Elona Shehu (Shahini)/ Domosdoshmëria e reformës në arsim

583
Sigal

Reformimi në arsimin e lartë në Shqipëri ishte i nevojshëm dhe duhet të ishte bërë vite më parë

*Pedagoge

 Duke pasur parasysh evoluimin që ka pësuar sistemi arsimor në vendin tonë këto 23 vitet e fundit, mund të thuhet që janë duke u ndërmarrë reforma të nevojshme në fushën e arsimit. Nëse shikojmë numrin e studentëve të cilët kanë mbaruar arsimin e lartë në RSH dhe normën e papunësisë për këtë grupmoshë, shihet se ka ende shumë për të përmirësuar në politikat arsimore dhe në infrastrukturën akademike. Megjithë numrin e madh të studentëve që kanë mbaruar arsimin e lartë publik apo privat, pjesa më e madhe e tyre nuk plotësojnë kushtet minimale të njohurive në fushën ku kanë studiuar. Shkak tjetër e shkallës së papunësisë së kësaj kategorie është edhe kërkesa që ka tregu për specialistë të kategorive të caktuara. Nëse do të marrim në konsiderate numrin e të diplomuarve në shkollë të mesme gjatë viteve 93-94 përballemi me një rënie prej 25.4% e numrit të të diplomuarve në arsimin e mesëm, kjo për shkaqe të ndryshme, si migrimi drejt zonave më të zhvilluara dhe emigrimit të popullsisë për shkak të hapjes së kufijve me vendet e tjera. Këto ndikuan ndjeshëm kryesisht në lëvizjen dhe largimin e moshës së re. Luhatja më e madhe e ritmit të rritjes së të diplomuarve ka qenë në vitin shkollor 2004-2005 si pasojë e ndryshimeve që kanë ndodhur në reformat në arsim dhe të ndryshimeve në situatën ekonomiko-politike. Një arsye tjetër ishte se në këto vite lulëzuan IAL-të private dhe hapja e një morie programesh studimit të pakërkuara nga tregu i punës. Pra, nuk kishim të bënim me studim tregu të mirëfilltë nga ana e këtyre institucioneve për të hapur ato programe që paraqiteshin me interes kombëtar. Dhënia e licencave pa kriter nga ana e MASH në atë kohë ishte një tjetër faktor që solli për pasojë një numër të lartë të IAL-ve në vend duke çuar në ulje të cilësisë së punës së tyre ndër vite.

Numri i studentëve të regjistruar në universitetet private që nga hapja e tyre në vitin 2003 e deri në vitin 2013 ka ardhur gjithnjë e në rritje. Në vitin 2006-2007 ka një ritëm të konsiderueshëm rritjeje krahasuar me universitete publike në përqindje. IAL-të publike vazhdojnë të kenë numrin më të madh të studentëve në degët përkatëse. Por nëse do vazhdonte hapja në masë e IAL Private do të rrezikojmë ta kthejmë arsimin në një treg konkurrencial, ku tarifat e pranimit në IAL Private do të rezultojnë më të ulëta se tarifat publike, kjo do të jetë shkas për rritjen e vazhdueshme të studentëve të regjistruar në privat duke çuar kështu në studentë të një cilësie të ulët, që do ta kenë të vështirë të përballen me kushtet e tregut të punës. Pavarësisht se kërkesa për tu arsimuar vitet e fundit ka ardhur në ritme rritjeje shumë të larta, tregu i punës nuk e ka rritur me të njëjtin ritëm kërkesën e tij për punonjës të arsimuar.

Reformimi në arsimin e lartë në Shqipëri si për institucionet publike dhe për ato private ishte i nevojshëm dhe duhet të ishte bërë vite më parë. Madje që në kohën kur Institucionet e Arsimit të Lartë po shtoheshin si kërpudhat mbas shiut. Shqipëria është një vend relativisht i vogël me rreth 3.000.000 banorë nga të cilët afërsisht 160.000 janë studentë. Numri i Institucioneve të Arsimit të Lartë në Shqipëri në vitin 2014 arriti në 59 IAL  nga të cilat 44 private. Ky numër institucionesh që ofronin 1500 programe studimi universitare dhe pasuniversitare është rreth tetë herë më i lartë se Britania e Madhe (sipas reformës së Arsimit të lartë) nëse do të krahasojmë numrin e IAL-ve me numrin e banorëve, në Shqipëri ky raport është afërsisht 20 IAL/1 milion banorë. Në kuadër edhe të reformës që është duke u diskutuar nga MAS për vitet në vazhdim, MAS për shkak të shkeljeve të konstatuara nga IAL-të gjatë kontrolleve të kryera, propozoi në dt 04.08.2014 heqjen e licencave për 18 IAL private dhe një publike dhe pezullimin e 13 IAL-ve të tjera private. Kjo deklaratë e kryeministrit dhe e Ministres së Arsimit shkaktoi shumë debat dhe presion tek të gjithë grupet e interesit. Në dt 06.08.2014 Këshilli i ministrave mori vendimin nr. 539 “Për heqjen e licencave disa IAL-ve private”.

