Agron Kaja: HISTORI SPORTIVE/ Më 25 nëntor 2022, FK Tomori feston përvjetorin e fundit në prag të një shekulli të krijimit të tij

172

Futbolli beratas në 99 vite histori, ulje e ngjitje dhe suksese

Sigal

“Në këto 99 vite rrugëtim që janë shoqëruar me ulje e ngjitje dhe suksese, FK Tomori është kthyer në një simbol të qytetit të gurtë njësoj si Kalaja, lumi Osum, mali i Tomorit apo edhe pasuritë e tjera me histori të hershme dhe aktuale”

 

Për popullin shqiptar, gjatë muajit nëntor datojnë disa festa historike të rëndësishme, ndërkohë që në Berat ky muaj ka vlera të mëdha edhe në aspektin sportive, pasi FK Tomori feston krijimin e tij, pikërisht më 25 Nëntor 1923. Pra, 99 vite më parë është zyrtarizuar topkëmba beratase, edhe pse futbolli në këtë qytet kishte nisur të luhej që në vitin 1913. Pas disa aktiviteteve të zhvilluara me shoqëritë e qyteteve të tjera, Tomori siguroi pjesëmarrjen në të parin Kampionat Kombëtar në vitin 1930 duke e nisur nga Kategoria e Dytë, të cilën e mbylli si kampion. Ndërsa sezonin e parë në ish-Kategorinë e Parë (sot Abissnet Superiore) e zhvilloi pikërisht në Kampionatin e dytë Kombëtar, në vitin 1931. Dhe në këto 99 vite rrugëtim që janë shoqëruar me ulje e ngjitje dhe suksese, FK Tomori është kthyer në një simbol të qytetit të gurtë njësoj si Kalaja, lumi Osum, mali i Tomorit apo edhe pasuritë e tjera me histori të hershme dhe aktuale.

Në këtë hapësirë gati shekullore, Tomori ka marrë pjesë 44 herë në ish-Kategorinë e Parë (Sot Abissnet Superiore), 36 herë në ish-Kategorinë e Dytë (sot Kategoria e Parë) dhe 4 herë në ish-Kategorinë e Tretë (sot Kategoria e Dytë). Ka luajtur në 71 edicione të Kupës së Shqipërisë dhe ka dalë një herë në finale në vitin 1964 (Partizani-Tomori 3-0). Në këto pjesëmarrje, Tomori ka fituar 4 herë kampionatin në ish-Kategoria e Parë (sot Kategoria e Dytë), ka fituar 1 herë kampionatin në ish-Kategoria e Dytë (sot Kategoria e Tretë) dhe arritjen më të madhe e ka shënuar në sezonin 1999-2000 në kampionatin e ish-Kategorisë së Parë (sot Abissnet Superiore), ku u shpall nënkampion (Tirana-Tomori 1-1, 5-4 me penallti). Duke marrë pjesë edhe në Kupën UEFA dhe në Kupën Ballkanike, skuadra beratase e ka kompletuar “dosjen” e saj historike, për të ardhur në këtë 99 vjetor të krijimit si skuadër pjesëmarrëse në Kategorinë e Parë.

Por në këto arritje, te Tomori veçohen edhe pesë “Këpuca e Artë” (golashënues më të mirë), me Përparim Kovaçin, Arben Arbrin, Kliton Bozgon, Altin Çukon dhe Klodian Arbrin. Ndërsa në këtë histori janë edhe nëntë futbollistë të Tomorit që e kanë veshur fanelën e Kombëtares, nisur nga Anton Zaho, Astrit Ziu, Kiço Mile, Arben Arbri, Dashnor Dume, Kliton Bozgo, Emiliano Veliaj, Myrto Uzuni dhe Eneo Bitri. Vlerat shekullore të futbollit në qytetin 2420 vjeçar përshkruhen me detaje e statistika edhe në faqet e librit historik të titulluar “Rrugëtimi shekullor i Tomorit”, dhe e gjithë kjo histori është e përfaqësuar nga qindra emra që e kanë veshur fanelën e Tomorit si beratas dhe jo beratas, të huaj dhe të rinj, të cilët në fushën e lojës janë drejtuar nga 41 trajnerë. Por që arritja më e madhe mbetet ajo e sezonit 1999-2000 si nënkampionë dhe pjesëmarrës në Kupën UEFA, ku në bankinë ishte Mjeshtri i Sportit, Kiço Mile.

