Vangjush Saro: Mjaft me sherre, bëni referendum!

288
Sigal

Shoqëria shqiptare, në krizë me të gjitha institucionet e saj, nuk po i kontrollon më dot ‘propozimet’ e mjera të amatorëve e anonimëve për historinë, artin, kulturën e gjithçka. Një grup deputetësh pa identitet, kanë sajuar një draft që kufizon krijimtarinë letrare dhe artistike të dekadave të socializmit.

Është ndezur sërish keq beteja (e humbur) me Luftën dhe me disa vlera të së shkuarës, përfshi kinemanë, përndryshe njëri aspekt i të ashtuquajturit ‘dekomunistizim’, që këta ia kanë shtrembëruar kuptimin dhe e kanë kthyer në një këngë harbutçe (që çirret tash tri dekada dhe së shumti e këndojnë vetë ish-komunistët). E kishin në dorë hapjen e dosjeve dhe s’e bënë. Çfarë i ka penguar? Thuhet se mund të ketë shumë drama… Ndërkaq, ata kanë futur duart në to, i kanë manipuluar sipas interesave, i kanë përdorur në betejat e tyre politike sikur farsa qesharake që s’kanë të mbaruar. Në një nga shkrimet e hershme (botuar në të përditshmen e nderuar “Telegraf”) jam shprehur për kategoritë, që mund të ‘dekomunistizohen’ të parat: “Këta mund të jenë politikanë deri në një nivel të caktuar (kjo është punë marrëveshjesh); zyrtarë të lartë, përfshirë edhe ata vendorë; shkrimtarë dhe publicistë aktivë (jo të rastësishëm) në gazetat e përditshme, etj. Kjo është, nëse nuk duan drama e njëherësh u përplaset e vërteta atyre që bëjnë si ‘të përvëluar’ për një çikë ‘dekomunistizim’ e që s’u mbyllet gryka për të shkuarën, në kurriz të së cilës kanë përfituar, por duan të përfitojnë ende. Vendi ynë është bërë me të vërtetë qesharak me këto pretendime e sherre pa fund. Ç’të themi më parë? Kundër kontributit të popullit shqiptar në Luftën e Dytë Botërore, doli njëherë me shpatë të madhe një poet i cili pastaj u arratis. Tani një grup deputetësh, njerëz pothuaj anonimë, pa identitet, pa ndonjë prurje për të qenë në këto vite, kanë sajuar një draft që mëton të ndalojë apo të kufizojë krijimtarinë letrare dhe artistike të dekadave të socializmit. Ka edhe më. Lexova dikë që i cilësonte diversantët ‘trima’ dhe e zmadhonte ‘çështjen’ e tyre. Po, një sërë ishin të krisur, u kishin rrëmbyer tokat, u përsekutonin njerëzit e mbetur në atdhe. Por ashtu siç themi këto, duhet të themi edhe që ‘trimërinë’ e tregonin ndonjëherë me femrat që mëtonin të emancipoheshin, madje dhe me fëmijët. Më tej, duhet të jesh naiv që të mos kuptosh se e gjithë ajo histori, për më shumë se një dekadë, nuk ishte veçse një komedi që Perëndimi e luajti në kurriz të shqiptarëve, atyre jashtë dhe këtyre brenda. Këta njerëz ishin viktimë, i kapnin për veshi ata që i kishin mbajtur me bukë vite me radhë edhe i nisnin mish për top, një e nga një, dy e nga dy… dhe vetëm kjo mënyrë qesharake ‘diversioni’ – asnjëherë ata nuk u bënë bashkë, nuk zotëruan një copë tokë, nuk u inkurajuan me ndonjë rebelim nga brenda – vetëm kjo të jep të kuptosh se asgjë nuk ishte serioze dhe… për të përmbysur pushtetin e komunistëve (!) Perëndimi thjesht testonte pa le sa i qëndrueshëm mund të ishte ai vend (me gjasë më i dobëti në Bllokun Socialist) dhe a mund të bëhej provë ndërhyrja e armatosur