Hasan Sevilir Aşan: Dy Qemalë, Ismail Qemali dhe Mustafa Qemali

271
Sigal

Hasan Sevilir Aşan

Ambasador i Republikës së Turqisë në Tiranë (2009-2013)

Dy portrete të varura pranë njëri-tjetrit në një sallë në Tiranë na ngjallën shumë kujtime teksa ndriçojnë historinë e njëqind vjetëve më parë.

Salla e mbledhjeve të Dhomës së Industrisë dhe Tregtisë Shqipëri-Turqi në Tiranë. Biznesmenët shqiptarë dhe turq në takimin nën vëmendjen e liderëve themelues të Shtetit Shqiptar dhe të Republikës së Turqisë.

Luftërat ballkanike

Perandoria Osmane, e cila lulëzoi dhe u zhvillua si shtet ballkanik, pas afro pesë shekujsh , filloi të tërhiqej nga rajoni në fillim të shekullit të kaluar.

Me inkurajimin e Perandorisë Austro-Hungareze dhe të Perandorisë Ruse, në Ballkan shpërthejnë qëndresa për pavarësi dhe lëvizja për krijimin e shteteve kombe.

Tepër i zhgënjyer, Stambolli gjendet në një kaos të gjithanshëm dhe është i paaftë të mbështesë kombet, që kanë ngritur krye ndaj ndarjes imperialiste të territoreve në Ballkan.

Trojet shqiptare, të rrethuara nga të gjitha anët, në çdo çast mund të copëtohen nga Greqia dhe Serbia.

Atdhetarët shqiptarë në shkallë vendi fillojnë një qëndresë mbarëkombëtare kundër pushtimit dhe copëtimit.

Themelimi i shtetit shqiptar

Vlonjati Ismail Qemal Beu për të siguruar pavarësinë në trojet që gjendeshin nën kërcënim serioz të pushtimit, i shoqëruar nga bashkëpunëtorët e tij shpalli Pavarësinë e Shqipërisë më 28 Nëntor 1912.

Në telegramet e tij të para zyrtare, që dërgoi në Stamboll theksohej se shpallja e Pavarësisë ishte një domosdoshmëri.

Ismail Qemali, themeluesi i shtetit modern shqiptar dhe hartuesi  kryesor i Deklaratës së Pavarësisë, ishte kryeministri i parë dhe ministri i jashtëm i Shqipërisë nga viti 1912 deri më 1914.

Por në kushtet kur Konferenca e Londrës, e cila kishte konfirmuar pavarësinë e shtetit shqiptar, të tij, imponoi sjelljen e princit gjerman Vilhelm Vidi në krye të administratës shqiptare, Ismail Qemali e la detyrën e tij në vitin 1914 dhe jetoi në mërgim në Europë deri sa vdiq në Itali më 1919, pikërisht kur Mustafa Qemali marshoi drejt Samsunit.

Ismail Qemali ishte dëshmitar i shpërbërjes së Perandorisë, shtetas i së cilës kishte qenë, por nuk mundi të shikojë themelimin e Republikës së Turqisë, e ngritur mbi rrënojat e Perandorisë.

Ismail Qemali

Nacionalisti shqiptar Ismail Qemali, ashtu si Mustafa Qemali, ishte anëtar i Parlamentit Osman, deputet i Beratit.

Ismail Qemali teksa ndiqte nga Stambolli zhvillimet në Shqipëri u largua në fshehtësi në një anije, në kushte të vështira, me idenë e “krijimit të shtetit”. Pas kontakteve diplomatike dhe peripecive rraskapitëse në kryeqytete të disa vendeve europiane për të përgatitur pavarësinë e atdheut të tij, Ismail Qemali mbërriti në Vlorë dhe shpalli Pavarësinë e Shqipërisë.

Menjëherë pas largimit të Ismail Qemalit nga Stambolli, dënohet në mungesë dhe i konfiskohen të gjitha pasuritë.

Republika e Turqisë

Ka ngjashmëri historike mes shpalljes së Pavarësisë të Shqipërisë si shtet kombëtar dhe krijimit të Republikës së Turqisë.

Të dy kombet krijuan shtete të bazuara në tërësinë tokësore, duke i dhënë përparësi unitetit dhe pavarësisë kombëtare në trojet që ata i konsideronin atdhe përballë pushtuesve.

Në ditët kur Perandoria Osmane nisi të shpërbëhej dhe Anadolli nga të katër anët u pushtua nga Fuqitë e Mëdha, shtatë vjet pas Ismail Qemalit, Mustafa Qemali me idetë e lirisë dhe krijimit të shtetit në mendjen e tij, kaloi me anijen Bandirma nga Stambolli në Anadoll, mbërriti në Samsun më 19 maj 1919. Këtu ai filloi qëndresën kombëtare të cilën e kurorëzoi me shpalljen e Republikës së Turqisë më 29 tetor 1923.

****

Shqipëria fitoi pavarësinë 11 vjet para themelimit të Republikës së Turqisë. Njëqindvjetori i shtetit shqiptar u përkujtua në vitin 2012.

Dy portrete historike të varura në një sallë në Tiranë, na kujtuan fitoret e dy liderëve kombëtarë, që shërbyen në të njëjtin Parlament në fillim të shekullit të kaluar dhe krijuan shtete të pavarura.

Themeluesi i Shtetit Shqiptar, Ismail Qemali dhe themeluesi i Republikës së Turqisë, Mustafa Qemali ndoshta po zhvillojnë një bisedë kuptimplote për vitet e mundimshme të luftërave kombëtare.

Shënim: Ky artikull është botuar në gazetën “Yeni Adana” të datës 22 nëntor 2022