Agron Duka: Marrëveshja PS-PD godet drejtpërdrejtë partitë e vogla, që ato të zhduken nga pluralizmi politik

811
Jakup B. GJOÇA
Nga marrëveshja Rama – Basha, ligjërisht dhe moralisht Kushtetuta është goditur. Duke mos lejuar koalicionet, kanë vendosur të dëmtojnë partitë e vogla, për të maksimizuar votat e partive të mëdha
Agron Duka, kryetari i PAA, ishte negociatori , që krijoi klimën politike të uljes në një tavolinë të kryeministrit Rama me kryetarin e Opozitës, që nëpërmjet bisedimeve të drejtpërdrejta t’i jepte zgjidhje Krizës Politike. Zoti Duka, në intervistën ekskluzive për gazetën “Telegraf”, shpreh edhe qëndrimin e tij politik për marrëveshjen Rama-Basha. 

Zoti Duka, Opozita u imponua nga Ndërkombëtarët, për më tepër nga SHBA (deklaratat e YEE), që të pranojë atë marrëveshje që nënshkroi, apo kryeministri Rama u ndërgjegjësua dhe u detyrua të kërkojë me marrëveshje zgjidhjen e Krizës Politike?
-Situata ishte më komplekse, nuk mund të thuhet se ishte vetëm roli i ndërkombëtarëve, ose lëshimi i Ramës. Ka pas faktorë të ndryshëm, si për shembull, vullneti i partive të vogla, PAA ka mbajtur gjithmonë një rol konstruktiv, për të zbutur tonet dhe për të gjetur një vijë të mesme. Personalisht, jam mirënjohës ndaj ndërkombëtarëve për vullnetin e mirë, pasi, nëse partitë e mëdha do të mbanin qëndrime ultimative, pasojat do të ishin negative për të gjithë shqiptarët. 

Marrëveshja Rama-Basha, ishte Pazar i interesave politike të PS-PD, (në dëm të partive të tjera politike), apo përmban kërkesat dhe kushtet e Opozitës për zgjedhje të lira dhe të ndershme? 
-Gjykoj se, nëpërmjet marrëveshjes, u krijuan kushtet për të zhvilluar një proces zgjedhor demokratik, sikurse meritojnë qytetarët shqiptarë dhe jo vetëm opozita. Nëse marrëveshja është thurur vetëm në interes të dy partive të mëdha dhe do të perceptohet si pazar për të vazhduar politikën e zakontë, do të vlerësohet nga elektorati i këtyre forcave. Unë, si Kryetar i Partisë Agrare Ambientaliste, kam qenë gjithnjë konsekuent me qëndrimet dhe veprimet e mia.

Ju a jeni plotësisht i kënaqur me marrëveshjen Rama-Basha? 
-Si qytetar, jam i kënaqur, pasi u krijuan kushtet për një zhvillim të qetë të jo vetëm të zgjedhjeve, por edhe të jetës sociale dhe ekonomike të vendit. Si kryetar partie, gjykoj se disa pika mund të gjenin një zgjidhje më optimale. Gjithsesi, ajo që ishte e rëndësishme në fund të gjithë kësaj krize, ishte rezultati. Nëse në 26 qershor nuk do të ketë shkelje, pretendime, akuza do të thotë se jemi duke u normalizuar në veprimtarinë tonë politike. 

Opozita tashmë, a është e garantuar politikisht, që do të ketë zgjedhje të lira dhe të ndershme, derisa administrata Zgjedhore, (d m th, numëruesit, vëzhguesit, etj) nuk kanë ndryshuar? 
-Siguri totale nuk ka asnjëherë, gjithsesi sensibilizimi ndaj atyre çështjeve që kemi ngritur në këto muaj, brenda dhe jashtë vendit, dhe masat që do të merren do të japin garanci, që nuk kanë ekzistuar më parë. Marrëveshja midis PS-së dhe PD-së i ngarkon këto forca me një përgjegjësi të madhe për gjithë procesin, në rast dështimi ato do të jenë bashkëfajtore. Në këndvështrimin tim, për administrimin e zgjedhjeve duhet të bëhej diçka më shumë, si për shembull zgjerimi i numrit të komisionerëve dhe numëruesve për të përfshirë këtu partitë e vogla.

