Ardian Abazaj: Në këtë kampionat të fortë, Pogradeci do ta sfidojë Laçin

KATEGORIA E PARË/ Ish-futbollisti dhe trajneri i liqenorëve, Ardian Abazaj, analizon ecurinë e garës në 21 javë

Agron KAJA

Sigal

Në këtë sezon të Kategorisë së Parë, skuadra e Pogradecit është një nga protagonistet, madje po lufton me Laçin për ngjitjen direkte nëAbissnet Superiore. Këtë situatë e përshkruan edhe ish-futbollisti dhe trajneri liqenor Ardian Abazaj, i cili dje për gazetën “Telegraf” po shkojmë drejt mbylljes së fazës së dytë dhe ndeshjet janë bërë shumë më të forta. Njëherësh, Abazaj tregon se braktisja e ndeshjeve nuk është normale dhe duhet që të ndëshkohet ky si fenomen. “Kategoria e Parë në vitet e fundit është bërë shumë e fortë dhe me rivalitet, pavarsisht problematikave që dalin gjatë rrugëtimit të garës. Sepse e gjithë shoqëria jonë i ka të tilla fenomene, por në gjykimin tim si specialist futbolli, unë nuk jam me braktisjen e një ndeshje. Për gjithçka që ndodh, ka se kush e gjykon. Gjithsesi, do thoja se kemi një kampionat të fortë dhe cilësor, sidomos nga tre skuadrat që renditen të parat: Skënderbeu, Laçi dhe Pogradeci”, kështu e nisi dje bisedën specialist i futbollit Adrian Abazaj, i cili për javën e 21-të veçon edhe 12 golat që u shënuan në 6 ndeshje, njëherësh edhe rezultatet që u arritën. “Nuk janë vetëm 12 golat tregues pozitiv për javën e 21-të. Unë do të shtoja edhe nivelin e mirë në disa ndeshje. Gjithsesi, duke u fokusuar te Pogradeci, duke ditur ecurinë e skuadrës, Apolonia ka qënë gjithmonë një kockë e fortë për të. Ndoshta goli i shpejtë i vuri në gjumë, dhe këtë duhet që ta disiplinojë skuadra, sepse ndeshja mbyllet kur bilbili i arbitrit e sinjalizon atë”. Këtë fundjavë, të shtunën dhe të dielën, Kategoria e Parë do të luajë ndeshjet e javës së 22-të, e cila është edhe java e fundit e fazës së dytë, nga ku formatohet renditja për fazën e tretë. Dhe për Abazajn, kjo do të jetë një javë e llogarive nga të gjitha skuadrat. “Formula e kampionatit e “ndez” javën e fundit të fazës së dytë. Referuar kalendarit dhe duke patur parasysh renditjen në 21 javë, kjo do të jetë edhe java e llogarive nga të gjitha skuadrat. Sepse çdo skuadër do kërkojë të përmirësohet në tabelë, dhe këtu dalim se do të kemi ndeshje të forta dhe të llogaritura për rezultatin. Ndërsa edhe Pogradeci kështu do ta presë Burrelin në fushën e tij ditën e dielë. Duke parë investimet dhe punët e mira që po bëhen me futbollin, them se Pogradeci do jetë pretendent kryesor për vëndin e dytë. Këtu besoj shumë se gjatë fazës së tretë do ta sfidojë Laçin. Ndërsa Laçi-Besa, e quaj kryendeshjen e kësaj jave”, ishte kjo analiza e Adrian Abazajt për 22 javët e luajtura në Kategorinë e Parë.

