Gëzim Zilja/ Zoti Kryeministër: Mos e kthe Vlorën në depo karburanti për Ballkanin Perëndimor

160

“Bregdeti i Zvërnecit dhe Nartës do të kthehet në një varr të turizmit për gjithë banorët e asaj zone dhe gjithë Gjirin e Vlorës. Anijet cisterna gjigande do të zbrazen në Triport, dhe TEC-et që djegin çdo ditë mijëra ton naftë, duke shpërndarë në hapësirë helm, që do ngordh çdo gjallesë”

Sigal

Është duke u jetësuar plani i KM-së dhe zv/KM-së Belinda Balluku, për të kthyer Vlorën dhe bregdetin e Zvërnecit në një depo gjigande karburantesh për furnizimin e gjithë Ballkanit Perëndimor deri në Hungari. Do të ngrihen njëkohësisht disa TEC-e dhe impiante të përpunimit të naftës së rëndë. Kjo do të thotë që gjithë bregdeti i Zvërnecit dhe Nartës në vend të kthehet në një parajsë turistike, do të kthehet në një varr të turizmit për gjithë banorët e asaj zone dhe gjithë Gjirin e Vlorës. Imagjinoni anije cisterna gjigande që pllakosin detin, e do të zbrazen në Triport, dhjetëra trena dhe autobote gjigandë që lëvizin çdo ditë, mbi shina e rrugë, impiantet e përpunimit të naftës dhe TEC-et që djegin çdo ditë mijëra ton naftë, duke shpërndarë në hapësirë helm, që ngordh çdo gjallesë, bimë, kafshë apo shpend, tubacione mijëra metërshe që mbushin, zbrazin, transportojnë, oxhaqe që tymosin mijëra tonelata gaz CO2 në ditë etj, etj. Kam folur për TEC-et lundrues të Bangladeshit dhe deklaratën foshnjarake të Ballukut se: “Këto TEC-e i ka kërkuar Gjermania me çmime më të larta, por Amerika na favorizoi ne duke na i dhënë me çmim edhe më të ulët.” Kjo deklaratë u bë brenda TEC-it lundrues, një grumbull hekurishtesh që shfryn nga të gjitha anët, (do ta shihni po u vunë në punë) në prani të ambasadores amerikane, që dihet pse ishte atje, duke dëgjuar broçkullat e Ballukut.

“Dy TEC-et lundruese sipas Ballukut do të mbulojnë 15% të konsumit të energjisë të nevojave të Shqipërisë. Specialistët, në bazë të të dhënave që zotërojnë deklarojnë se të dy TEC-et me kapacitetet e tyre nuk mbulojnë as 8% të konsumit të energjisë. Dy termocentralet lundruese janë marrë me qira për një periudhë dy-vjeçare nga KESH me një faturë prej 336 milion euro”

Veç kësaj për të realizuar ato që thamë më lart duhet të qethet e rruhet alla Rilindje, një sipërfaqe prej 200 (dyqind) hektarësh pyll (2.000.000m2) pishash, që bëjnë pjesë në mushkëritë e Vlorës. Me gjithë kërkesat e vazhdueshme nga shoqata dhe individë të ndryshëm për bërjen publike të marrëveshjeve për TEC-et, terminalet, e impiantet e përpunimit të naftës nga ministritë përkatëse, duke përfshirë edhe atë të mjedisit, nuk ka asnjë publikim ose përgjigje. Le të argumentojmë:

E para: më 29 korrik të këtij viti Balluku deklaroi: “Të dy TEC-et lundruese janë të pajisura me certifikatën e Bankës Botërore për të sqaruar edhe publikun, sa i përket ndotjes ambientale, pra plotësojnë të gjitha kushtet sipas kritereve të BB-së.” Në përgjigjen që i dha organizatës Faktoje.al  (certifikuar  nga Rrjeti Ndërkombëtar i Verifikimit të Fakteve,) Emanuel Salinas, menaxheri i Bankës Botërore  për Shqipërinë përgënjeshtroi (Tetor 2022) Ballukun duke pohuar “se Banka Botërore nuk certifikon këto objekte në asnjë vend të botës.” Pra ministrja gënjeu ditën për diell popullin shqiptar.

E dyta: Ekspertët shqiptarë të mjedisit (qeveria nuk  i ka fare në llogari) por edhe ata të huaj dalin në të njejtat përfundime se: “Djegia e afërsisht 200.000 (dyqindmijë)  ton naftë në vit që harxhojnë TEC-et lundruese çlirojnë një sasi të tillë CO2 sa do të nevojiten 200.000 (dyqindmijë) hektarë pyje (investim prej 1 miliard euro, për të mbjellë ato pyje).” ta përthithin sasinë e bioksidit të karbonit, që çlirohet nga djegia.”

E treta: Është e mundur (ka ndodhur) që në këto lloj TEC-esh lundrues të prodhuar 40 (dyzetë) vite më parë të ndodhin parregullsi ose aksidente dhe nafta e rëndë të derdhet në det? Në rast të një katastrofeje të tillë, flora dhe fauna detare asgjësohet plotësisht, Gjiri i Vlorës mund të vijë në gjendje normale pas 28 vjetësh.

E katërta Dy TEC-et lundruese sipas Ballukut do të mbulojnë 15% të konsumit të energjisë të nevojave të Shqipërisë. Si e nxorri këtë shifër? Specialistët, në bazë të të dhënave që zotërojnë deklarojnë se të dy TEC-et me kapacitetet e tyre nuk mbulojnë as 8% të konsumit të energjisë që harxhohet në Shqipëri. E vërtetë deri tani është që dy termocentralet lundruese janë marrë me qira për një periudhë dy-vjeçare nga Korporata Elektroenergjitike Shqiptare (KESH) me një faturë prej 336 milion euro.

Gjithë këtë lumë gënjeshtrash e zbukuroi KM-ja në intervistën e fundit dhënë Blendi Fevziut se: “ TEC-et lundruese do të punojnë me gaz të lëngët.” Pse të mos gënjejë Belinda, kur kryeministri e bën këtë me lehtësinë me të cilën ngjyros muret e zyrave e fasadat e pallateve? Kjo është gënjeshtër e madhe e një kryeministri të papërgjegjshëm. Sipas specialistëve që po punojnë për vënien në punë të TEC-ve, lënda e parë do të jetë naftë e rëndë ose mazut.

Së fundmi: Shqipëria është vend i vogël dhe i ka shumë të kufizuara hapësirat tokësore dhe detare. Si mund të kthehen 2.000.000 m2 tokë bregdetare, kryesisht pyll, në depo e impiante përpunimi karburantesh ( pa llogaritur sipërfaqen detare dhe ndotjen e saj) për gjithë Ballkanin, kur vet Zoti i ka krijuar e bekuar ato vende për turizëm!? Kjo është gjëma më e madhe që do i bëhet Vlorës! Nëqoftëse ndodh: Lamtumirë Vlora e ëndërrave turistike! Mallkuar qofshi ju që po u shisni Vlorën pushtuesve dhe shkatërrimtarëve të bregdetit shqiptar, qofshi dhe amerikanë! Paskëtaj drita e diellit do të zbehet nën tymin e teceve e uzinave të përpunimit të naftës, fije bari e gjethe rrushi nuk ka për të mbirë më andej, e peshqit do të migrojnë në dete të tjera.