Kritikat e para, erdhën nga opozitarë, të cilët u shprehën, se kryetari i PD u (vetëkënaq) u vetëmjaftua me disa poste qeveritare, duke braktisur Kauzën Politike, që me kryeministër Ramën nuk ka zgjedhje të lira dhe të ndershme. Ju si do të shpreheshit ndaj këtyre, nëse do kishit debat? 
– Unë u pajtova me kauzën për zgjidhje të lira dhe të ndershme, kauzë politike tjetër nuk kisha. Çdo aksion tjetër opozitar e kam kryer brenda parlamentit në funksion të mbrojtjes të atyre çështjeve, që PAA ka në fokusin e saj. Gjithsesi, në gjykimin tim, lëshimet ishin të detyrueshme nga të dyja palët, dhe kështu ndodhi. 

Cilat nga kushtet politike, që diskutuat Ju, si aleatë të PD, nuk u përfshinë në marrëveshjen Rama-Basha? 
-Në parim kushtet mund të konsiderohen të plotësuara, për sa ju thashë edhe më sipër. Bashkëpunimi ynë me PD-në ishte në kuadër të realizimit të zgjedhjeve cilësore dhe kjo u arrit. Kushtet e tjera, si identifikimi biometrik dhe numërimi elektronik ranë pre e marrëveshjes më të “madhe”. Kjo mund të na penalizojë, por mbetet për t’u parë. 

Kush ia jep të drejtën legjitime dhe Kushtetuese Ramës dhe Bashës, që të ndalojnë me marrëveshje koalicionet zgjedhore midis partive dhe subjekteve të tjera politike? 
-Në Shqipëri primatin e ka politika, dhe jo ligji, kjo është diçka e vjetër tanimë. Nëse partitë e mëdha bien dakord, nuk ka Kushtetutë, apo ligj t’i ndalojë. Fatkeqësisht, jemi në një xhungël, ku mbizotëron ligji i më të fortit. Ditën e hënë e gjithë marrëveshja do të legjitimohet nëpërmjet votës në parlament, por gjithsesi ligjërisht dhe moralisht Kushtetuta është goditur. Duke mos lejuar koalicionet, kanë vendosur të dëmtojnë partitë e vogla, për të maksimizuar votat e partive të mëdha.

Kodi Zgjedhor nuk e ndalon krijimin e aleancave parazgjedhore. Atëherë, a është legjitim, një kompromis midis 2 partive të mëdha, duke përjashtuar partitë e vogla? 
Legjitimiteti buron nga vullneti politik. PD dhe PS i kanë votat në parlament për të vendosur përtej afateve ligjore apo kohore. Nëse është e moralshme apo etike do të gjykohet nga qytetarët me votë. Megjithatë, shkelja më e rëndë që po bëhet është jo kundrejt partive të vogla, por kundrejt qytetarëve që nuk gjejnë përfaqësim dhe nuk identifikohen me PD-në ose PS-në. Këta qytetarë po trajtohen si të dorës së dytë, nuk bëhet fjalë për pak njerëz, por për gati 300 mijë zgjedhës. 

Ju, a e konceptoni se ky kompromisi Rama – Basha për të mos krijuar aleanca parazgjedhore, është në dëm të përfaqësimit të partive politike të tjera në Parlament? 
Është vetëm dhe ekskluzivisht në dëm të qytetarëve, që këto parti përfaqësojnë. Për të fituar betejën politike mes njëra-tjetrës dhe për të maksimizuar votat, vendosën të shfrytëzojnë Kodin Elektoral, që kanë shkruar bashkërisht në 2008, pra pikërisht me qëllim për të zhdukur nga harta politike ata zgjedhës, që nuk votojnë për PD-në ose PS-në. 