Të enjten Liga e Kombeve, Shqipëria në vazon e parë të shortit

Në muajin mars 2026, Kombëtarja e Shqipërisë do të luajë ndeshjet “Play Off” për kualifikim në Kupën e Botës. Në rast se nuk do të kualifikohet, përqendrimi do të jetë te Liga e Kombeve, aty ku Shqipëria dështoi herën e fundit. Në shortin zyrtar që do të hidhet më 12 shkurt në Bruksel, Kombëtarja do të marrë pjesë në Ligën C të edicionit 2026-2027 të UEFA Nations League. Ajo është e pozicionuar në vazon e parë për shortin e fazës së grupeve, ndërsa është bërë e ditur edhe ndarja e vazove. Kështu, pozicionimi në vazon e parë e vendos Shqipërinë mes përfaqësueseve me koeficientin më të lartë të kësaj lige, së bashku me ekipe si Islanda, Mali i Zi dhe Kazakistani. Ndërsa në vazot e tjera janë përfshirë përfaqësuese si Finlanda, Sllovakia, Bullgaria, Armenia, Bjellorusia, Qipro, Ishujt Faroe, Moldavia, Estonia dhe San Marino, si edhe fitues të ndeshjeve “play off” mes Ligës C dhe Ligës D. Ndërsa në Ligën e Kombeve të sezonit 2024-2025, Shqipëria dështoi në Grupin 1, ku në 6 ndeshje arriti 2 fitore, 1 barazim dhe 3 humbje. U rendit në vëndin e fundit që e zbriti në Ligën C.

Starti & Fituesit

UEFA Nations Leauge (Liga e Kombeve), ka nisur në vitin 2018-2029, fituese Portugalia; 2020-2021, fituese Franca; 2022-2023 fituese Spanja; 2024-2025, fituese Portugalia. Ky është turneu i 5-të.

Liga e Kombeve 2024

SHQIPËRIA-GRUPI 1

Shqipëri-Ukrainë                     1-2

Shqipëri-Rep. Çeke                 0-0

Gjeorgji-Shqipëri                     0-1

Rep. Çeke-Shqipëri                 2-0

Shqipëri-Gjeorgji                     0-1

Ukrainë-Shqipëri                     1-2

RENDITJA

Skuadrat                    Nd       P

1.Rep. Çeke                6          11

2.Ukraina                    6          8

3.Gjeorgjia                  6          7

4.Shqipëria                  6          7

Java e 22-të luhet në dy ditë, formatohet kalendari i fazës së tretë

Të shtunën dhe të dielën, në datat 14 dhe 15 shkurt 2026, Kategoria e Parë do të luajë ndeshjet e javës së 22-të, e cila është edhe e fundit për fazën e dytë. Pas këtyre sfidave, do të përcaktohet kalendari i fazës së tretë me formulën e zakonshme të përcaktuara nga FSHF-ja që në nisjen e sezonit. Mbetet vetëm përcaktimi i renditjes përfundmtare për fazën e dytë, e cila ditën e dielë datë 15 shkurt do jetë i zbardhur, sepse mbyllen të gjitha ndeshjet. Kështu, Kategoria e Parë ka hyrë në fazën më delikate të saj.

KATEGORIA E PARË

SEZONI 2025-2026     

Ndeshjet-Java e 22-të 

E shtunë, 14 shkurt 2026

AF Luftëtari-Kastrioti             13:30

Kukësi-Korabi                         13:30

Laçi-Besa                                13:30

Skënderbeu-Apolonia             16:30

E dielë, 15 shkurt 2026

Iliria-Lushnja                           13:30

Pogradeci-Burreli                    13:30

RENDITJA    

Skuadrat                    Nd       P

1.Skënderbeu              21        48

2.Laçi                          21        45

3.Pogradeci                 21        40

4.Kastrioti                   21        30

5.Burreli                      21        30

6.Iliria                          21        26

7.Besa                         21        25

8.Korabi                      21        24

9.Apolonia                  21        24

10.Lushnja                  21        20

11.AF Luftëtari           21        16

12.Kukësi                    21        12

 

Më të mirët e javës së 21-të, ja formacioni

Tradicionalisht, janë trajnerët e ekipeve kombëtare të moshave që përzgjedhin  formacionin dhe trajnerin më të mirë të kampionatit Kategoria e Parë. Për javën e 21-të, formacioni më i mirë i javës është ndërtuar sipas skemën 1-4-4-2 dhe përfshin futbollistë nga disa ekipe. Në portë: Skander Tahri-AF Luftëtari; Në mbrojtje Xhuliano Markoçi-Iliria, Alesandro Kacbufi-Kastrioti, Arlind Kurti-Laçi dhe Kosta Vangjeli-Skënderbeu; Në mesfushë: Uilliam Kordeiro-Besa, Ildi Xhakaj-Burreli, De Oliveira-Pogradeci dhe Edmond Hoxha-Kastrioti; Në sulm:

Irdi Morina-Korabi dhe Anthony Umejiego-Apolonia. Trajneri më i mirë i javës është shpallur Alfred Deliallisi i Korabit.