Speciale nga Sefer Pasha / Në vargun e krijuesve të bregut të detit të Himarës është dhe poeti universal Fatos Arapi, i cili ka lindur në Zvërnec të Vlorës. Ja amaneti i poetit nga Zvërneci, në poezinë autobiografike, “Ecën nata e Zvërnecit tek unë”: Dhe kur të vdes, s’dua asgjë, veç një varr të thjeshtë, atje në breg të detit. Lumturi tjetër, botës i duhet, dhe më e drejtë dhe më njerëzore… Ishim ne, të djeshmit, të sotmit, të nesërmit… Ishim ne Skënderbeu .
Të parët e mi në Mallakastër kanë punuar si bujq në bregdetin e jugut dhe dasmat hapeshin me këngë të krijuara në fshatrat e bregut të detit. Brigjeve të Himarës ata mësuan dhe shumë këngë. Qysh kur isha i vogël dëgjoja gjyshin të këndonte këngën:- /Kush je ti o Lule – djali?/ Që na vjen nga Shqipëria?/ Unë jam Smail Qemali/ Prapa më vjen historia/. Për shkak të simbolikës po e përmend këtë kënge që në krye të herës se në historiografinë e botës së Ismail Qemalit vetëm këngët e asaj periudhe mbajnë kurorën e artë dhe se aureola e këtyre këngëve shërben si forca tërheqëse e dy poleve, paçka se si në Vlorë dhe Himarë është e njëjta mitologji aristokrate autentike pa ngjyrime të veçanta. Dramaciteti i këtyre këngëve të trondit. Nuk ka piper në këtë qyp me mjaltë. Me forcën e ftohtë sipërore, vidhë pas vidhe, në këtë ese do të merremi me këngët e Himarës dhe ato përqark saj, Agallarët e Himarës dhe të Kaninës i paguanin mirë të parët e mi. Në odën e burrave tregohej dhe një ngjarje e cila u kishte ndodhur bujqve të fshatit tim. Një grup kishte shkuar të korrte elb në Himarë. Ishte zi buke. Bën pazarin me agan e tokës të mbjell me elb. Dhe filluan të korrnin elbin, por qe e pamundur. E gjithë ara ishte e mbushur me ferra. Bujqve ju bën duart me gjak. Dhe ata e lanë punën dhe në hijen e një gorrice ja morën këngës:- /Kush është lule e vilajetit?//Himara në breg të detit/!. Agai himarjot e mori vesh se çfarë ndodhi dhe bujqit e largët i ftoi në konak. Himarjoti i pagoi pa bërë asnjë punë dhe ja mori këngës:- /Bijë Fterre/ Nuse Çorre/ Djalin më të mirë more//Po ç’e do nuk u gëzove/ Nga shkëmbinjtë u lëshove/. Një shoku im i fëminisë Astrit Çelaj banon në Himarë. Babi i tij qe martuar me një minoritare. Punonte në Himarë dhe në Mallakastër. Këto ditë që erdhi Ministri i Mbrojtjes i Greqisë Nikos Dendias çelanjaku qe shumë kureshtar. Vet ministri i grek tha se ai ishte nga Himara. Prejardhja e tij e hershme është Vunoi. Kishte lindur në Korfuz. Kjo është normale u përgjigjem pyetjeve të shumta. Në Vuno ka lindur dhe është vrarë Zaho Koka, i dashuri i Ramize Gjebresë. Në odat e Himarës dhe të gjithë Labërisë këndohej kënga kushtuar Zaho Kokës:- /Bataljonet bëjnë fjalë//Lule Zaho, Lule djalë/ Në Vuno e kanë vrarë/ Vajton nëna me ngadalë/ Mos ma thoni këtë fjalë/ Se Zahon e kam të gjallë/. Në Himarë dhe në të gjithë Labërinë këndohen këngë për dëshmorët e tjerë si Teli Ndni, Kastriot Muço, Shyqyri Alimerko, Fejzo Gjomemaj, Mitat Dauti, Lefter Sallata, Pirro Palla, Fiqiri Muka, Jani Mone, Fadil Dauti. Hajro Çakërri, Hysen Çino, Sulo Didi, Dardan Dajlani dhe trimi nga Gjilani i Kosovës Xheladin Beqiri. Pikërisht