Xheladin ÇELMETA*/ Dëshmorët e Atdheut dhe letargjia e një komisioni

685
Sigal

Gjatë këtyre 24 viteve, në këtë vend kanë ndodhur pafundësisht çudira “alla-shqiptare”. Një nga këto çudira, për shembull, ka qenë edhe lëmshi me historinë. Sidomos, për atë të Luftës Antifashiste Cacional-çlirimtare, 1939-1944. Ka sunduar tendenca për ta bërë atë me çdo kusht “lesh-arapi”. Arsyetimi i pseudo-historianëve ka qenë mëse banal, me justifikimin se “gjatë 50 vjetëve diktaturë, ajo është shkruar sipas qejfit të komunistëve”(!). Kështu ndodhi që gjatë gjithë vitit 2014, teksa populli në 70-vjetorin e Çlirimit nderonte veprën sublime të dëshmorëve të vet, studiot televizive, por edhe salla lektorësh në kryeqytet, vazhdonin parodinë e radhës duke “tjerrë e ç’tjerrë” lëmshin e historisë. Skena më absurde natyrisht ishte “debati” për “ekzistencën e luftës civile në Shqipëri gjatë LANÇ”(!). Pati, deri edhe këmbëngulje të disa segmenteve ekstremiste të djathta, si dhe të disa “studiuesve” e “analistëve” për të përbaltur, nxirë, apo edhe mohuar fare me çdo kusht vlerat e kësaj lufte, si dhe idealet e shenjta të dëshmorëve. Në vend që të shkonte duke u ulur kjo tendencë, ajo në fakt u bë edhe më “kokëfortë”. Kujtojmë; gjithmonë kemi konstatuar vendimmarrje antikombëtare, si ajo e para dy vjetëve, kur Presidenti i Republikës, Nishani, dekoroi me “Urdhrin e Flamurit Kombëtar”, Ahmet Zogun e I (!). U dekorua kështu mbreti famëkeq, që më 7 prill 1939, kur vendin tonë e sulmoi Italia fashiste, grabiti deri edhe lingotën më të fundit të arit shqiptar, tradhtoi popullin e vet dhe iku në mërgim. Apo kthehemi më mbrapa në kohë, kur ish Presidenti Berisha dekoroi në vitin 1990 emra të tillë, si; kriminelin Hamit Matjani si “Pishtar të demokracisë”. Të dy këto akte, nuk janë gjë tjetër, veçse tentativa, skajshmërisht, poshtëruese, për t’i futur të gjithë “në një thes”: si heronjtë dhe dëshmorët e vërtetë të këtij vendi, ashtu dhe “heronjtë” e rremë; armiqtë dhe tradhtarët, ata që në momentet decizive të historisë, kanë qenë haptazi kundër Shqipërisë, kanë qenë haptazi në anën e forcave pushtuese dhe kolaboracioniste. Shprehemi kështu, pasi në gjithë këto trajektore ligësish, edhe ngjarjet e liga nuk kanë ardhur kot. Nuk ndodhi rastësisht heqja e monumentit të 5 Heronjve të Vigut nga qendra e Shkodrës vite më parë (që sot me këmbënguljen e pandërprerë të familjarëve, si dhe të organizatës së Dëshmorëve e asaj të Veteranëve, u rivendosën sërish në vendin e duhur). Nuk ndodhi rastësisht, pak vite më parë heqja e emrit të rrugës “Dëshmorët e 4 shkurtit” (që gjithashtu edhe ky emër iu rivendos sërish një rruge në kryeqytet)… Mund të flisnim pafundësisht për këto paudhësi, por nuk kam ndërmend të zgjatem me analiza, pasi gjërat dihen. Janë thënë e stërthënë. Por desha të theksoj faktin, që në këto vendimmarrje të turpshme, në kohën kur kanë ndodhur nga ata që i kanë bërë, nuk është guxuar as t’u merret qoftë dhe një mendim, një opinion i vetëm, organizatave përkatëse; Organizatës Kombëtare të Dëshmorëve të Atdheut, asaj të Veteranëve, apo të Invalidëve. E theksoj: në komisionet e atyre kohëve kur janë marrë vendimet e mbrapshta, nuk ka patur përfaqësues të organizatës së Dëshmorëve apo të Veteranëve e Invalidëve. Janë bërë fshehurazi, ashtu siç bëhen veprat e zeza. Ndaj, pra, dhe kjo situatë ka irrituar e irriton, provokon e fyen pareshtur, edhe sot e kësaj dite familjet e dëshmorëve, veteranët e nderuar dhe invalidët e LANÇ. Është kjo arsyeja se përse herë pas here, veteranëve u “ka dalë punë” të replikojnë ashpër në media ndaj këtyre akteve që fyejnë sedrën e çdo shqiptari.