I gjithë procesi i lëvizjes dhe transferimit të studentëve nga institucionet që u është hequr licenca është rregulluar nëpërmjet VKM dhe udhëzimeve përkatëse të MAS. Jo të gjitha institucionet e prekura nga ky vendim reaguan në të njëjtën formë, për shkak kjo edhe të natyrës së tyre, të krijuara si shoqëri tregtare. Nga mbyllja e këtyre universiteteve nuk preken vetëm IAL-të të cilave u është hequr licenca, por gjithashtu ndikohen edhe studentët dhe familjarët e studentëve të cilët për shkak të një reforme të prerë duhet të hedhin poshtë disa vite investim.

Ajo që mbetet ende me pikëpyetje është fakti se për studentët që kanë ndjekur një program studimi për disa vite në privat, dhe që nuk ekziston si program në IAL-të publike, çfarë masash do të merren për këtë kategori studentësh? Sepse në reformën e arsimit të lartë e kemi të shprehur që programet që zhvilloheshin në IAL-të ishin 1500 nga të cilat vetëm 700 ofrohen  nga IAL-të publike dhe pjesa më e madhe ofrohet nga Arsimi i Lartë Privat. Mos ndoshta duhet të ishte dhënë një paralajmërim për këto universitete të cilave u është hequr licenca, të cilat duhet të kishin marrë pezullim deri në përfundim të procesit të diplomimit të studentëve aktual dhe më pas të shikohej nëse do të vazhdonin aktivitetin ose jo? Sepse një reformë e tillë e ndërmarrë nga MAS duhet të gjente zbatim minimalisht në tre vitet e ardhshme në mënyrë që të përgatitej tregu por edhe në të njëjtën kohë këto institucione do të përpiqeshin më tepër në rritjen e cilësisë së shërbimit të ofruar. Sepse në të kundërt do të ishin vet studentët që do ta braktisnin institucionin.

Mënyra se si u mor vendimi e paraqiti situatën realisht si piramidë në sistemin arsimor, dhe ajo që shkaktoi ishte një humbje më tepër për studentët (në këtë rast, klientët), të cilët kishin bërë një investim jo të shëndetshëm dhe të pastudiuar më parë.  Pala që përfiton në këtë rast janë IAL-të e tjera private, të cilat do të kenë dyndje të regjistrimeve nga transferimet e studentëve. Por kjo gjithmonë nëse arrihet një përputhje midis programeve të ndërprera dhe atyre që do të rimerren nëpërmjet procesit të ekuivalentimit të krediteve (ECTS) të fituara gjatë viteve të studimit. Këto institucione pritëse duhet të kontrollohen nga ana e MAS në lidhje me rritjen e tarifave të studimit për shkak të rritjes së kërkesës për shërbimin që ato ofrojnë. Përveç transferimeve kemi edhe prurjet e reja. Të cilat mbasi mbushen auditorët e IAL-ve publike pjesa tjetër nuk do të drejtohet më drejt 44 IAL-ve private por do të përqendrohet vetëm tek 13 IAL të cilat aktualisht kanë të drejtë të pranojnë regjistrime të reja. Në mënyrë direkte ose indirekte kemi të bëjmë me përqendrim të kërkesës për studime në IAL-të private në një numër më të vogël universitetesh private që e ofrojnë këtë shërbim në Shqipëri aktualisht. Këto struktura mund të konsiderohen tashmë një Treg Oligopol të cilat kanë nevojë për vëmendje të plotë nga Autoriteti i Konkurrencës, për të shmangur situata marrëveshjesh të fshehta.

Tjetër fakt që duhet të mbahet në konsideratë është edhe kontrolli i vazhdueshëm që duhet të ushtrojë MAS tek institucionet e mbyllura për procesin e transferimit dhe çregjistrimit të studentëve. Kjo për të mos i lënë hapësirë IAL-ve të mbyllura që të abuzojnë me tarifat e aplikuara ndaj studentëve apo burokracive të panevojshme që do të çojnë në vonesa të këtij procesi. Nëse do të zbatohet VKM nr 539 procesi i çregjistrimit nga këto IAL duhet të përfundojë në 1 shtator 2014 ose për ata që nuk kanë kërkuar çregjistrim deri në dt 10 shtator dosja e tyre çohet në MAS nga IAL-ja përkatëse. Vonesat mbas këtyre datave nga ana e Institucioneve të Arsimit të lartë mund të penalizojë studentët duke mos kapur dot afatin e aplikimit në IAL-të publike. Aplikimi i sanksioneve për IAL-të që nuk zbatojnë afatet e përcaktuara në VKM do të sjelli përshpejtim të këtij procesi. Kontrolli nga MAS për këto institucione nuk duhet të bëhet vetëm për periudhën mbas heqjes së Licencës, por edhe për aktivitetin e  tyre para mbylljes së aktivitetit, duke studiuar ligjshmërinë e aktivitetit duke vënë para përgjegjësisë këdo që ka shkelur ligjin me të dyja këmbët.