Nga viti 1923 e deri më sot, janë disa beratas që kanë shënuar emrin në këtë histori si donatorë e Presidentë të klubit, duke i dhënë skuadrës përkrahjen e ndihmën që ritmika e topkëmbës së Tomorit të ishte në nivelet më të mira të çdo periudhe. Ndërsa ky 99 vjetor (25 nëntor 2022) i sjell qytetarisë dhe tifozerisë të veçantë beratase atmosferën e një rrugëtimi që duhet respektuar brez pas brezi.

Në foto: Tomori nënkampion, sezoni 1999-2000

Stema e flamuri i klubit, ndryshimet dhe realiteti në një shekull

STEMA

Në nëntorin e vitit 1998, në kuadrin e 75-vjetorit të krijimit të FK Tomori u miratua stema e re e FK Tomori, dhe në po atë vit u zyrtarizua edhe në FSHF. Kjo stemë e re u stampua në fanelat e skuadrës në të gjitha nivelet e përfaqësimit të futbollit të Tomorit dhe hyri edhe në tregun mediatik. Stema e vitit 1998 sjell brenda saj kalanë, malin e Tomorit, lumin Osum, vitin e themelimit të klubit dhe në trupin e tij ka shkronjën “T”, asete që futbolli beratas i përmbledh në gjithë këtë histori shekullore. Ngjyrat janë interpretuar për të qenë brenda koloritit të fanelave tradicionale që skuadra e Tomorit ka mbajtur në vite (e bardhë, e kuqe dhe jeshile).

FLAMURI

Paralelisht me stemën, FK Tomori ka riformatuar edhe flamurin e tij sportiv, duke u bërë kështu “binjaku” paralel me stemën. Tradicionalisht Tomori ka patur flamurin e tij sportiv, por ndryshimi në vitin 1998 i solli më pranë të gjitha astetet që Berati ka patur dhe ka në historinë e tij sportive shekullore. Flamuri është paraqitur në pak raste, madje ato kanë qenë të pakta, por edhe ai është i ndërtuar në formën e një trekëndëshi ku në trupin e tij ka shkronjën “T”. Brenda saj është shkruajtur viti i themelimit të klubit (1923) dhe në në krye është në formën e malit dhe bedenave të kalasë, me dy rrjedhat e lumit Usum.

Stadiumi “Tomori” dje dhe sot

Që nga krijimi i tij në nëntorin e vitit 1923 e deri në muajin maj të vitit 1985, Tomori i ka luajtur të gjitha ndeshjet e tij zyrtare dhe miqësore tek fusha në stadiumin e vjetër. Por pas 62 viteve u ndërtua stadiumi “Tomori”, ku në ditën e përurimit të tij më 15 maj 1985 prania e qytetarisë beratase në stadium e më gjerë i ka arritur 16.500. Në atë ndeshje përuruese me Kombëtaren e Shqipërisë, Tomori fitoi me rezultatin 3-1 me golat e Përparim Kovaçit, Kiço Miles dhe të Theodhori Arbrit. Ky stadium që ka një kapacitet zyrtar prej 13.350 vende të ulura dhe një tribunë me 150 vende, e gjithësej ka 13.500 vende. Por në 37 vite ai është shfrytëzuar maksimalisht dhe nuk është vënë dorë, veç fushës, duke e bërë amortizimin vit pas viti më të dukshëm. Gjithsesi, ai mbetet plot hijeshi kur Tomori përgatitet dhe luan aty zyrtarisht.

KATAR 2022/ Në pesë ditët e para ka befasi, rezultate interesante dhe lojtarë “big”

FIFA “hap thesin” në “Katar 2022”

Botërori i Katarit do të jetë edicioni më i pasur në histori, pasi FIFA do tu shpërndajë 440 milionë dollarë federatave pjesëmarrëse, 20% më e lartë se në “Rusia 2018”. Kombëtarja që fiton Kupën e Botës do arkëtojë 42 milionë dollarë, i dyti fiton 30 milionë dollarë, 27 milionë dollarë vendi i tretë dhe 25 milionë vendi i katërt. Në 1/16 do të marrin 13 milionë, 17 për çerekfinalistët, ekipet pjesëmarrës do të marrin nga 1.5 milionë dollarë. Do të jepen çmime: “Këpuca e Artë”, “Topi i Artë”, “Doreza e Artë”, lojtari i ri më i mirë, skuadra ‘All-Star’. 209 milionë dollarë janë për klubet që kanë lojtarët e tyre në kombëtaret përkatëse.

