Kryeministri Rama: Nuk ka qendër votimi që PS nuk e fiton dot, negociatat me BE vijojnë normalisht si procesi më i rëndësishëm historik

Kryeministri Edi Rama deklaroi se procesi i negociatave me Bashkimin Europian vazhdon normalisht, ndërsa hodhi poshtë zërat se ky proces është bllokuar.Në nisje të podkastit “Flasim”, Kryeministri u ndal te domosdoshmëria e komunikimit me qytetarët në kuadër të turit për “Punët e Shqipërisë”.Duke u ndalur te ecuria e procesit të integrimit, Rama shtoi se “është në vijë procesi më i rëndësishëm historik i anëtarësimit në Bashkimin Europian, me negociatat që vazhdojnë”.

Kryetari i Partisë Socialiste dhe Kryeministri, Edi Rama, deklaroi  gjatë Asamblesë së Partisë Socialiste në Njësinë 12 në Tiranë, që përfshin Dajtin, Shëngjergjin, Zallbastarin, Petrelën dhe Baldushkun, se PS ka kapacitet të arrijë rezultate më të mira në çdo qendër votimi. “Koha ka treguar që nuk ka asnjë vend, asnjë qendër votimi që Partia Socialiste nuk e fiton dot, por ka qendra ku nuk fitojmë sepse nuk organizohemi si duhet. Nuk ka asnjë rezultat që ne nuk e arrijmë dot, por ato që nuk arrijmë vijnë sepse nuk bëjmë punën sa duhet. Këtë punë dhe këtë përpjekje e kemi detyrë më të madhe sesa thjesht ndaj vetes”, tha Rama.

Sigal

Kryeministri gjithashtu hodhi poshtë akuzat për rritje të korrupsionit. “Nuk mund të thuhet me plot gojën se ‘është rritur korrupsioni dhe s’ka qenë kurrë korrupsioni siç është sot’, sepse kjo është një gënjeshtër shumë e madhe. Po të ishte kështu, nuk do të rritej ekonomia, nuk do të rriteshin pagat dhe pensionet, dhe nuk do të rritej numri i përfituesve nga fondet publike”, tha Rama.

Ai u shpreh se narrativat negative për qeverisjen nuk janë të sakta.
“Refuzoj me neveri këtë narrativë që thotë vetëm: vjedhje, vjedhje, vjedhje; korrupsion, korrupsion, korrupsion. Po të ishin të vërteta, nuk do të ndodhnin ndryshimet e mëdha që kanë ndodhur në të gjitha drejtimet”, nënvizoi Rama.

Në mbyllje Rama tha se shpreson që “këto 2–3 muaj do të bëjmë të gjithë gjërat e duhura që të vendosim bazën për fitoren në zgjedhjet e ardhshme”.