Prof. Qemal Lame: Risia e marrëveshjes Kosovë-Serbi në Washington

446
Sigal

MARRËVESHJE KOSOVË-SERBI NË WASHINGTON NË MBROJTJE TË INTERESAVE KOMBËTARE

Nga Prof.Dr Qemal Lame

Kosova ka të drejtë të kërkojë e të shkojë në Washington D.C. për njohje reciproke. Kjo do të ishte zgjidhja afatgjate në ndihmë të Serbisë për politikën e brendshme të normalizimit të marrëdhënieve e miqësisë midis serbëve e shqiptarëve, si dhe të antarësimit e integrimit në BE. Marrëveshja për njohjen nuk është prioriteti kryesor politik i Kosovës e shqiptarëve. Ajo bëhet përparësi e gjeopolitikës kur kërkohet të arrihen qëllime politike globale e rajonale. Administrata amerikane kërkon me çdo mjet arritjen e marrëveshjes, por nuk ka mundësitë reale për sukses. Richard Grenell, vepron me të gjitha mjetet për një sukses të orëve të fundit në zgjidhjen e konflikteve të vjetra politike. Ai është i njëjti diplomat që thoshte se nuk ka parë e as ka diskutuar ndonjëherë për “shkëmbim territerritoresh”. Pastaj akuzonte ish Këshilltarin e Sigurisë Nacionale, John Bolton, se ai paska qenë prapa këtij plani, ndërkaq ky i fundit u përgjigj duke thënë se atë e ka dëgjuar nga dy presidentët, të Kosovës e të Serbisë. Sorosi përgatiti planin e njohur të ndarjes së Kosovës.Grenell kritikohet se është mbështetës i monopoleve të financave dhe medieve.

Në janar të këtij viti, Grenell ndryshoi pozicionin e deriatëhershëm amerikan dhe braktisi të gjitha kërkesat ndaj Serbisë në raport me Kosovën. Duke anashkaluar politikën e njohur amerikanë ndaj Kosovës e Serbisë, si diplomat i nivelit të lartë të administratës amerikane nuk referohet në politikën shoviniste serbe dhe pasojat e saj ndaj shqiptarëve. Nuk flitet për dialog, por për negociata. Nuk ka transaprencë se për çfarë kërkohet të bisedohet dhe vendimet që duhen marrë. Ndjehet presioni diplomatik për kompromis, duke detyruar shqiptarët të bëjnë lëshime të tjera.  Negociatat kanë për destinim kompromisin. Kur vihemi në pozita të barabarta kemi të drejtë të mbrojmë, në radhë të parë, interesat kombëtare. Kompromisi pa u pranuar përgjegjësia për të kaluarën dhe pa kundërshtuar pretendimet e padrejta për rikthimin e pushtetit të Serbisë në Kosovë, është e dëmshme për Kosovën e shqiptarët. Kushtetuta e Kosovës e ka të sanksionuar kompromisin e dhimbshëm të pakos së Ahtisaarit. Politika serbe kërkon të rivendosë sundimin në Kosovë, aq sa mundet dhe ku mundet.  Në Kushtetutën e Serbisë vazhdon  të mbetet  Kosova si pjesë integrale e Serbisë. Kështu, nuk mund të ketë barazi, drejtësi, bashkëpunim e garanci për njohje e afrim midis dy shteteve e dy popujve. Nuk mund të dialogohet si dy shtete sovrane e fqinje, bazuar në parimin e reciprocitetit.

Qeveria e Kosovës nuk ka legjitimitet për marrëveshje pa mirëkuptim me gjithë partitë politike të finalizuar me miratimin paraprak nga Kuvendi. Kryeministri i Kosovës nuk do të arrijë të legjitimojë çfarëdo marrëveshje të nënshkruar në Washington, qoftë ajo ekonomike, pas mospajtimeve të mëdha në Prishtinë pas dy takimeve të fundit të nivelit të lartë në Bruksel dhe pas kërkesave të të gjitha partive politike që të mos zhvendoset dialogu në nivel teknik sepse është një hap mbrapa nën nivelin e negociatave për një marrëveshje gjithëpërfshirëse. Partitë politike kanë të drejtë në insistimin e tyre, për arësye se kthimi në nivel teknik do të jetë një regres për procesin dhe pengesë drejt arritjes së një marrëveshje gjithëpërfshirëse. Edhe për nënshkrimin e marrëveshje ekonomike është e nevojshme të kuptohet e të garantohet paraprakisht se do të jetë një marrëveshje potenciale ekonomike që nuk do të preki sovranitetin dhe shtetësinë e Kosovës. Nënshkrimi i një marrëveshje thjesht ekonomike, do të jetë një veprim i mençur taktik, jo vetëm me qëllimin politik për të dëshmuar amerikanizimin dhe për të mos hapur konfrontim me presidentin Trump, por vetëm në rast se mbrohen sovraniteti, integriteti dhe uniteti i pushtetit. Duhet marrë parasysh që asnjë prej “marrëveshjeve” të negociuara nga Grenell, nuk ka ndonjë kuptim praktik, apo asnjë prej tyre nuk është detyruese, dhe nuk do të implementohet, përveç se në kuadrin e një marrëveshje gjithëpërfshirëse të ardhshme. Asnjë prej marrëveshjeve ekonomike nuk duhet të prekë statusin e shtetit të Kosovës. Serbia nuk tregon gatishmëri për marrëveshje për njohjen e pavarësisë së Kosovës. Aleksander Vuçiç ka deklaruar se nuk do të pranojë njohjen e Kosovës edhe në rast se vihet para një situate të papritur në një takim të mundshëm me praninë e presidentit Trump, nuk do të nënshkruajë çfarëdo marrëveshje që do t’i ofrohet në tavolinë, qoftë edhe sa për të mbajtur raportet e mira me administratën dhe me shpresën që Trump fiton zgjedhjet në nëntor. Po të vihet kushti i njohjes, ai nuk do të shkojë. Por Serbia nuk afrohet në këtë zgjidhje përfundimtare.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk mund të imponojnë zgjidhje fondamentale në Evropë dhe në Ballkan. Takimi i 4 shtatorit do të fokusohet plotësisht në çështje ekonomike, meqë Grenell ka dështuar që të arrijë një marrëveshje politike. Personaliteti dhe pesha politike e Trump e në tërësi fuqia e administratës amerikane, nuk do të jenë të mjaftueshme për të shtyrë përpara dhe realizuar ndonjë marrëveshje politike. Në shtetet europiane është krijuar bindja se është një realitet i ri në politikën evropiane dhe në marrëdhëniet BE-ShBA. Zgjidhjet fondamentale në Europë, përfshirë edhe Ballkanin, nuk mund të vendosen nga administrata amerikane. Ka kaluar koha për “zgjidhje” politike të udhëhequr nga ShBA.

