Avokat Myftar Rusta: Protestuesve u detyrohemi jo vetëm mbështetje, por edhe një alternativë për Shqipërinë

Myftar Rusta

Nga Avokat Myftar Rusta
Student i Dhjetorit 1990

Së pari, dua të përshëndes organizatorët dhe mijëra qytetarët që, me përgjegjësi dhe dinjitet, kanë zgjedhur protestën si mjet demokratik për të shprehur pakënaqësinë e tyre.

Sigal

Protesta është një e drejtë kushtetuese. Ajo nuk është armike e shtetit; është zëri i qytetarit kur institucionet nuk dëgjojnë më.

Si student i Dhjetorit 1990, ndjej detyrimin moral të përshëndes çdo nismë qytetare që kërkon më shumë demokraci, më shumë drejtësi dhe më shumë përgjegjësi nga politika. Pikërisht për këtë arsye, prej vitesh kam qenë kritik ndaj mënyrës se si është qeverisur vendi, pavarësisht se kush ka qenë në pushtet. Kam kritikuar të majtën kur ka gabuar dhe kam kritikuar po aq fort edhe të djathtën kur ka humbur idealet për të cilat shqiptarët e besuan.

Për mua nuk ekzistojnë politikanë të paprekshëm. Ekziston vetëm interesi publik.

Por protesta nuk duhet të mbetet vetëm një revoltë. Ajo duhet të shndërrohet në një projekt kombëtar.

Prandaj besoj se ka ardhur koha të hapet një debat serioz për ndryshimin e modelit të shtetit shqiptar.

Republika Parlamentare, në mënyrën si është ndërtuar dhe ka funksionuar në Shqipëri gjatë këtyre dekadave, nuk ka arritur të krijojë ekuilibrin e nevojshëm ndërmjet pushteteve. Konfliktet politike janë bërë të përhershme, institucionet kanë humbur besimin e qytetarëve dhe pushteti është përqendruar gjithnjë e më shumë.

Për këtë arsye propozoj që Shqipëria të diskutojë kalimin drejt një Republike Gjysmë-Presidenciale, ku Presidenti, Parlamenti dhe Qeveria të kenë kompetenca të balancuara dhe kontroll real mbi njëri-tjetrin.

Po aq i domosdoshëm është edhe një ndryshim tjetër: çështjet më të rëndësishme kushtetuese nuk duhet të vendosen vetëm nga deputetët. Ato duhet t’i nënshtrohen referendumit popullor. Sovrani është populli dhe fjala e fundit duhet t’i takojë atij.

Një shtet modern nuk mund të ndërtohet me improvizime. Ligji duhet të përcaktojë norma të qarta për raportin ndërmjet numrit të banorëve dhe numrit të deputetëve, policëve, mjekëve, mësuesve, gjyqtarëve, prokurorëve, noterëve dhe zjarrfikësve. Këto standarde nuk duhet të ndryshojnë sipas interesit politik të radhës.

Po kështu, duhet të përcaktohet me ligj një raport i drejtë ndërmjet pagës më të ulët dhe pagës më të lartë në administratën publike, në mënyrë që shteti të jetë i pari që respekton drejtësinë sociale.

Ndërsa pensionet suplementare duhet të rezervohen vetëm për profesionet me rrezik dhe sakrificë të jashtëzakonshme, si minatorët dhe zjarrfikësit.

Shqiptarët nuk kanë më nevojë për premtime të reja. Kanë nevojë për rregulla të reja.

Nuk mjafton të ndryshojnë qeveritë, nëse mbetet i pandryshuar sistemi që i prodhon problemet.

Prandaj, mbështetja ime për protestuesit nuk është thirrje për përplasje. Është thirrje për reflektim kombëtar.

Le ta shfrytëzojmë këtë moment jo vetëm për të kërkuar llogari, por edhe për të ndërtuar një Republikë më të drejtë, më të balancuar dhe më demokratike.

Vetëm atëherë sakrifica e qytetarëve nuk do të ketë qenë e kotë.