Zaim KUÇI/ Shqipëri dhe SHBA, ëndrra shekullore

Herët në fillimet e demokracisë shqiptare, kudo e tek të gjithë ishte dëshira për të kapur atë kohë të humbur nga sistemi komunist, apo të shumëmenduarën parajsën e munguar, e cila pritej nga ata të përtej detit – amerikanët. Ishte kjo ndjenjë amerikane që ngrohte shqiptarët për diçka më të mirë dhe vetvetiu krijuam sloganin “ta duam Shqipërinë si shqiptarët duan Amerikën”.

A thua se shqiptarët e kanë ditur që vetë presidenti Uashington thuhet ta ketë lënë një letër-amanet për mbrojtjen e shqiptarëve nga Amerika në çdo kohë dhe në çdo mënyrë. U krijua një atmosferë optimizmi nga të gjithë aq sa regjimi i asaj kohe u shkërmoq (në fakt ndërroi ngjyrë) shpejt, qetësisht dhe ishim të gjithë në shpresën për të kapur lugën e florinjtë.

NOA

U nisëm drejt ëndrrës perëndimore me një thes hallesh mbi shpinë që edhe pse kanë kaluar shumë vite jo vetëm nuk kemi mundur ta zbresim nga kurrizi i tejpërkulur, por e kemi shtuar më shumë. Ato janë të thella, të shkaktuara dhe i shkaktuam në gjerësinë e gjithfarë llojeve, nga ekonomike e deri në kriza të thella në familje dhe në shoqëri. U lodhëm duke pritur perëndimorët të na lehtësonin hallet, dhe nuk munguan leksionet se si të “flisnim” gjuhën tonë shqipen, duke mos kuptuar se ne nuk vinim nga stepat afrikane…

Kjo është Shqipëria, e shumë përfolura, e shumë shkruara, e shumë keqpërdorura e shumë e shumë të tjera….por unë në këtë shkrim disi ndryshe do rrëfehem për disa mbresa, opinione të përziera me një fenomen real, të ndodhura, disi dhe bizare, por që realisht plotësojnë të përditshmen shqiptare…

Një vit më parë, në dosjen e mësimit të dorës për të shkruar shqip, gjeta një kartolinë të çuditshme shkruar nga dora e një Kaltrine 6 -vjeçare. Më konkretisht, përmbajtja e kësaj kartoline prekëse aspak të sajuar dhe të mësuar nga dikush tjetër mbante diçiturën: të lutem o vit i ri 2013, dua një babagjysh që të më sjell dhurata, po “babagjysh amerikan aman…”.

***

E dhimbshme…Por nuk ndalet këtu kjo kërkesë e dëshirueshme shqiptare. Në kohë dhe në rrethana të ndryshme më janë ngulitur si gozhdë në memorie, copëza revolte shqiptare. Një ditë u ndesha me një dialog me dialekt verior në një institucion shtetëror për problem tapie a kush e di se çfarë. I revoltuar del nga një zyrë një burrë i shkurtër, i shkuar në moshë, i ndjekur nga djali i tij me fjalët: “dëgjo bir, nuk zgjidhet kjo punë, e kam menduar, do t’i shkruajmë Arvizusë, hajde shpejt t’i dërgojmë një letër”. Djali me një fare ndrojtje nga autoriteti i të atit i thotë: “nuk bëhet kjo punë, do takojmë filanin.. Berishën tonë…Jo mo jo Arvizun, vazhdonte i revoltuar personi i pakënaqur. U afrova dhe i them: “me fal po kush është ky Arvizu? Drejtori i Përgjithshëm? Se edhe unë kam të njëjtin problem, më duket, si ju. Më drejtohet, ti tallesh, si nuk e njeh, është amerikan, vetëm ai të zgjidh problemet. Ku jeton ti more, mos u tall se po më digjet koka. Jo po, nëse të zgjidh problemin unë mund të ndihmojë për ta shkruar në anglisht se jam mësues anglishte, për ta zbutur vijova lojën, ta përkthej pa lekë. I qetësuar më thotë: të gjithë kur kanë halle i drejtohen atij. Ke parë ti që vet Sala i drejtohet atij kur ka problem me Ramën. Edhe Bamiri kur ishte president, Ina kur ishte prokurore e përgjithshme, edhe Rama vet kur iu vodhën votat. Të gjithë atje shkojnë. E përshëndes dhe i them, keni të drejtë dhe largohem…duket se barometri i shtetit shqiptar shikohet apo vlerësohet tek sjellja amerikane.

