Sa herë që më ka rënë rruga për në Shkodër, por edhe në çdo rast tjetër që kam qënë në kontakt me kolegun tim të hershëm Bedri Islami, pyetjen e parë që i kam bërë ka qenë ajo për shëndetin e nënë Dritës. Mirë, mbahet, është goxha mirë!-më thoshte e më thotë Bedriu. E bëja dhe e bëj këtë pyetje përkujdesjeje njerëzore për nënën Dritë jo pse është nëna e mikut tim të vjetër. Kjo po se po, por edhe pse ky emër më ka ngjitur për faktin se ajo është ndër veteranet e rralla të mbetura gjallë të LANÇ. Por nënë Drita ka qenë edhe bashkëshortja e një emri të njohur, jo si gjithë ata “ të tjerët”, për veprimtari atdhetare e patriotike gjatë Luftës ANÇ, por nga ata emra që edhe pas vdekjes lënë një shenjë të prekshme për shpirtin e tyre. Dhe është fjala për Zenel Islamin, për atë Lulin e Vocërr të Migjenit, personazhit, i cili mbetet një “personalitet” i mjerimit migjenian.
Historitë njerëzore nuk i ngjajnë kurrë njëra-tjetrës.Ashtu siç është disi e veçantë edhe kjo e nënë Dritës. Asaj i trokiti fati të shkonte e të bëhej nusja e fshatit Dedaj të Pukës, aty nga ishte, ku kishte lindur e kaluar vitet e fëmijërisë Zenel Islami. Por edhe Zenel Islami na paskësh qënë jo pak me fat. Ai, ashtu si Drita, kishte bërë të njëjtën rrugë, atë që e kishte çuar tek vetvetja, për të patur grua një vajzë nga dera e madhe e Gjylbegajve të Shkodrës. Gjylbegajt ishin dhe mbeten fis i madh, por edhe me emër të madh. Burrat e Gjylbegajve, por edhe gratë, e kishin në gen fisnikërinë, ndjenja që nuk i kishin lënë kurrë të tkurreshin, apo zhdukeshin pa e kuptuar. Pra nusja e re me emrin Dritë do të vinte në Dedaj të Pukës jo vetëm si bashkëshortja e Zenel Islamit, por edhe si një vajzë qytetëse, e cila, ashtu si kishte edhe emrin, do të rrezatonte tek banorët e atij fshati malor mirësi e do të përcillte tek ata ndjesinë për të mos u lodhur kurrë duke shpresuar për një jetë më të begatë. Brenda shpirtit të vajzës që vinte nga dera e madhe e Gjylbegajve gjendej burimi i së mirës, një burim që gurgullonte gjithnjë dhuntinë e fisnikërisë.Ajo çka do ta bënte nusen e Dedajve nga ato si “të zgjedhurat me dorë”, ishte fakti jo se e lidhi jetën me djalin më të mirë të asaj zone, siç ishte Zenel Islami, por edhe, sepse ajo pajën më të mirë, të cilën e mori me vete, ishte virtyti dhe nderi. Ishte viti 1948 kur Drita e Gjylbegajve, aq e freskët dhe e re, së bashku me bashkëshortin, Zenelin, të ngjiteshin e të zbrisnin nga fshati Dedaj për në Pukë, çdo ditë, ashtu si i detyronte puna. Zenel Islami në ata mote kryente detyrën e lartë partiake, atë të Sekretarit të Parë të rrethit të Pukës. Ky itirenar vajtje-ardheje u bë për tre vjet radhazi, pa ndërprerje dhe në të gjitha rastet më këmbë. Siç thotë edhe biri i këtyre dy prindërve të jashtëzakonshëm, Bedriu, atyre ua bënte të lehtë rrugën fakti se njëri vinte tek nëna e tjetra tek nëna që e gjeti. Por edhe diçka tjetër shumë, shumë më e rëndësishme. Çifti i ri, i cili shikohej e ndiqej me sy nga kudo ku shkonin, atë çka bënin, në sjellje e në punë, e shikonin si korrektësi ndaj vetes e pastaj si ndershmëri në raport me të tjerët, e që sipas tyrë nuk duhej humbur kurrë. Ka raste në jetë që, me të takuar një njeri, të duket sikur e ke njohur prej kohësh dhe menjëherë ke dëshirë t’i japësh zemrën. Kështu ngjau me Zenel Islamin, i cili gjatë Luftës ANÇ u njoh me Heroin e Popullit Naim Gjylbegu e që më pas do të ishin kunetër. Sepse Drita ishte motra e Heroit, ashtu siç kishte vëlla edhe luftëtarin tjetër. Zenel Islami paskësh trokitur në atë derë që i ngjante derës së tij, pra fisi kishte gjetur fisin. I binte që Zenel Islami me Drita Gjylbegun kishin gjetur njëri-tjetri. Kam lexuar se kur dashuria i ka shkrirë dhe përzier dy