Të shtëna me armë në strofkën e lojërave të fatit, zbardhet ngjarja

480
Detaje të reja janë dhënë nga policia lidhur me sherrin e ndodhur një ditë më parë në një lokal në Kurbin, ku një person ka mbetur i lënduar.

Rreth orës 02:00 të së dielës, është marrë njoftim se në Spitalin Rajonal Lezhë, ka shkuar i dëmtuar me mjete të mprehta në dorë një person, bëjnë me dije burime zyrtare nga policia.

Është ngritur grupi hetimor dhe ka filluar menjëherë hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes.

Nga veprimet hetimore ka rezultuar se në një lokal në Fushë Gjormë në Kurbin, në gjendje të dehur, Lekë Kola është vetë dëmtuar në krah (me shishe pije alkoolike të thyer). Gjithashtu, dyshohet se janë përdorur edhe armë zhurmuese imituese si dhe Lekë Kola ka pasur armë zjarri dhe në gjendje të dehur ka qëlluar në ajër ku nuk ka pasur asnjë person të plagosur.

Gjatë këqyrjes në vendngjarje janë gjetur dhe sekuestruar 1 gëzhojë armë zjarri në ambientet e jashtme të lokalit dhe 2 gëzhoja pistolete simuluese (pistoleta imituese zhurmuese).

Nga Seksioni për hetimin e krimeve në Komisariatin e Policisë Kurbin në bashkëpunim me Drejtorinë Vendore të Policisë Lezhë, në vijim të veprimeve procedurale hetimore, u bë i mundur dokumentimi ligjor i kësaj ngjarje ku si rezultat:

U arrestuan në flagrancë:
Lek? Kola, 36 vjeç, banues në Lezhë për veprat penale “Moskallëzim krimi ” “Prodhim dhe mbajtje pa leje e armëve luftarake dhe municionit” ” Prishje e qetësisë publike”.

– Alfred Kola, 32 vjeç,banues në Lezhë për veprën penale ” Moskallëzim krimi”.

– Vlash Currakaj, 21 vjeç, banues në Lezhë për veprën penale “Moskallëzim krimi” parashikuar nga Neni 300 i Kodit Penal.

Gjithashtu u proceduan penalisht në gjendje të lirë: M.G., 27 vjeç, banues në Krujë dhe A.A., 20 vjeç, banues në Kurbin për veprën penale “Moskallëzim krimi”.

U shpall në kërkim dhe punohet për kapjen e M.(B).L., 32 vjeç, banues në Kurbin, pasi ai kujdesej për lokalin dhe dyshohet se pas ngjarjes ka prishur vendin e ngjarjes dhe është larguar. 

Veprat penale në ngarkim të tij janë: “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës” dhe ” Moskallëzim krimi”.

Gjithashtu gjatë kontrollit të ushtruar në këtë lokal u gjetën dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale 6 kompjutera lojëra fati të paliçensuara.

Në lidhje me këtë u procedua penalisht në gjendje të lirë A.B., 21 vjeç, banues në Kurbin për veprat penale “Fshehja e të ardhurave” “Vënia në dispozicion e lokalit për lojëra të palejuara”.

Gjithashtu u shpall në kërkim dhe punohet për kapjen e A.(F.) L., 29 vjeç, banues në Malbardhë të Kurbinit, i cili u shpall në kërkim për veprën penale “Organizimi i llotarive të palejuara”.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Kurbin për veprime të mëtejshme.
Sigal