Për suksesin e njohjes apo të marrëveshjes paraprake ekonomike që do të hapi rrugën për marrëveshjen përfundimtare të njohjes, është e domosdoshme të bindemi dhe të përkushtohemi me përgjegjësi kombëtare për vendimet që do të merren.

1.Të jeni të vendosur për të kërkuar dhe realizuar njohjen e pavarësisë, sovranitetit, integritetit teritorial. Këto tema përbëjnë strategjinë për normalizimin e vërtetë të marrëdhënieve midis dy shteteve dhe garancinë për paqen e sigurinë në rajon.

2.Të ruhet shteti unitar dhe shtrirja e pushtetit qëndror në të gjithë teritorin e Kosovës, pa dallime mbi bazën e nacionalitetit dhe pa shtuar më tepër të drejat e kompetencat për serbët që përbënë vetën një pjesë të vogël të popullsisë. Të mos pranohet asnjë vendim apo formulim që dobëson sovranitetin shtetëror dhe ushtrimin e pushtetit në gjithë teritorin e Kosovës.

3.Të mos pranohen presionet e Serbisë për Asociacionin e Komunave Serbe me kompetenca vendore teritoriale. Këtë nuk e paranojmë as për ndarjen e Mitrovisë, as për Lipianin dhe as për 18 komunat me fshatrat me shumicë serbe.

4.Marrëveshjet ekonomike me interesa të përbashkëta të mos hartohen me formulime që vënë në pozita të privilegjuara Serbinë dhe krijojnë mundësitë për të rithyer pushtetin duke ndërhyrë në punët e brendshme, paralizuar qeverisjen qëndrore, dominimin politik në komunat me shumicë serbe, rrezikun permanent për shkëputje dhe bashkim me Serbinë. Këtë e dëshmon edhe krijimi i “Republikës Srpska” dhe paralizimi i Bosnje e Herzegovinës.

5.Rikthimi i serbëve që pretendohet se janë larguar nga presioni i shqiptarëve është një manovër e rrezikshme politike për të rikolonizuar Kosovën dhe ndryshuar përbërjen e popullsisë. Janë të frikshme njoftimet dhe dyshimet se në takimin, në 7 shtator në Bruksel, do të miratohet kthimi i 250 mijë serbëve në Kosovë. Propoganda serbe mashtron kur pretendon se këta janë larguar nga presioni i shqiptarëve!? Vuçiç po bën edhe propogandë të padrejtë fetare, me përhepjen e librit për ortodoksinë serbe dhe kërkesat për të marrë pronësinë e kishave serbe në Kosovë. Kishat janë ndërtuar kryesisht nga shqiptarët dhe në pronat e tyre. Kosova është një nga trojet shqiptare ku u përhap për herë të parë krishtërimi katolik, e më pas ortodoks në rajon. Serbët e ardhur e gjetën ortodoksinë tek shqiptarët. Ju rikujtojmë politikanëve serbë që vazhdojnë të njejtën politikë të vjetër se Mbretëria e Serbisë, Jugosllavia Federale në Kohën e Titos dhe ajo e Millosheviçit kanë dëbuar, genociduar e asimiluar disa milionë shqiptarë, kanë nën sundim akoma teritore shqiptare dhe u mohojnë të drejtat e liritë e njohura ndërkombëtarisht. Serbët në Kosovë kanë dhe ju janë garantuar në Kushtetutë dhe mbrohen në praktikën e përditshme shtetërore më shumë e realisht se minoritetet në çdo shtet tjetër të bashkësisë ndërkombëtare. Kërkojmë përsëri që edhe shqiptarët në trojet e tyre në Serbi, të kenë të njejtat të drejta dhe garanci reale si në Kosovë.