Ëngjëll MUSAI/ 11 shtatori shënoi fillimin e fundit të Bin Laden dhe ISIS

545
Sulmi terrorist i 11 Shtatorit të vitit 2001 padyshim që përbën një nga ngjarjet më tronditëse, jo vetëm për Amerikën, por edhe për demokracinë dhe humanizmin, që u godit barbarisht nga njerëz të pashpirt. Kjo datë do të qëndrojë e pashlyer në kujtesën e brezave të sotëm dhe atyre që do të vijnë për faktin se, terroristët me sulmet që ndërmorën kundër Shteteve të Bashkuara të Amerikës kërkuan të mposhtin simbolin e demokracisë botërore. Rrëmbimi i avionëve dhe kthimi i tyre në kamikazë tregoi se shpirtligësia e këtyre njerëzve nuk njeh kufij. Mijëra njerëz të pafajshëm humbën jetën, por miliona njerëz u solidarizuan me Amerikën. Mbarë kombi shqiptar e përjetoi në mënyrë dramatike dhe tregoi solidaritet të menjëhershëm me SHBA-të, aleatin dhe mikun e Shqipërisë dhe çështjes shqiptare. Terrorizmi i kishte bërë gabim llogaritë, pasi Amerika dhe shpirti amerikan është i pamposhtur. Bashkë me Amerikën u solidarizua mbarë bota e qytetëruar dhe laku i terroristëve dhe qarqeve që e mbështesnin po ngushtohej dita- ditës. Ish- Presidenti Xhorxh Bush, menjëherë pas ngjarjes vuri gishtin mbi kryeterroristin Bin Laden, i cili ishte përgjegjës për këtë fatkeqësi, e cila lëndoi zemrat amerikane, por kurrsesi nuk mund të mposhte demokracinë dhe fuqinë amerikane. “Do ta kërkojmë në çdo skutë dhe do ta nxjerrim nga shpella, ku është strukur gjallë, ose vdekur”, deklaroi Presidenti Bush në fjalimin përpara rrënojave të Kullave Binjake. Terroristët planifikuan dhe sulmuan dhe goditën Kullat madhështore të Nju Jorkut, por ata nuk e mposhtën dot simbolin amerikan. Kishte ardhur koha që terrorizmit, terroristëve me në krye sadistin Bin Laden dhe vendeve që i përkrahnin dhe i sponsorizonin ata, të viheshin përpara drejtësisë. Më 29 prill 2011, Presidenti Obama urdhëroi forcat speciale për neutralizimin e Bin Laden-it ,ekzekutimi i të cilit u bë më 2 Maji 2011 . Nisma e SHBA-ve për luftë pa kompromise kundër terrorizmit tregoi se Amerika kishte të drejtë. Vendi ynë u bashkua në nismën kundër terrorizmit dhe vazhdon të kontribuojë edhe sot me misionet paqeruajtëse në shumë vende të botës, përkrah ushtrisë amerikane dhe aleatëve që duan paqen dhe lirinë. Ngjarjet e 11 Shtatorit treguan se, me terrorizmin dhe terroristët, nuk ka kompromis dhe se ndaj tyre duhet luftuar me vendosmëri deri në zhdukjen e çdo qelize terroriste. Lufta mbi terrorizmin tregoi se drejtësia triumfoi dhe nuk i fali ata që morën mijëra jetë njerëzish të pafajshëm. Sakrificat amerikane dhe paqja që ajo po vendos në çdo cep të globit, duke përfshirë edhe “pranverën arabe”, tregoi lufta ndaj terrorizmit do jetë e gjatë, e vështirë, por ndaj saj nuk ka kthim prapa. Dalja në skenë në kohëve të fundit të grupeve terroriste ISIS, si dhe masakrat që këta terroristë po bëjnë në emër të Zotit tregojnë se rreziku ndaj lirisë dhe demokracisë është evident. Krimet e kryera nga kjo organizatë si dhe ekzistenca e disa qeverive diktatoriale në Lindjen e Mesme, ku Siria është më tipike, kanë bërë që një pjesë e mirë e popullsisë së vendeve arabe të kërkojnë azil politik në Turqi, Greqi, Gjermani dhe vendet e tjera të Perëndimit dhe ato nordike. Pamjet tronditëse, që ne shikojmë në vendet e sunduara nga ISIS, ekzekutimet me prerje kokash, si në Mesjetë, apo edhe largimime nga deti, të shoqëruara me mbytje dhe nxjerrje të kufomave dhe fëmijëve të vegjël në brigjet e ujrave tregonë se bota e qytetruar nuk mund të durojë dot më dhe se këtij durimi i ka ardhur fundi. Të gjitha këto tregojnë se 11 shtatori nuk ishte një rastësi, por një strategji, të cilës duhet t’i kundërpërgjigjet e gjithë bota që kërkon paqe dhe siguri, pjesë e së cilës është edhe populli shqiptar, i cili u godit dhe masakrua nga qarqet shoviniste serbe gjatë luftës në Kosovë, por që e gjeti paqen mes dhimbjes dhe lirisë, që i ofruan aleatët perndimorë me në krye vendosmërinë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Sigal