Botërori “dimëror” po ngroh atmosferën sportive

Nga Agron KAJA

 

Historia

Ndryshe nga historia e tij që nga starti i parë në vitin 1930, për herë të parë Kampionati Botëror i 22-të i futbollit po zhvillohet në stinën e dimrit. Por historia e Kampionatit Botëror nis në vitin 1930 në Uruguaj ku vëndasit e fituan atë duke shënuar emrin e parë në këtë histori fituesish, ndërsa në vitin 1934 u mbajt në Itali dhe ata u shpallën kampionë. Në vitin 1938 në Francë fitoi Italia, ndërsa në vitet 1942 dhe 1946 nuk u zhvilluan për shkak të Luftës së Dytë Botërore. Në 1950 u luajt në Brazil dhe kampion u shpall Uruguaj, në vitin 1954 u luajt në Zvicër dhe kampione u shpall Gjermania Perëndimore, në vitin 1958 u luajt në Suedi dhe fitues ishte Brazili, në vitin 1962 u luajt në Kili ku fitues përsëri ishte Brazili, në vitin 1966 u luajt në Angli ku fitues ishin vet anglezët, në vitin 1970 në Meksikë fitues ishte Brazili, vitin 1974 u mbajt në Gjermaninë Perëndimore të cilët edhe e fituan turneun, në 1978 u luajt në Argjentinë. Në vitin 1982 u luajt në Spanjë dhe fitoi Italia, në vitin 1986 u luajt në Meksikë dhe fitoi Argjentina, në vitin 1990 u luajt në Itali ku kampione u shpall Gjermania Perëndimore, në vitin1994 u luajt në SHBA dhe kampion u shpall Brazili, në 1998 u luajt në Francë e cila fitoi edhe titullin kampion, në 2002 u luajt në Korenë e Jugut dhe Japoni e fitues ishte Brazili, në 2006 u luajt në Gjermani dhe fituese ishte Italia, në vitin 2010 u luajt në Afrikën e Jugut dhe kampion u shpall Spanja, në vitin 2014 në Brazil fituese ishte Gjermania, në vitin 2018 u luajt në Rusi ku fituese u shpall Franca. Deri në vitin 2019 ishin luajtur 21 Kupa të Botës së FIFA-s.

Aktualiteti

Që nga starti më 20 nëntor, në katër ditë, mes rezultateve që janë arritur në 16 ndeshjet e luajtura të Kampionatit të 22-të Botëror të Futbolli, janë disa të veçanta që e bëjnë edhe më interesant këtë event. Dhe ndër to veçohen dëmtimi i rëndë në kokë i portierit të Iranit gjatë sfidës me Anglinë. Ndërkohë që iranianët heshtën dhe nuk e kënduan himnin kombëtar në shenjë proteste ndaj qeverisë së tyre pas ngjarjeve të fundit që kanë ndodhur në shtetin e tyre. Në ndeshjen e të parë të SHBA ndaj Uellsit shënoi Timoti Ueah, i cili është djali i ish-sulmuesit të famshëm liberian, Xhorxh Ueah, i vetmi afrikan fitues i “Topit të Artë”. Surpriza e parë në Botëror mban emrin e Arabisë Saudite, të cilët bënë përmbysjen e çmendur ndaj Argjentinës për 5 minuta duke shënuar dy golat e fitores. Ndërsa zhgënjimi i dytë është Gjermania që në ndeshjen e parë të Botërorit humbi 1-2 me Japoninë. Nga ana e saj, Holanda siguroi fitoren 2-0 me Senegalin me dy gola të shënuar në harkun e 5 minutave në fundin e ndeshjes, ndërsa Franca u argëtua në fitoren ndaj Asustralisë. Jo pak e dukshme mbetet penalltia e humbur e Levandovskit ndaj Meksikës, i cili morri “goditjen” e parë si “big” në këtë Botëror. Nga ana tjetër duhet thënë se sistemi VAR (Video Asistent Refere) ka “displinuar” gabimet e arbitrave gjatë lojës, duke anuluar disa prej tyre, madje edhe gola përcaktues në rezultate.

