Vangjush Saro: Pajtimi me të keqen, si… arritje

174

“Qytetarëve u kanë ardhur në majë të hundës historitë me përmbytje, me ndërtime pa leje, me ferma droge dhe pastrim parash të pista, vjedhjen e hapësirave publike. Të gjitha këto prapësi e këto akte e delire që sa vjen po bëhen më të pacipa, rëndojnë mbi kurrizin e taksapaguesve.”

Sigal

Këto ditë, për shkak të përmbytjeve në disa zona dhe problemeve të furnizimit me energji elektrike, u shtuan kritikat për qeverinë, kurse kjo nxitoi të mbyste çdolloj kritike. Tash është bërë e modës që për çdo prapësi a zullum të pushtetit, gjenden justifikime dhe ndërmerren kundërsulme; zërat opozitarë dhe ata që formulojnë pakënaqësi, janë objektiv i hakmarrjes dhe sulmeve të propagandës proqeveritare. Merret vesh pse ky zell i egër për të mënjanuar kritikën: pasi e bëjnë baltë gjithandej, pushtetarët befas kujtohen për ta “pastruar” atë. Bie fjala, Kryeministri lajmëroi se qeveria e tij ka konfiskuar ndërtime pa lejë. (“Sot kam firmosur pas kalimit në të gjitha hallkat ligjore, plot 15 procedura konfiskimi ndërtimesh, ku për qëllime fitimi janë tejkaluar kufijtë ligjorë të lejeve ose në disa raste është ndërtuar komplet pa leje fare.”) Etj. Kjo ndodh nën hundët e administratës dhe ndërkohë që (jo vetëm për faj të kësaj qeverie) ndërtimet pa lejë dhe shkatërrimet e infrastrukturës së mëparshme, e varfër por e sigurt, nuk ke nga t’i kapësh më. Por nëse e vë në dukje këtë dukuri, pushteti ta kthen aty për aty me justifikime, në mos zgjat duart të të mbysë. Po, pushteti – në kuptimin më të gjerë të fjalës – është kthyer në njëlloj xhandari që i ka vënë duart në fyt vendit; dhe qytetarët shqiptarë pothuaj janë pajtuar me këtë të keqe. Një pjesë e tyre, sa nga kjo situatë me të cilën nuk përballen dot, sa për arsye ekonomike, marrin rrugët e botës. Të tjerët heshtin dhe vetëm mbushin baret e kafenetë, duke lënë përshtypjen se gjithçka shkon si jo më mirë. Edhe në ndjekshin veprimtaritë soj-soj apo TV-të e anuara, edhe në e kuptofshin falsitetin, nga cilido krah që vjen, e shumta turfullojnë me vete. Dhe kundër çdo turfullimi a kritike, nderet sakaq një vello gënjeshtrash e shtirjesh, thurur me fjalë të bukura për mbrothësi e arritje. Njerëzit që kanë në dorë aktivitetin politik, ekonomik, artistik, me përjashtime të rralla, janë duke e tallur qytetarin. Ata po përfitojnë nga njëlloj stabiliteti i kontrolluar mirë prej partnerëve (që kanë bërë zgjedhjen e tyre për interesat e tyre). Po gënjehet pa pikë turpi jo vetëm për ndërtimet pa lejë dhe… lejen për t’i shumëfishuar kostot e rrugëve, por edhe për inceneratorët dhe të tjera “punë” gjysmake; për abuzimet me taksat e qytetarëve; për pamjen e ngarkuar tejet nga kullat e frikshme dhe trafiku i papërballueshëm; për skandalet e përditshme të zyrtarëve të rangjeve të ndryshme; për investimet në erë: porte, aeroporte; (këto të fundit, një Zot e di sa efikase mund të jenë). Mirëpo, duke mbytur kritikën – paçka se ndonjëherë mund të jetë e tepruar, ndoshta dhe tendecioze – pushteti mbron mosarritjet. Kjo pokeri shkon gjer edhe te disa fusha të artit e kulturës. Janë parë filma që burimin financiar e kanë te buxheti i shtetit apo disa TV që gjithsesi shfrytëzojnë aksesin publik; janë shfaqur dhe nuk kanë pasur ndonjë sukses, për të mos thënë që kanë reflektuar dobësi të mëdha në skenar, regji dhe interpretim. Janë krijime ku kundërvënia ndaj “kohës tjetër” shitet në një dramaturgji të dobët; në to “mizanskena” (mise en scene) është vërtet një “fjalë e huaj”; personazhet (që nuk ngrihen dot në lartësinë e karakterit) thjesht thonë tekstin; loja e tyre është e përciptë, pa asnjëlloj veçanësie; ata nuk ndjekin (profesionalisht) partnerin, nuk njihet pauza dhe loja në pauzë; nuk vlerësohet si duhet gjestikulacioni; nuk ka kurrfarë suspansi, aktet ndjekin njëri-tjetrin në një rëndomtësi pothuaj amatore. E gjithë kjo sjell zhgënjimin e spektatorit, si dhe mosballafaqimin me tregun dhe mendimin estetik. Por nëse formulohen kritika, ja tek gjenden sakaq njerëzit e pushtetit, ndonjëherë edhe snobë gjithfarë, që marrin në mbrojtje çdolloj dështimi. E njëjta gjë mund të vërehet në fushën e botimeve. Janë vetëm dy-tre shtëpi botuese që prej vitesh “bëjnë ligjin”, diktojnë dhe ngrehin buste të rreme, kanë në dorë edhe shoqatat edhe lidhjet me instancat shtetërore, manipulojnë çmimet dhe çdolloj projekti letrar. Nga njëra anë (kinse me shqetësim) pohojnë se nuk lexohet, se ka rënë interesi për librin dhe, nga ana tjetër, në mënyrën më cinike i japin dorën mediokritetit, tallen me besimin e shtetit për të përkthyer ndonjë libër (të cilësuar) në gjuhë të huaj, duke ua dhënë këtë të drejtë… vetëm klientëve të tyre, miqve të afërt, shpesh letrarë amatorë për krijimtarinë e të cilëve pa le a ka ndonjë shënim letrar, për të mos folur për ftohtësinë me të cilën i përcjell lexuesi. (Ndër çmimet e dhëna së fundmi në Panairin e Librit – gjithnjë brenda klientelës së atyre dy-tre shtëpive botuese – diku, në motivacion, pothuaj pohohet se nuk kemi të bëjmë me letërsi, por është… afër letërsisë dhe… bën shumë mirë për shkollat; nënkupto: t’i hapet drita jeshile për t’u shitur. Çfarë bufonade!)

