Prof. Zamira Çavo: Sa të poltizuar e kemi shpirtin

Mjeksinë nuk e bëjnë muret e ndërtesave të bukura të spitaleve, por e bëjnë mjekët e kualifikuar, aparaturat moderne dhe medikamentet e fundit e jo të para 30 viteve! Shteti është shtet për të ndihmuar PUBLIKEN dhe jo privaten.

Së pari uroj rikuperim sa më të shpejtë Gencit dhe Enit një durim të shtuar, sepse beteja sapo ka nisur. Çfarë më ka bërë përshtypje në këtë histori që duket se do zgjasë më shumë se sa ndonjë skandal politik.

-Thirrja dëshpëruese e Enit në facebook është dëshmi e jetës tejet të varfër, që bën edhe ajo pjesë e shoqërisë që quhet “e mesme”. Mendoni ata që quhen të varfër! Pra në një vend ku çirremi se kemi mjekësi falas, nuk arrijmë dot të shpëtojmë jetët tona!
-Shpirti sodilar i shqiptarit nuk ka vdekur. Fakti e tregoi. E ka treguar edhe herë të tjera. Po ky shpirt nuk mbahet dot gjallë në këtë mënyrë. Ai do ushqyer me mirënjohje kolektive, mediatike e politike.

NOA

-Edhe ky rast vërtetoi për të mijtën herë sesa të politizuar e kemi shpirtin dhe sa të pashpirt tregohen disa pikërisht për shkak të këtij politizimi ekstrem. Kam lexuar me dhjetra komente që pas “dhimbjes” për ngjarjen e “akuzojnë” Gencin se paska përkrahur Edi Ramën! Dhe në fund i bëjnë thirrje që “të ketë nxjerrë mësime” nga ç’ka ndodhi! Po kështu kam parë me dhjetra komente, që turren kundër mjekes Mira Rakacolli sepse shteti i paska akorduar 30 mijë euro për t’u kuruar! Ama askush nuk “kujtohet” se sa njerëz ka shpëtuar kjo mjeke që sot ka nevojë për ndihmë. Ama jo, militantët e shikojnë thjesht si përfaqësuese qeverie.

– Shteti i akordoi 20 mijë eurot, që duheshin për Gencin. Shumë mirë bëri. Po sa shqiptarë kanë nevojë për mbështetje të tilla? A e ka në dorë shteti t’i ndihmojë kështu të gjithë? Apo disa të nënës e disa të njerkës? Shteti ka mundësi, madje ka shumë mundësi t’i ndihmojë të gjithë. Si? Duke investuar në aparatura, në medikamente, në aftësime profesionale. Kjo është reforma, sepse mjekësinë nuk e bëjnë muret e ndërtesave të bukura të spitaleve, por e bëjnë mjekët e kualifikuar, aparaturat moderne dhe medikamentet e fundit e jo të para 30 viteve! Shteti është shtet për të ndihmuar PUBLIKEN dhe jo privaten. Ndryshe përse e duan qytetarët!

-Dhe së fundi. Aktet e bamirësisë janë akte të shpirtit e jo të mediave. Nuk e kuptoj përse listohen emrat dhe shumat e atyre që dhuruan me zemër të pastër për të dhënë sado pak një kontribut. Qoftë ky edhe modest!