 

Një komision që… fle

Personalisht, në cilësinë e kryeredaktorit të revistës “Pavdekësia”, desha ta shtyj më tej analizën time në një aspekt tjetër: Konkretisht, në punën e komisionit të posaçëm që ka për detyrë të shpallë me dokumente ligjorë dëshmorët e Atdheut. Pra, po flas për atë që në një farë mënyre është në “anën tonë”, në dorën tonë. Dihet që, sipas fakteve historike, Shqipëria ka mbi 28 mijë dëshmorë (ku dëshmorë të shpallur sipas dokumenteve ligjore janë 9470). Për kureshtjen e lexuesit, po jap edhe të dhënat për martirët e tjerë të rënë për Shqipërinë që plotësojnë kështu shifrën 28 mijë: Shtetas antifashistë shqiptarë të pushkatuar nga nazifashistët e bashkëpunëtorët janë 6436. Të asgjësuar në 23 kampet gjermane (pa varre) për të cilët paguan shpërblim shteti gjerman janë 11.200. Të asgjësuar në kampet në Greqi (pa varre) janë 50. Të asgjësuar në kampet në Itali (pa varre) janë 70. Të asgjësuar në kampin e Mathauzenit (pa varre) janë 351. Të asgjësuar në kampin e Aushvicit në Poloni (pa varre) janë 32. Të asgjësuar në kampin e Prishtinës (pa varre) janë 168. Të asgjësuar në kampin e Zemunit në Jugosllavi (pa varre) janë 162. Të asgjësuar në kampin e Bitolës në Maqedoni (pa varre) janë 144. Të asgjësuar në kampin e Strugës në Maqedoni (pa varre) janë 27. Shuma e përgjithshme, pra, është 28.110. Pikërisht, për këtë arsye, gjithmonë ka patur një komision që shpallte ligjërisht “Dëshmorët e Atdheut” bazuar mbi ligje e dokumente. Ka funksionuar edhe nga viti 1990 e këtej në Ministrinë e Mbrojtjes. Dhe dimë që ky komision ka në përbërje juristë të dikasterit, ekspertë dhe përfaqësues nga organizata e dëshmorëve e ajo e veteranëve; gjithashtu janë edhe dy zëvendësministra, si dhe nga prefektura e Qarkut Tiranë. Mblidhet një herë në vit, për të shpallur sipas rastit, emra të rinj dëshmorësh të Atdheut. Kjo, konform kushteve e rrethanave ku ata kanë rënë. Në rrugë konfidenciale jam munduar të “vjel” informacion se çfarë bëhet sot me këtë komision. A vijon puna e tij? Apo ekspertët që e përbëjnë atë, e marrin rrogën kot? Mos është shkrirë fare ai, dhe kryesia e organizatës Kombëtare të Dëshmorëve nuk di gjë? As në këtë 70-vjetor nuk pati shpërblim për familjet e dëshmorëve. As familjet që kishin arkivuar dokumentet, me shpresën se ato do të shqyrtoheshin për “shpalljen dëshmorë” të njerëzve të tyre të vrarë gjatë LANÇ, nuk morën përgjigjen nga ky komision(!?)… Në fakt, pyetjet që shtroj janë sa hipotetike, aq dhe të drejtpërdrejta. Se e vërteta është, që ka një heshtje të plotë rreth punës së këtij komisioni. Kjo më duket krejt e pafalshme, sidomos kur shoh që familjet e dëshmorëve kanë treguar shkallën maksimale të impenjimit të tyre gjatë 70-vjetorit të Çlirimit, duke përkujtuar në mënyrë shembullore në gjithë Shqipërinë datat e rënies së dëshmorëve e heronjve… Kurse ky komision nuk prezantoi as edhe një rezultat të vetëm. Dhe ishte tamam rasti për ta bërë këtë gjë, pikërisht në këtë 70-vjetor. As e diskutojmë që përfaqësuesit e qeverisë në këto ceremoni përkujtimore kanë qenë gjithmonë të pranishëm; të mos u hamë hakun për këtë. Por ndërkohë, e vërteta është se fondet e premtuara për riparime varrezash të dëshmorëve nuk u dhanë. Përsëri “po lëshojmë pe” dhe po themi: E po, mirë de, e dimë që Qeveria nuk ka mundësi, pasi jemi në një situatë dramatike financiare. Dhe një fije mirëkuptimi këtu, në fakt, edhe duhet të ekzistojë, ç’është e vërteta. Se në Shqipëri jemi. Mirëpo….. po simbolet, certifikatat, kartat e anëtarësisë, distinktivët që janë prodhuar enkas për familjet e dëshmorëve; përse rrinë në magazina dhe nuk bëhet punë për t’i shpërndarë? Se kjo punë nuk do para’… E kam të vështirë ta gjej se kujt duhet t’ia adresoj këto pyetje, por mendja ma thotë se është pikërisht puna e këtij komisioni që duhet ta kishte kryer. Kurse në fakt, fle. Ka informacione se kjo situatë është e tillë prej vitesh. Shkurt, kjo është e pafalshme. Aq më shumë që edhe në këshillat e qarqeve nëpër rrethe, kjo neglizhencë ka qenë dhe është akoma prezente. Duhet sa më parë një përgjigje dhe po ashtu, sa më shpejt një rrugëzgjidhje. Madje, me urgjencë.

*Kryeredaktor i revistës “Pavdekësia”