“Ky zell i egër për të mënjanuar kritikën: pasi e bëjnë baltë gjithandej, pushtetarët befas kujtohen për ta “pastruar” atë. Bie fjala, Kryeministri lajmëroi se qeveria e tij ka konfiskuar ndërtime pa leje, kur ndërtohen nën hundët e administratës”

Por në çdo rast, nëse formulon një kritikë, pushteti është gati ta mbysë atë; snobët që i lëpihen pushtetit, gjithashtu hedhin shashka ‘tymuese’. Madje ka njerëz në administratë dhe te entet në fjalë, që ua bëjnë gropën kritikuesve, i mbajnë ata larg çdo vlerësimi a favori; ja kjo është një pjesë e hidhur e realitetit edhe në këto fusha. Qytetarëve u kanë ardhur në majë të hundës historitë me përmbytje, me ndërtime pa lejë, me ferma droge dhe pastrim parash të pista, me mungesën e kontrollit mbi territorin, me vjedhjen e hapësirave publike, por edhe me përgjërimin hipokrit për mjedisin, për letërsi e filma pa publik. Të gjitha këto prapësi e padrejtësi, këto akte e delire, që sa vjen po bëhen më të pacipa, rëndojnë mbi kurrizin e taksapaguesve. Dhe heshtja e tyre për këtë tablo problematike, vit pas viti, dekadë pas dekade, mbetet… e vetmja arritje. Në fakt, është një mendësi që po raskapit vendin dhe njerëzit. Nuk ka më zi se sa të pajtohesh me të keqen, të ulësh kokën ndaj saj, të mos flasësh, të mos dallosh asnjëlloj gjurme të pranisë qytetare mbi institucionet dhe dukuritë. Realisht nuk bëhet fjalë për kode besimi në këtë jetë, ndërkohë që institucionet e kontrollit, sindikatat, shoqatat e mjedisit, ato të gazetarëve, shkrimtarëve e kineastëve, janë krejt amorfe, nuk u dëgjohet zëri, pa le më të përfaqësojnë një shtresë a një komunitet e të ndryshojnë ndonjë gjë nësa u cek më lart.  Në këtë kalvar tranzicioni e nën këtë pushtet mashtruesish gjithfarë, që hidhen përpjetë pas çdo kritike, më i pari vetë Kryeministri, jeta i nënshtrohet vullnetit dhe veseve të politikës e të administratës, mbase edhe të (pak) enteve të tjera që, siç u tha, u vijnë atyre anës duke përfituar ç’të mundin. Falsiteti është bërë një gjë e zakontë dhe po gërryen gjithçka; më së pari besimin e qytetarëve se mund të kenë ndonjëherë një shtet ku të përfillen rregullat dhe jo justifikimet, ku të respektohen vlerat e parimet dhe jo puthadorët, ku të projektohet imazhi i së nesërmes në dritë dhe jo duke bërë hile e duke mbytur kritikën.