi që të pritej urgjentisht, për të parashtruar pozitën italiane për këtë çështje, sipas porosive të vetë Mussolinit. Z.Crolla parashtroi se:

– Interesat italiane për Shqipërinë janë prej mëse një shekulli dhe janë të njohura qartësisht edhe nga Konferenca e Ambasadorëve (1921); se Italia ka bërrë shpenzime kolosale në Shqipëri; se Mbreti Zog nuk ka mbështetje popullore dhe Statuti i ofruar nga Italia (bashkimi personal midis dy shteteve) i jep Shqipërisë një shkallë të lartë pavarësie; se garantohet që Jugosllavia dhe Greqia nuk do të preken. Pushtimi i Shqiperisë do të bëhet i shpejtë dhe me pëlqimin e shumicës të shqiptarëve. Italia do t’i qëndrojë besnik Traktatit anglo-italian dhe do t’i tërheqë trupat e saj nga Spanja.

Qeveria e Madhërisë të Tij ra dakord për sa më sipër”

Shihet qartë se Shqipëria u përdor si monedhë këmbimi nga anglezët në pazarllëqet e tyre me Fuqitë e Boshtit. Kur Anglia hyri në luftë, disa muaj më vonë (shtator 1939), Çërçilli që kish zvëndësuar Chamberlain-in, bërri thirrje që – të ndizet flakë e gjithë Europa! – pra të vritej e shkretohej ajo, që albioni britanik të pësonte sa më pak humbje!

Mësimet e 7 Prillit 1939 vlejnë edhe sot si kujtesë, dhe shqiptarët duhet të ndërgjegjsohen se në politikë nuk ka miqësira por konjuktura dhe interesa, dhe, për kombet e vegjël si i yni, vetëm fuqizimi ekonomik e ushtarak, uniteti i brendëshëm, barazia e të gjithëve para ligjit dhe shpirti i sakrificës për të mirën e përbashkët, mund t’i faktorizojnë në raportet me më të mëdhenjtë.

 

  1. Në foto, nga e majta në të djathtë: N. Chamberlain (Angli), E. Daladier (Francë), A. Hitler (Gjermani), B. Mussolini (Itali) dhe G. Ciano (Itali), në Konferencën e Mynihut – 29 shtator 1938, ku demokracitë perëndimore bënë pazare me diktaturat në kuriz të kombeve të vegjël.