për emrin e mirë që gëzonte ky bir i Vunoit emri Zaho është i preferuar në Himarë dhe në të gjithë Labërinë. Edhe një politikan që është njëkohësisht dhe piktor djalit ja vuri emrin Zaho. Nga hulumtimet e shumta del se jeta e himarjotëve është pothuajse biblike ashtu siç u tha që ministri grek i mbrojtjes i kishte rrënjët në Vuno. Njerëzit kanë qenë të lirë. Gruaja e famshme suljote Dhespua ka bërë emër në Greqi. Në librin “Arvanitasit” të Aristidh Kolës në faqen 258 thuhet se “Dhespua nga nëna e saj e kish origjinën nga fisi i Shehëve. Dhe ish Kryeministri i Shqipërisë Mehmet Shehu ish nga kjo farë, pra pasardhës i saj”. Popullata në shekuj ka lëvizur. Toka mbetet aty me historinë e saj. Si tapi mbeten këngët, tregimet, legjendat e baladat. Vetëm shovinistët gërmojnë në varreza të paqena, në enigma piramidash, lumenjsh e detesh. Ata i urrejnë këngët siç janë ato që i kanë krijuar në shekuj himarjotët. Në rininë time kur botoja ndonjë poezi, poeti tragjik nga Çorrajt, Viktor Qurku botoi poemën “Dielli dhe rrëkerat”. Viktori më recitonte këngët e vjetra të cilat këndoheshin dhe në Vunoi. Viktori e kishte pikë të dobët figurën mitologjike të Maro Kondës e cila i shëmbëllente Miro Tërbaçit, që për të marrë hakën e të vëllait të vrarë nga turqit vajti tek berberi dhe i shkurtoi flokët si djalë. Kur takoheshim me poetin tragjik ai ja merrte labçe këngës himarjote të Maro Kondës. – /Turqit përpara ç’i more//S’more një po dy taborre/ Në përrua i lëshove//Gjithë Çorrajt i nderove/. Maro Konda është një figurë mitologjike. Armiqtë e kishin zënë Maron duke mbushur ujë në majat e malit të Çikës dhe i kishin kërkuar të tregonte se ku fshiheshin fshatarët. Marua i tërhoqi në një kthesë dhe i gremisi në një hon. Edhe vet u hodh në hon. Edhe sot i thonë Honi i Maro Kondës. Marua kishte lindur në Fterrë dhe qe martuar në Çorraj. Këngët kushtuar Himarës janë pambarim. Ato që të gjitha fillojnë me vargun “Himarë e zeza Himarë!”. Ja disa nga vargjet:- /Himarë e zeza Himarë/ Prapë e xheshe me Sulltanë/ Qëndro si e ke zananë/. Një këngë e vitit 1930 e krijuar në Qeparo ka ca vargje që i kushtohen kapedanit Spiro Priftit: -/Kapedan o Spiro Prifti/ Në hell të shkoi evgjiti/ Evgjiti Isuf Arapi/ Të pikoi me dhjam cjapi/ Dhjam e dyllë të pikoi/ Po dot besën nuk ta ndërroi/. Këngët e krijuara në Qeparo janë të shumta.- /Pashkë e Krishtit mos ardh’ kurrë/As për turq, as për kaurë/ Se na e bëre detin urë//Korfuz të raftë tërmeti/ Se nga ti na erdhi rënga/ Na e solle hasmin brenda./ Dhe më poshtë thuhet:- /Seç na zuri malli/ Malli na ka marrë//O për vendet tona/Të zezën Himarë/. Të gjitha luftërat shënojnë qartas këngët e lirisë që kanë hyrë në përjetësi e që gëlojnë tragjedicitet si visare të rralla. Assesi ja disa nga vargjet kushtuar heronjve të viseve të jugut si në motërzime në kufirin e mbramë e që janë shëmbëlltyrë e guximit – /Hajredini kalasjot/ Dhe Kumiu i nivicjot./ Stefan Prifti i Shënvasjot//Qesko Hila i lukovjot/ Milo Gjini piqerasjot/ Hodo Beu i borshjot/ Jano Milua himarjot//Kiço Koka nga Vunoi//Spiro Gjik Qeparoi/…………/ Sot t’i gjejmë kararë//Prapë të