LIVERPUL MADHËSHTOR NË FINALE, Barcelona përmbyset në “Anfield”

511
Sigal

Kur bëhet fjala për mrekulli dhe përmbysje, skuadra e parë nga e cila duhet të “dridheni” është padyshim Liverpooli. Skuadra e Jurgen Klopp ka mrekulluar një botë të tërë duke mundur 4-0 në ndeshjen e kthimit Barcelonën dhe duke siguruar një biletë për në finalen e madhe të Madridit.  Liverpooli e nisi në mënyrë të frikshme duelin e kthimit. Sadio Mane rrëmben një top në hyrje të zonës, pason për Henderson, i cili ndalet nga Ter Stegen, por më pas Origi është në vendin e duhur për ta shtyrë topin në rrjetë. Goli i dha zemër skuadrës së Klopp që ju afrua edhe golit të dytë me Origin dhe Mane, ndërkohë që në minutën e 14-të, Messi tentoi me një parabël që të mposhtë Alisson, por braziliani u tregua i vëmendshëm.

4 minuta më pas portieri i Liverpooli ndali për mrekulli një goditje të Coutinhos.  Në minutën e 22-të, skuadra spanjolle është me fat, pasi Pique do të ndalte një goditje të Henderson në hyrje të zonës. Disa sekonda më pas Ter Stegen ndal në mënyrë spektakolare me trup një goditje të fortë të Henderson. Liverpooli dominon në lojë dhe në agresivitet në fushën e lojës, por blaugranët do të kishin dy mundësi të arta në fundin e pjesës së parë. Messi goditi ngjitur me shtyllën, ndërkohë që pak sekonda më pas shërbeu për Jordi Albën, i cili u ndal nga një pritje fantastike e portierit Alisson, që mbajti në lojë skuadrën e tij.

Në fillimin e fraksionit të dytë, Jurgen Klopp kryen menjëherë një zëvendësim duke aktivizuar Wijnaldum në vend të Robertson, pasi mbrojtësi uellsian u dëmtua në fundin e pjesës së parë. Ritmi nuk do të ndryshonte me vendasit që ushtrojnë presion, ndërkohë që blaugranët godasin me kundërsulm, por Alisson do të bënte një tjetër mrekulli ndaj Suarez. Në minutën e 54-t, në “Anfield Road” do të shpërthente dy herë festa brenda 2 minutash, teksa i sapofuturi në fushë Wijnaldum do të shënonte dy herë me kokë, pas krosimeve të Arnold dhe Shaqirit.

Barcelona përpiqet që të reagojë me Messin, por sërish Alisson është i pakalueshëm në kuadratin e portës. 10 minuta nga fundi i kohës së rregullt, Barcelona ishte në gjumë total, teksa Arnold ka përftiuar mjaft mirë duke shërbyer për Origin, i cili u harrua tërësisht në zonën e katalanasve. Kjo është një nga përmbysjet më të çmendura në historinë e Champions League dhe më e bukura për “The Reds” që kanë bërë të harrohet përmbysja e madhe ndaj Milanit në finalen e Champions League. Jurgen Klopp do të mbahet mend si trajneri që realizon mrekulli, pasi edhe pse nuk kishte Salah dhe Firminhon, si dhe Robertson vetëm për 45 minuta, ja doli të përmbyste një nga ekipet më të mira në planet.

LIVERPOOL-BARCELONA 4-0 (0-3)

7’ 1-0 Liverpooli e ka nisur në mënyrë të frikshme duelin e kthimit. Sadio Mane rrëmben një top në hyrje të zonës, pason për Henderson, i cili ndalet nga Ter Stegen, por më pas Origi është në vendin e duhur për ta shtyrë topin në rrjetë

54’ 2-0 Liverpooli nuk ka ndërmend të dorëzohet. Skuadra e Jugen Klopp ka shënuar golin e dytë me Wijnaldum, që shfrytëzoi më së miri një krosim të Arnold nga krahu i djathtë

56’ 3-0 Çmenduria nuk ka fund. Liverpooli shënon dhe golin e tretë sërish me Wijnaldum

79’ 4-0 Liverpooli kompleton mrekullinë  pamundur. “The Reds” kanë shënuar golin e katërt me Origin pasi kanë befasuar katalanasit me Arnold, i cili shërbeu për sulmuesin belg