Vangjush Saro: Kryeministri piktor dhe… piktori Kosta Raka

664
Sigal


Vangjush Saro

Këto ditë, u nda nga jeta piktori Kosta Raka, një emër i spikatur i grafikës dhe sidomos i karikaturës shqiptare, ilustrues i një numri të madh librash. Vizatimi i tij ishte i thjeshtë, i drejtpërdrejtë, me linja të qarta, plot humor dhe ironi, shumë komunikues, realist po ashtu. Ai ka marrë disa çmime ndërkombëtare. Ndërkombëtare. Por tash për tash, mediet shqiptare janë fokusuar vetëm te politika dhe… koketat. Dhe nderimet bëhen me hile, sipas njohjeve. (Një farsë e vërtetë!) Kosta ishte një artist i pafjalë, i pabujë. Modestia e tij binte në sy pothuaj më shumë se punët e tij. Kjo nuk do të thotë se mediet shqiptare (përjashto gazetën e njohur e dinjitoze “Telegraf”) duhej të heshtnin. Po ashtu edhe njerëz të zhanrit, që në raste të tjera, në mënyrë hipokrite, bëjnë “të përvëluarin”… Por ndër ne, me sa duket, do të vendosë gjithnjë… influenca në shoqëri, miqësia, rrethi familjar, të njohurit dhe jo vlerat e vërteta e talenti. Është për të ardhur keq që, gjithashtu, mjeshtri i madh i karikaturës shkon i panderuar nga institucionet, të cilat nuk kanë lënë “mangë” e këngëtar dasme pa lançuar. (O ç’mjerim!)

(Personalisht, e kam njohur Kostën gjatë kohës që bashkëpunonim në revistën “Hosteni”; një medie ku lindën dhe u rritën disa artistë e shkrimtarë me emër. Po personalisht, i jam mirënjohës për ilustrimet e goditura të dy prej librave të mi: “Polic Këmbëvogli” dhe “Aventurat e Don Kishotit në Shqipëri”.)

Rasti është për të thënë gjithashtu disa fjalë në lidhje me nderimet dhe rolin e personaliteteve politike e shtetërore në këtë temë. Kam pritur që Kryeministri, z. Edi Rama, të shkruante dy fjalë. Ai, për së pari, është vetë një piktor; pra një koleg i Kostës. Ai e di shumë mirë që piktori Kosta Raka nuk ishte një krijues dosido; përkundrazi, ishte një nga karikaturistët më të spikatur në Shqipëri, i njohur edhe në vende të tjera. Punët e tij janë në Gabrovo (Bullgari) në Shtëpinë e Humorit. Me sa dimë, Kryeministri ka treguar disa herë afërinë e tij me kolegët shkrimtarë dhe artistë. Kështu, ai ka premtuar dikur të përkthejë nga frëngjishtja në shqip një roman të një autoreje shqiptare por që ka shkruar (atë, romanin) në frëngjisht. Kryeministri është treguar shumë inkurajues me ndonjë njeri tjetër të humorit e satirës, koleg i Kostës, po ashtu me ndonjë poet e kineast, madje në këto raste kemi lexuar hartime plot mburrje e vlerësime…

Pse jo me Kosta Rakën? Sepse ai e ka satirizuar. E ka paraqitur me shallvare (siç rri ndonjëherë). E ka vizatuar si prepotent (shumë pranë së vërtetës). E ka ngacmuar për tenderat, për ndërtimet monstruoze, etj. Po ku është këtu “mëkati” i Kostës? Unë, në vend të kryeministrit, do të shkruaja për të, për ilustrimet e shumta të tij, për karikaturat e tij, duke nënvizuar që… je përpjekur të më përqeshësh edhe mua, ndonjëherë e ke tepruar, por unë vlerësoj kritikën dhe ca më shumë artin tënd. Kryeministri nuk e bëri dot këtë, nuk e bën dot këtë; fundja, edhe ai është një shqiptar kokëngjeshur e inatçi, pa le se shtiret modern…

Natyrisht, Kryeministri, kushdo, nuk është i detyruar të reagojë për çdokënd. Por kur fillon e ndan krijuesit, ca të nënës (të qeverisë, të kryeministrit) dhe ca të njerkës… atëherë kjo punë bie erë. Për më shumë, heshtja na tregon se si katandisen këto nderimet. Nëse ti je me ne, na ndjek e na bën horte ne, nëse ti ke vëllanë a një të afërm me ne e, nëse “nuk na bie në qafë” je i mirë, je i nderuar, do të gjejmë kohën e do të shkruajmë një hartim për ty, do të blatojmë ndonjë titull a kushedi çfarë tjetër… Përndryshe, do të heshtim dhe do të fshehim kokën ndër shkresa, si struci në rërë.

Më në fund, nuk është fjala thjesht për Kostën, për një emër, për një fat, për një jetë apo karrierë. Ky mentalitet dhe kjo qasje hipokrite, tregojnë se shoqëria shqiptare vazhdon të kërcënohet nga prapambetja dhe autoritarizmi. Keqardhje për këtë stad, ku vlerat shkelen me këmbë ose lançohen sipas interesave të grupeve a partive. Është vërtet një prapambetje e thellë. Por këtu jemi ne, pavarësisht se nuk e pranojmë dhe bëjmë çmos të shtiremi kërthiza e botës, e historisë dhe e aktualitetit.

Ani. Pavarësisht fatit vetjak dhe sjelljes së institucioneve, pavarësisht komedisë me nderime të supozuara, krijimtaria e mirë dhe protagonistët e saj do të jetojnë, për të treguar se arti nuk ka asfare lidhje me kulisat, me tallavanë politike e mediatike dhe tablotë e përditshme mediokre e pa klas.