jemi të pandarë//Si vëllezër shqipëtarë/. Dhe më poshtë një këngë tjetër trimash: -/Vjen hordhia nga Janina//Mbahu o Shahin Bej Delvina//Shahin bej o djalë mbreti/ Ke taraf Bregun e detit/. Në vargun e krijusve të bregut të detit të Himarës është dhe poeti universal Fatos Arapi, i cili ka lindur në Zvërnec të Vlorës. Këtë ai e përshkruan në poezinë autobiografike me titull: – “Ecën nata e Zvërnecit tek unë”, ku midis të tjerave poeti shkruan: -/Ecën nata e Zvërnecit tek unë/ Murmurimë e errët e siluetave të ullinjve/ Kërkon shtegun e humbur ku kaloi dje/. Më poshtë poeti i rrallë thotë se: -/Për ata të panumërtit që emër nuk kanë…../ Që në thirrjen e Gjergjit për lirinë ranë/………./Atdheu është dhimbje, është dhimbje/Një prill i pikëlluar në shpirt/ Atdheu është kryqi, është kryqi/ E mban – dhe të mban ty -në shpirt/. Ja dhe amaneti i poetit nga Zvërneci: -/Dhe kur të vdes//S’dua asgjë//Veç një varr të thjeshtë/…../Atje në breg të detit/ Ku nëpër net//bisedojnë yjet me qeparisat/. Zvërnecasi Fatos Arapi merret me figurën e Skënderbeut, me Vrana Kontin, Moisi Golemin, Lekë Dukagjinin e të tjerë që “ishin kudo, ku ishte rreziku/. Kur përshkruan Skënderbeun poeti shkruan: – /Të tjerët kishin kështjella, principata, ndërsa ai kishte vetëm zëmrën e shpatës. Në këtë optikë të pashoqe këngët e Himarës me dritë të prushtë i këndojnë figurave historike: -/U ngre flamuri në Vlorë/ Fol Ismail Vlora, folë!/……/Fushat me lule//Malet me dëborë//Qaj moj Himarë//Uluri e gjorë/. Në këngën: – “Vajmedet Çika me borë” thuhet:- /Nashti që të erdhi liria//Ti veshe rrobat e zisë//Se të pllakosi Greqia//Në bregdet të Shqipërisë/……./Le ta dinë të gjithë armiqtë/ Dhe Spiro Milo rrufjani/ Se këtu ka zot vatani/. Kënga bën fjalë për shovinistët grek të cilët donin ta shpallnin Himarën si “Eparaqi autonome”…./Përposh deti e sipër mali//Vjen marshalli nga Himara//Në dyqan tek Kiço Sharra//Kapetan o Nase Labi/.[Bëhet fjalë për kapedanin Nase Labin nga Vunoi, i cili nuk u dorëzua dhe armiqtë e vranë. Nga hulumtimet për këngët e Himarës del se shumë këngë janë krijuar në fshatin Qeparo. Ja një këngë e hershme:- /O ju male me dëborë/ Pse s’qani hallet e mija?//Që njeri s’më flet me gojë//Që nuk më do as njerëzia/. Ose: – /O kusure mos u soçi/ U bëfshi sa mos u njofshi/. Shumë këngë fillojnë me fjalën “lule”. Me lulen bëhet krahasimi. Himarjotët siç i thonë në këngën për Zaho Kokën: – / “Lule Zaho, Lule djalë” kështu i thonë dhe Sofo Meksit nga Labova e Gjirokastrës për të cilin Arben Duka ka shkruar një libër. Sofo Meksi u vra 19 vjeç në epopenë e Borshit. Ja dhe kënga e himarjotëve: – /Mu tek Borshi në të dalë//Lule Sofo, Lule djalë/ Seç të ra mortaja pranë/.
Poezia
Ti do të vish
Ti do vish, e dashur, si s’do vish?
Kur e di se unë ty të pres
duke ndjer’ frymëmarrjen e vet mbrëmjes
duke ndjer’ frymëmarrjen e vet pritjes
duke ndjer’ frymëmarrjen e vetmisë
Ti do vish, e dashur, si s’do vish?
Ti do vish, e dashur, si s’do vish?
Kur e di që unë po të mundja,
rreth vetvetes rruzullin do vërtitnja
si një portokall’ në dorën time-
te rrjedhe koha shpejt
…………e ti të vish…




















