Vangjush Saro: Mllefi po bëhet institucion

Mllefi, inati, përbaltja, po bëhen institucion. Mbase thashë një fjalë të madhe, por ndryshe nuk mund të formulohen aktet e ulëta të të vegjëlve. Ka asish, “të kulturuar”, që nuk lënë rast pa derdhur vrer e pa nxjerrë mllef për kohën e shkuar. Dreqi ta hajë, po kohë e shkuar është, me të mirat dhe të këqijat e saj. E zëmë se kishte më shumë të këqija; mjaft më. U raskapit njeriu i sotëm, i riu i sotëm, nga kjo “kulturë” e mbrapshtë.

Mllefi po “shitet” si kulturë; janë bërë krejt normale: paraburgimi i njerëzve vend e pa vend, përfytja dhe sharjet mes vedi, persekutimi verbal dhe sulmet e pacipa gjer edhe ndaj të vdekurve, kanosjet dhe mallkimet e përditshme. Kjo farë fushate denigrimi dhe tymosjeje, po bëhet ditën për diell, në jetë dhe në gazeta e rrjete; madje edhe në ato ente e TV që qytetarët i paguajnë me taksat e tyre për të ndrequr gabimet kryesore të historisë e jo për të kryer hakmarrje apo për të përmbysur një palë në emër të një pale tjetër. Mendoj, shumica e qytetarëve besojnë që politika është ndër protagonistët kryesorë të sherrit dhe të vrerit. Tash së fundi, është mpleksur në zakonet e saj edhe Drejtësia. Çdo ditë dëgjon që u ndaluan aq e kaq… Pothuaj gjysma e shqiptarëve, ja po themi një e treta, janë në paraburgim, në ndjekje, në gjyqe, në bankat e prokurorëve. Kjo është e dhimbshme, por është edhe qesharake. Dakord, nëpunës të të gjitha rangjeve, shumë e shumë njerëz, jashtë dhe brenda vendit, e kanë tepruar zullumin; por jo më pak vetë drejtësia, që po bëhet shtet mbi shtetin. Bie fjala, çfarë është ky persekutim alla demokratikshe për ish-presidentin Ilir Meta dhe kryetarin e Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, por edhe për Ilir Beqjen (!) Përse i mbajnë pas hekurave, ç’kuptim ka? Përse e trazojnë publikun, duke lajmëruar për dosje me mijëra e mijëra faqe? (Ç’janë more këto mijëra faqe?) Dhe përse u shkelen të drejtat, aq sa janë, ndërkohë që Drejtësia përpiqet të jetë “korrekte” me gjithfarësoj banditësh. U bë një amnisti, që shumë mirë mund t’i kishte përfshirë edhe këta politikanë, ndërsa vazhdojnë të përplasen ditë për ditë me ngurtësinë e institucioneve të drejtësisë. Duke vënë në kandar kontributet e tyre dhe mandej, pse jo, edhe shkeljet, ashtu si janë, mund të gjendej një version më i pranueshëm ndërkohë që, siç e komentova jo pa ironi, veç shtohen… mijërat e faqeve në dosjet e tyre. Për fat të keq, ata vazhdojnë të mbahen ne izolim dhe kjo nuk mban më. Fundja, nuk e dimë me siguri çfarë kanë ngatërruar vërtet në atë, termin e modës, “korrupsion”; por e dimë me shumë siguri që nuk kanë vrarë a persektuar ndokënd… E ata vetë, këtë fat po pësojnë. Mllefi, inati, përbaltja, po bëhen institucion. Mbase thashë një fjalë të madhe, por ndryshe nuk mund të formulohen aktet e ulëta të të vegjëlve. Ka asish, “të kulturuar”, që nuk lënë rast pa derdhur vrer e pa nxjerrë mllef për kohën e shkuar. Dreqi ta hajë, po kohë e shkuar është, me të mirat dhe të këqijat e saj. E zëmë se kishte më shumë të këqija; mjaft më. U raskapit njeriu i sotëm, i riu i sotëm, nga kjo “kulturë” e mbrapshtë. Njerëzit përpiqen të gjejnë, apo të kenë një tablo sa më realiste nga çdo kohë, por të zotët e mllefeve nuk falin. Shkojnë gjer atje, sa të vënë në peshë Luftën Nacionalçlirimtare dhe dekadat e Socializmit me… Nazizmin (!) Po shkallon bota?! Siç shtova më lart, edhe entet dhe televizionet që paguhen me taksat e shqiptarëve në interpretimin e dokumenteve apo në dokumentarë e shënime të gjithfarë blogerëve a “të mençurve të vonuar” – mbetën duke vjellë vrer e duke bërë cilësime ekstremiste për njerëz dhe kohë të ndryshme. Së fundi, kam parë një sorrë që e quajti kohën e shkuar “diktaturë çnjerëzore”. Shiko, se këto janë shumë të kulturuara. Edhe diktaturë, edhe “çnjerëzore” (!) Tani, të shpjegohemi disi për termat dhe për kohën. Shqipëria u drejtua nga një klan komunist, i ardhur nga Lufta e Dytë Botërore me cilësinë e fituesit. Sigurisht, kishte shumë paqartësi dhe hile në atë ardhje. Por ky qe fati i gjysmës së botës. E gjithë Evropa Qendrore dhe Lindore, u përfshi në atë “aventurë”. Po