qenie në një njësi engjëllore dhe të shenjtëruar, për to është gjetur sekreti i jetës; ato s’janë tjetër veçse dy flatrat e një shpirti të vetëm. Ishte ky “shpirt i vetëm” që të mundëte të arrinte të krijonin një jetë plot harmoni, nga ato marrdhënie në çift, që u ngjanin ëndrrave dikur të pamundura, por tashmë të realizuara. Por për ta çuar deri në fund dashurinë e këtyre dy krijesave engjëllore, nuk paskësh qënë e thënë. Zenel Islami, Luli i Vocërr i Migjenit, u nda nga jeta në moshë fare rë re, vetëm 36 vjeç. Nuk po ndalemi në këtë pjesë të zezë të jetës të nënë Dritës, por nuk mund të lëmë pa thënë se pjesa e lumturisë e ruajtur tek pjesa tjetër, pra tek njeriu më i shtrënjtë për të, Zeneli, kishte marrë fund një herë e përgjithmonë. Zeneli, djali nga Dedaj me shpirt të bukur, kish pas mundur të linte të vetmen pasuri Dritës, vajzës të dëlirë të Gjylbegajve, po me aq shpirt të bukur, tre fëmijët yje; Bedriun, Zanën dhe Gonin. Tashmë për Dritën, ende e “parritur” për halle e vështirësi të mëdha, nga ato që i dolën krejt papritur, dilte përpara një humnerë, diçka që i kërkonte jo vëtëm të guxonte, por edhe të gjente gjënë e duhur për të rritur e edukuar tre fëmijë dhe për të ruajtur emrin e mirë të vetes dhe të bashkëshortit që nuk e kishte më në krah, të Zenel Islamit. Kjo grua-zonjë e derës së Gjylbegajve qyshsa i ndodhi gjëma e ndau mendjen, u vetndërgjegjësua se ishte e dënuar të mbarte mbi shpatulla barrën e jetës së vet, dhe se çdo përpjekje për t’u liruar prej asaj barre nuk i sjellte tjetër veçse shtimin e peshës, më të rëndë dhe më të tmerrshme se më parë. Dhe nënë Drita ia doli. Jo pa mundim, por ajo mundi ta arrinte të mbetej ashtu si e filloi jetën, bashkëshorte e denjë e Zenel Islamit. Mbeti e fisshme në shpirt dhe me një zemër të fortë që e mbajti lart dinjitetin e dy fiseve, të cilët për këtë, pra për dinjitetin, nuk lëshonin pe as për gjërat më të vogla që të bënin pis, sepse, siç thuhej nga vetë ata, humbiste fare kuptimi i jetës.
Drita Islami (Gjylbegu ishte një karakter i krijuar në mjedisin e dy familjeve, të cilat virtytin e kishi pasuri e që nuk i lodhte kurrë. Ajo edhe sot e kësaj dite, në një moshë që shkon plot shëndet drejt shekullit, mbetet të jetë një grua që ndjek dhe përjeton ëndërra të bukura, nga ato që ëndërronte në moshën kur kishte në krah Zenel Islamin, atë që monumentin e pavdekësisë ia ngriti Migjeni. Shumicën e ëndërrave të moshës së rinisë tashmë nënë Drita i shikon dhe i përjeton të realizuara. Dhe fakti që këto ëndërra i arriti me mundim e me përpjekje të mëdha, ajo i gëzon e i vrojton tek rriten me shumë dashuri. Di që kjo grua e virtytshme mbetet të jetë gur i rëndë, nga ato zonja që di të çmojë dhe të konsiderojë si udhërrëfyes zakonet dhe traditat. Ajo derë e madhe është gjithmohë e hapur, në pritjen dhe përcjelljen e shokëve dhe miqve të Islamajve e të Gjylbegajve, të cilët janë të shumtë edhe për faktin se trashëgimtarët e këtij fisi kanë marrë përsipër t’u ngjajnë të parëve, të atyre që e mbyllën jetën me lavdi. Miq të vjeter e të rinj trokasin shpesh në derën ku banon sot në Shkodër nënë Drita. Shumë janë ata që vijnë nga Kosova, të cilët kanë patur si bashkëluftëtar në luftën për çlirimin e Kosovës birin e asaj dere, Bedri Islamin. Vëllezërit Kelmendi, Osmani dhe Qerimi si edhe Elmedin Asani nga Gostivari, do ta quanin mrekulli një bisedë të bërë me të, si nëna me bijtë e saj.
Fisnikja Drita Islami (Gjylbegu po di shumë bukur të kalojë vitet e jetës, ashtu si të jenë kryevepra të urtësisë. E sa vjeç është nënë Drita? E ka gjetur Dritëro Agolli: ”Unë e them këtë me bindje, e them këtu, e them kudo: çdo grua ka veç ditëlindje, dhe vit të lindjes mos kërko.”




