Më 25 nëntor nisin ndeshjet e dyta në grupe, ku spikasin tre takime nga të cilat mundet që dy-tre skuadra të sigurojnë kualifikimin.

32 skuadra

Në Kupën e Botës “Katar 2022” marrin pjesë 32 skuadra: 14 nga Europa, 4 nga Amerika e Jugut, 4 Amerika e Veriut, 5 nga Azia, 5 nga Afrika

2 shqiptarë

Granit Xhaka dhe Xherdan Shaqiri janë dy futbollistët me origjinë shqiptare që marrin pjesë në “Katar 2022”, si përfaqësues të Zvicrës

Fituesit e Kampionateve Botërorë

Kampionati Botëror i Futbollit (original quhet FIFA Ëorld Cup) organizohet dhe mbahet nga FIFA që nga viti 1930. Në 21 Kampionatet e luajtura në periudhën 1930-2018 kanë dalë fituese 8 skuadra, ku Brazili e ka fituar 5 herë, Gjermania dhe Italia me nga 4 herë. Pas tyre vijnë Argjentina, Franca dhe Uruguai me nga 2 herë, ndërsa Spanja është fituese vetëm 1 herë. Ndërkohë, nga data 20 nëntor ka nisur të luhet në shtetin e Katarit kampionati i 22-të, i cili e ul siparin më 18 dhejtor me ndeshjen finale.

Skuadrat fituese

Viti      Skuadra         Herë

1930    Uruguai           (1)

1934    Italia                (1)

1938    Italia                (2)

1950    Uruguai           (2)

1954    Gjermania       (1)

1958    Brazili (1)

1962    Brazili (2)

1966    Anglia (1)

1970    Brazili (3)

1974    Gjermania       (2)

1978    Argjentina       (1)

1982    Italia                (3)

1986    Argjentina       (2)

1990    Gjermania       (3)

1994    Brazili (4)

1998    Franca (1)

2002    Brazili (5)

2006    Italia                (4)

2010    Spanja (1)

2014    Gjermania       (4)

2018    Franca             (2)

2022    ?

 

Ndeshjet e luajtura

Datë 20 nëntor 2022

Grupi A

Katar-Ekuador            0-2

Datë 21 nëntor 2022

Grupi A

Senegal-Holandë                     0-2

Grupi B

Angli-Iran                               6-2

SHBA-Uells                            1-1

Datë 22 nëntor 2022

Grupi C

Argjentinë-A. Saudite             1-2

Meksikë-Poloni                       0-0

Grupi D

Danimarkë-Tunizi                   0-0

Francë-Australi                       4-1

Datë 23 nëntor 2022

Grupi E

Gjermani-Japoni                      1-2

Spanjë-Kosta Rika                  7-0

Grupi F

Marok-Kroaci              0-0

Belgjikë-Kanada                     1-0

Datë 24 nëntor 2022

Grupi G                                                               

Zvicër-Kamerun                      1-0

Brazil-Serbi

Grupi H

Uruguaj-Korea Jugut               0-0

Portugali-Ganë

Më 25 nëntor 2022

Katar-Senegal             14:00

Holandë-Ekuador                   17:00

Grupi B

Uells-Iran                                11:00

Angli-SHBA               20:00

Të veçanta para startit

Më parë, shteti i Katarit si organizator kishte vendosur që tifozët të mos pinin birra tre orë para dhe tre orë pas ndeshjes, vendim që ka shkaktuar shumë polemika nga tifozeritë që tashmë e kanë “pushtuar” Katarin në këto ditë. Njëherësh, nuk lejohet që kapitenët e skuadrave të mbajnë shiritat në krah “On Love” me ngjyrat e LGBT. Ndërkohë që trajneri i Zvicrës, Luis Van Gal, hyn në historinë e Kampionateve Botërore duke u bërë trajneri i tretë më i vjetër që ka udhëhequr një përfaqësuese. Me 71 vjet e 105 ditë, holandezi renditet pas Oskar Tabarez me 71 vjet e 125 ditë dhe gjermanit Oto Rehagel me 71 vjet e 317 ditë.