Vijojnë histori të çuditshme shqiptare. Po kështu Uikiliksi zbuloi që edhe gjeneralët e mi atje paskan zbrazur thesin e “padrejtësive” dhe janë rrëfyer sikur të ishin në dhomën e Konfesionit të katedrales «Mont Martre». Po, pa fshehur edhe unë atë ndjenjë lehtësimi për t’u takuar me këtë personalitet, kohë kur endesha rrugës i papunë.

Shumë të huaj, analistë, historinë, të mençura dhe idiot, të mirë dhe të këqij na kanë vlerësuar në të kaluarën, dhe të tashmen, në mënyrën e tyre, vendin tone, ku shumatorja e këtyre vlerësimeve është vërtet e keqe. Ata na nofkuan si të paditur, të pandreqshëm e kush e di se çfarë. Së fundmi keqinformimi i myslimanizmit shqiptar, duke harruar se ne u konvertuam pesë shekuj më parë në islam nga perandoria turke. Vijuam fenomenin konvertim të besimit nga diktatura në – Ateist; duke vazhduar sistemin e rikonvertimit, që përsëri shqiptarët të sakrifikohen jo vetëm për tkurrjen për zgjerim të Europës, por dhe për fenomenin e ri klasik “Islam” të sajuar në kontinentin evropian.

Në vitet pasuese të trazicionit ne mbijetuam duke sakrifikuar gjithçka. Shqipëria, edhe pse në nevojë, ndjehet e lënë pas dore nga Europa, nga ana tjetër dukshëm vlerësohen serioze nga ana e saj lëvizjet politike të Serbisë apo lëkundjet e fundit financiare me prapaskenë “gjeopolitikë” të Greqisë dhe Qipros që e tronditën atë duke toleruar politikën dhe zbrazur xhepat me miliarda $ ndihmë.

Në BE ndjehet, apo është krijuar, një çarje në vet shtetet e saj duke krijuar edhe blloqe: nga njëra anë shihen interesa të vendeve anglosaksone për shkëputje dhe, nga ana tjetër kemi qëndresën franceze si ideatore dhe ajo gjermane si investitorja kryesore e BE, të cilat janë për një forcim të saj, pra duket ndarja e shteteve elitë nga shtetet evropiane në nevojë. Situatat e reja ekonomike kanë shtuar dhe frikën nga një gjeopolitike(ekonomike) e re gjithnjë në rritje e Rusisë, por dhe shumë dyshime për rritjen dhe prezencën ekonomike të Kinës apo Turqisë, kjo e fundit dhe për një zgjerim të saj drejt vendeve ballkanike të quajtura islamike. Në këtë pamje gjeopolitike evropiane, a do të ketë hezitim evropian dhe se, RSH do të sakrifikohet përsëri për të forcuar sado pak unitetin e vet vendeve të BE?

Në këto dilema të BE, për të papranueshmen “Jo” europiane, e shumëlodhura Shqipëri, a do të reflektojë dhe do të kthehet përfundimisht tek superfuqia e botës, SHBA? Zgjedhja e kësaj alternative ndoshta për RSH përfundimisht do të fshihet e kaluara lëkundëse historike europiane dhe do të realizohet ëndrra e shqiptareve të pas viteve ‘90-të, duke hequr dorë nga politika, me shumë aleatë strategjikë. A do të kuptohet nga vendet e BE dhe nga vet SHBA se, toka e RSH është më idealja në rajonin e Ballkanit për SHBA? Sipas meje, nisur nga ç’kemi bërë për këtë vend, lëkundjet për të kërkuar aleate strategjike, qofshin këta në lindje apo perëndim, them se, ne shqiptareve na shkon si besueshmëri zhvillimi dhe një shtet “tutor” si SHBA-të…