Dr. Bledar Kurti: Rilindja” autore e shkatërrimit të vlerave dhe identitetit tonë kombëtar

435
Sigal

I gjithë vendi u trondit kur eskavatorët prishën godinën e Teatrit Kombëtar në pikun e pandemisë. Ajo skenë makabër u transmetua në mediat ndërkombëtare dhe e gjithë bota pa se si një shtet i papërgjegjshëm dhe barbar shkatërroi simbolin e kulturës së popullit të vet, me arsyen e vetme për të ndërtuar kulla. Sheshi “Skënderbej” dhe “Kulla e Sahatit” në Tiranë e ndërtuar në vitin 1822 janë përdhosur në mënyrën më të dhunshme dhe djallëzore, të zëvendësuara me simbole masonike si forma e piramidës në hapësirën boshe me pllaka mbi të cilën shkelin kalimtarët sot, apo me kullën shumëkatëshe me perimetër pentagon ngjitur me “Kullën e Sahatit.” Masakra dramatike urbane dhe arkitekturore që kanë zhbërë identitetin e kryeqytetit të Shqipërisë. Kështu u trondit edhe Durrësi me projektin prej përbindëshi të hekurit dhe betonit “Veliera” që shkatërroi zonën ikonike të qytetit, “Torrën Veneciane”. Kjo, shtuar edhe skandalit të largimit të shatërvanit në sheshin “Iliria”, projektuar dhe ndërtuar nga arkitekti Kristo Sotiri, në vitin 1930. Durrësi ka rënë pre e barbarizmit të “Rilindjes” edhe në çdo gjetje të fundit arkeologjike pasi janë betonizuar menjëherë në momentin e zbulimit që të mos pengoheshin ndërtimi i kullave dhe pallateve shumëkatëshe. Krimi i fundit i “Rilindjes” ndaj vlerave dhe identitetit kombëtar ka ndodhur para pak ditësh në vatrën e shkollës shqipe dhe arsimit shqiptar që nisi më 7 mars 1887 me Mësonjëtoren e Korçës, të cilën nën pretekstin e rikonceptimit bashkëkohor zëvendësuan bankat shekullore me tavolina e karrige baresh e zyrash, me kufje dhe tableta digjitale, duke vrarë frymën dhe gjurmët historike që mbarte ai muze, duke shkatërruar historinë dhe trashëgiminë tonë kulturore. Dhe gërmat A B C dhe penda përbri, të njohura prej brezash të tërë prej abetares prej së cilës kemi mësuar prej dekadash, janë flakur me përçmimin më barbar. Mësonjtorja e Korçës është monumenti i parë shekullar i gjuhës shqipe në viset shqiptare për të cilën kanë punuar dhe kontribuar patriotët e shquar të vendit si: Pandeli Sotiri, Naum Veqilharxhi, Konstandin Kristoforidhi, Zef Jubani, Jeronin De Rada, Thimi Mitko, Naim e Sami Frashëri, Pashko Vasa, Gjeraqim Qiriazi, Sevasti dhe Parashqevi Qiriazi si edhe frymëzoi të gjithë etërit dhe mësuesit e kombit që ndërtuan themelet e një Shqipërie të lirë, të pavaruar, dhe të arsimuar. Edhe shkolla e parë shqipe e Durrësit, e vitit 1913 në Ishëm, është kthyer në stallë bagëtish. Të njëjtin fat kanë pësuar shumë e shumë monumente të kulturës dhe vlera që kanë përcaktuar identitetin tonë kombëtar. Përse ky barbarizëm? Përse ky vetëshkatërrim? A është thjeshtē për të shfrytëzuar preteksin e restaurimit dhe rikonceptimit për të firmosur tendera korruptiv për përfitime financiare dhe për ndërtime kullash për oligarkët e pastrimin e parave, apo është i qëllimshëm? Në 8 vite qeverisje është parë qartë që “Rilindja” e ka shfrytëzuar jo vetëm për përfitime financiare tezën e restaurimit dhe rikonceptimit të objekteve me rëndësi kombëtare por ajo e ka mision të saj zhbërjen e historisë. Kjo nuk është diçka e re. Nisi me Revolucionin Francez kur u zhbë kalendari, duke mohuar mijëra vite qytetërim dhe duke e nisur kalendarin me vitin zero, duke shkrirë kambanat e kishave e duke i kthyer në pushkë, duke vrarë klerin e duke vendosur një prostitutë mbi altarin e Notre Dame si perëndeshë pagane. Që nga ajo kohë ky radikalizëm mori forma të ndryshme duke u transformuar edhe me “Rrugën e Tretë” në politikë, të cilën “Rilindja” e solli në politikën shqiptare në formën e kopjuar nga Tony Blair, këshilltari i kryeministrit tonë, “Përtej të Majtës dhe të Djathtës.” Ndaj edhe “Rilindja” është një sekt radikal liberal që ka në esencë të kredos së saj zhbërjen e piketave historike të një kombi; zhbërjen e traditës; zhbërjen e institucionit të familjes; madje, siç është parë me shkeljet skandaloze dhe haptazi të Kushtetutës, edhe zhbërjen e vetë institucioneve të shtetit. Më e keqja në të gjithë këtë krim kombëtar është se në çdo akt shkatërrimi dhe zhbërje, “Rilindja” ka drejtuar gishtin nga kundërshtarët dhe vetë populli shqiptar duke i etiketuar si të prapambetur, provincialë, të pakulturuar, pengues të zhvillimit dhe progresit, të paaftë për të kuptuar vizionin, modernizmin dhe frymën avant garde të kësaj qeverie. Të gjitha këto janë argumenta tipike të përdorura nga të gjitha regjimet dhe diktaturat ndër shekuj për të fshehur agjendën e shfarosjes së identitetit të një kombi dhe për të nisur një histori gjoja të re, me standarde dhe kushte të reja, sipas ideologjisë ekstreme liberale të një shoqërie të hapur, me përzierje kombësish (ndaj edhe vunë në zbatim planin e shpopullimit të shqiptarëve dhe prurjen e mijëra emigrantëve të huaj); pa themele e pa identitet kombëtar; pa vlerësim për të kaluarën por duke projektuar një habitat për ide të shthurura shoqërore dhe improvizime qeverisje. “Rilindja” shtiret si moderne dhe emancipuese ndaj edhe qëllimisht anatemon çdo figurë patriotike apo heroike të kombit tonë por ajo nuk është gjë tjetër veçse një sekt tradhëtarësh dhe vagabondësh. Nëse “Rilindja” do kishte edhe disa vite të tjera në qeverisje projekti i radhës do ishte edhe ndryshimi i Himnit të Flamurit, me siguri heqja e reshtit “Se Zoti vetë e tha me gojë,” pasi ky sekt është anti-besim, anti-familje, anti-komb. E shumë marrëzi të tjera që do zhbënin totalisht vlerat dhe traditat e shqiptarisë. Ndaj 25 prilli është një ditë tejet e rëndësishme për vendin dhe shqiptarët. Sekti i “Rilindjes” duhet larguar në mënyrë që të ruajmë vendin, historinë, kulturën dhe vlerat tona të trashëguara nga të parët tanë e të shkatërruara nga një sekt malinj brenda pak viteve.