ashtu Kina, Mongolia, Koreja, Vietnami, ndërkohë që në Greqi, Itali, Francë, etj., Partitë Komuniste gjithashtu erdhën me shumë autoritet nga Lufta Partizane. Kudo u dënuan bashkëpunëtorët e pushtuesve; patjetër me shumë zell. Ashtu edhe në Shqipëri, mos më keq e më zi se në vendet e tjera. Veç, duhet të kuptojmë dhe të pranojmë, që dekadat mund të ndryshojnë qëndrimet, teprimet, por jo faktet. Në ato vite, edhe intelektualë të shquar, filozofë e shkrimtarë nga më të cilësuarit në botë, u inspiruan nga ëndrra socialiste. Punë tjetër se më vonë u zbuluan gulagët, u zhvesh Bashkimi Sovjetik nga lavdia dhe bota mësoi që ajo ëndërr paskesh qenë një gënjeshtër. Në Shqipëri, gënjeshtra ishte edhe më troç se në vendet e tjera të Evropës. Por megjithatë, Shqipëria nuk ishte Azi dhe, ca më pak, Afrikë, sikundër do ta cilësonin disa komunistë të konvertuar në demokratë. Çfarë turpi! Ai vend i varfër i shkolloi, i bëri mjekë e profesorë, i dërgoi edhe në Francë e gjetkë për specializim; kurse ata ia kthyen (dhe vazhdojnë t’ia kthejnë) me vrer dhe me mllef. Ky është realiteti. Dhe ne, nuk mund të duartrokasim ca (me gjasë intelektualë) që u edukuan në ato mote të vështira, por tash janë shndërruar në “kritikë” të mëdhenj të atij sistemi. Në gjithçka, mllefi dhe të mllefosurit kërkojnë sot të pamundurën, të “ngrenë nga balta dhe të rivrasin të rënët”, do të thoshte Kadare; (që megjithatë, nuk mbeti edhe vetë pa nxjerrë ca mllefe, teksa shkroi së fundi me cinizëm për aksionet, për kanalet kulluese, për kroset pranverore, a thua këto i kishin shpikur shqiptarët! Oops!) Dhe meqë kujtuam të rënët, të kujtojmë edhe se si një kolegu ynë, për hir të së vërtetës shkrimtar i talentuar, në kohën që drejtoi një nga entet që kërkojnë me çdo kusht episodet më ekstreme të sistemit të kaluar, nuk la dëshmor e partizan pa e cilësuar terorist. Zot, na mba mendjen; të luftosh kundër pushtuesve nazi-fashistë, të biesh për atdheun dhe të të quajnë terrorist, kjo mund të ndodhë vetëm në Shqipëri. Pjesë e këtij mllefi, që nuk shuhet assesi, janë bërë së fundi edhe shkrimtarë të njohur, mes të cilëve do të përmendja K. Jakovën dhe R. Pulahën, për disa pjesë që (këta të mllefit e thonë) anojnë nga pushteti i kohës. Dhe ai enti që, siç thashë më lart, vdes për episodet më ekstremiste të së shkuarës, jo vetëm që e merr nëpër gojë shkrimtarin e nderuar – se ç’punë ka personazhi artistik i tij me një familje fshatarësh të pasur, ec e gjeje – por shkon e nguc të tjerët të ngatërrohen edhe me të vëllanë, T. Jakovën, ish-drejtues i PPSH, që në vitet ‘50 u përndoq mizorisht nga partia e vet. (Nuk ishte dhe as do të mbetej i pari që pësonte ashtu.) Në fillim të viteve ‘90, përballë nesh, jetuan disa muaj të afërm të tij, përfshi edhe të kunatën, shkrimtaren dhe muzikanten Dhora Leka; ato kishin kaluar nëpër skëterrë, nga burgu në burg, nga internimi në internim. Ish-kulakët e dramës së Kolës dhe familjarët e shkretë të Tukut, vinin nga klasa të ndryshme, por vuajtën njësoj; këta të fundit ndoshta edhe më shumë. Ç’njerëz jemi ne, që e hedhim vrerin ku të mundemi dhe nuk përpiqemi asfare t’i shpjegojmë sadopak me drejtësi ato konflikte të sajuara dhe ato vuajtje?! Mllefet, si produkt i gjoja antikomunistëve, po shërbejnë më së pari për t’u shpëlarë sërish trurin njerëzve, tash me të kundërtën e asaj që praktikohej dikur, duke e kthyer atë vend në një teatër ku shfaqen vetëm farsa, nga ato të pështirat dhe që s’kanë të mbaruar. Edhe sa kohë mund të shtyjmë me mllefe? Sigurisht, jeta e këtij populli dhe vetë historia do zënë vend një ditë, por pa mllefe (të vjetra e të reja) dhe pa devijuar ashtu siç e duan ata që për dekada të tëra paskan qenë në vrer e nën gur dhe tani, për pak audiencë apo për ca klikime më shumë, shesin trimëri e luajnë me fatet e atij populli… Kjo vlen edhe për Drejtësinë dhe gjithë sa vjen si hakmarrje politike apo si tymnajë për t’i prishur sytë dhe mendjen publikut. Nuk ia dalim dot duke gërthitur në kupë të qiellit vend e pa vend. Ditën që shoqëria shqiptare do të kuptojë sa shumë humbet duke u gërricur kësisoj, atëherë mund të themi se kemi hyrë në rrugën e duhur.

NOA