Derisa kryetarët e partive aleate të Opozitës, janë në Listat e Kandidatëve për Deputetë të PD, po anëtarët, simpatizantët e këtyre partive, detyrimisht duhet të votojnë vetëm PD, që vota e tyre të ketë vlerë, e të mos shkojë dëm? 
-Nëse kryetarët e partive do të vendosin të zgjidhen në listat e PD-së, kjo nuk e detyron elektoratin e tyre të bëjnë një zgjedhje të ngjashme, jo të gjithë simpatizantët e një partie të vogël janë të djathtë, ose duan të japin votën e tyre djathtas. Në gjykimin tim, kjo do të inkurajojë një farë “përtacie” pasi mund të zgjedhin të bëjnë një fushatë me profil të ulët, me shpenzime të limituara, por gjithsesi me një humbje në imazhin e partisë. Secila forcë politike, sikurse edhe PAA-ja, do të diskutojë në këtë pak kohë që ka mbetur me struktura,t dhe do të veprojë në dobi të interesave të qytetarëve që përfaqëson ose synon të përfaqësojë. 

Partitë e tjera, që tashmë nuk marrin pjesë në zgjedhje parlamentare, ose nuk kanë më mundësi që të fitojnë dhe të bëhen parti parlamentare, DE FACTO humbasin edhe rolin e tyre politik? 
Politika që ka një farë peshe bëhet vetëm në parlament, nëse një parti humb përfaqësimin, humb mundësinë për të dhënë kontributin e saj në politikëbërje. Ato parti që nuk do të marrin pjesë në zgjedhje janë të dënuara. Normalisht disa parti kanë mbijetuar edhe pa qenë parlamentare, si partitë e z. Gjnushi ose z. Milo, por gjithsesi, edhe pse janë personalitete të respektuara, ata nuk kanë më asnjë ndikim në jetën politike të vendit. 

Zoti Duka, PS por edhe PD asnjëherë nuk kanë fituar zgjedhjet parlamentare, pa koalicione zgjedhore. Edhe tani, me këtë Kod Zgjedhor, vështirë që PD ose PS të dalin forca e parë politike. Ju çfarë koalicione paszgjedhore parashikoni? 
-Normalisht edhe në këto zgjedhje nuk do të ketë një parti që do të tejkalojë 71 votat e kërkuara për të qeverisur e vetme, pra patjetër do të ketë një aleancë paszgjedhore. Aleanca të tilla, në këtë kontekst politik, mund të jenë dy. Partia e parë me një ose dy parti të vogla, në varësi të numrave që do të lipsen, ose një koalicion PS-PD me një program të mirëpërcaktuar bipartizan. Kjo e fundit, në frymën e miqësisë së re të Bashës dhe Ramës, nuk duket më një hipotezë absurde. Gjithsesi mendoj se legjislatura e ardhshme do të ndikohet ende nga partitë e vogla, dhe çdo mandat i tyre do të bëjë diferencën midis të qenit në opozitë apo në qeveri. 

Ka ndonjë mundësi, që PD dhe PS të bëjnë koalicion paszgjedhor, për qeverisje? 
-Sikurse thashë më sipër, besoj se nuk është naivitet të mendosh se mund të ketë një tentativë qeverisës midis PS dhe PD, nëse konfigurimi i parlamentit të ardhshëm do të kërkojë një aleancë të tillë. Për më tepër, në marrëveshjen e sigluar nga palët, theksohet një bashkëpunim për legjislaturën e ardhshme, pra nuk kemi pse të habitemi nëse kjo do të ndodhë.

Po mundësinë e koalicionit paszgjedhor PD-LSI, ju personalisht i jepni shumë probabilitet?
Ky është një kolaicion që ka një precedent historik, pra PD-LSI kanë qeverisur katër vite bashkë. Nëse numrat do ta kërkojnë, mund të vendosin të kalojnë edhe një katër vite të tjera bashkë.

1
Identifikimi biometrik dhe numërimi elektronik ranë pre e marrëveshjes më të “madhe”. Kjo mund të na penalizojë
2
Përcaktimi i 25 qershorit ka ardhur si pasojë e kërkesës së Ramës për të vendosur një farë lidershipi në krahun e tij politik. Kjo datë pruri pasoja negative për të gjitha partitë e vogla
Sigal