ndaj atij komuniteti të frikshë? Por ka edhe më keq. Del tash ndonjë tejet i mençur dhe vë në diskutim librat e kontributin e shkrimtares britanike Edith Durham. Ata që duan të përmbyset gjithçka e madje kjo të bëhet edhe me ligje, janë më shumë se të marrë. Shoqëria shqiptare, në krizë me të gjitha institucionet e saj, nuk po i kontrollon më dot ‘propozimet’ e mjera të amatorëve e anonimëve për historinë, artin, kulturën, gjithçka. Dhe në këtë kaos, qeveria e z. Edi Rama jo vetëm që nuk është afruar të tregojë ndonjë zgjidhje a pajtim, por përkundrazi herë pas here i hedh zjarrit benzinë. (Nga ajo e lira.) Përse duhet ta përcjellim me fyerje gjithë sa ka të bëjë me të shkuarën? Në cilin shtet inskenohen farsa të tilla, vetëm e vetëm se ca fanatikë nuk dinë të menaxhojnë urrejtjet e tyre? Në këtë temë, ka njerëz që luajnë jetë e mot: në komunizëm, në kapitalizëm e në daçi, edhe në neofashizëm. Kanë punuar në organet e PPSH-së, mësues historie, madje edhe në shtypin e Ushtrisë Popullore dhe tani e rrëfejnë ndryshe, krejt ndryshe historinë. Ndonjëherë kanë edhe mbështetjen e institucioneve (përfshi Parlamentin) që paguhen nga taksat e qytetarëve të lodhur e në vështirësi ekonomike. Dhe kjo është më shumë se trishtuese. Shoqëria shqiptare është vënë në pozitë tejet qesharake. Ka ardhur koha që kjo kërleshje të përfundojë; si edhe çështje të tjera kaq shumë të diskutuara. Ndoshta lipset një referendum; për këtë dhe pikëpyetjet e tjera që po e raskapitin atë popull e atë vend. Që të qëndroj pak këtu, ndonjëherë vërtet habitem me disa shkrues. Derdhin mbi këto tema një vrer që të habit, duke kujtuar vetëm pamjet e errëta të kohës, duke vjellë pareshtur urrejtje, duke marrë nëpër gojë gjithfarë njerëzish, me të cilët, me shumë gjasë, kanë qenë afër e mbase u janë servilosur dikur… por jo, tani marrin përsipër vetëm të gjykojnë, të dënojnë. Është kaq e hidhur të pranosh se nuk paskan gjetur asnjëherë e askund qoftë edhe një moment ndryshe, një fije drite a shprese, por kanë jetuar gjithë kohës nën këtë stres e hipokrizi, duke urryer e duke pasur frikë. Është e dhimbshme të mendosh se si dekada të tëra nuk kanë gëzuar as edhe grimën e lumturisë a të kënaqësisë nga jeta reale; me të vërtetë një mjerim i gatuar me një zell që të trishton. Veç nëse… kushedi, praktikojnë një shtirje të turpshme dhe vetëm kaq; sepse në shumë raste, ata që kanë qenë shtypësit dhe kanë punuar në organet e shtypjes, tani na flasin për shtypjen, në mos edhe thonë që kanë qenë të shtypur… Dhe kjo nuk ishte aspak një kalambur. Kjo thjesht është për të qeshur e për të qarë. Por ja, s’janë të lehta shpjegimet dhe nuk gjendet përherë vullneti i duhur për të dalë nga kjo kënetë që ka helmuar për dekada të tëra jetën e atij vendi. Lufta. Paqja. Emancipimi. Artet. Përndjekja. Dosjet. Të vërtetat dhe të shtuarat… Kjo nuk është një sprovë e lehtë dhe nuk bën për njerëz të pasinqertë. Sikundër them në një shënim për librin tim “Shqipëria në dy kohë”, kjo temë nuk është as për nostalgjikët, as për ekstremistët. Atëherë, shikoni vërtet mundësinë për të bërë referendum, nëse ka në këtë mes ndopak seriozitet. Përndryshe, pranoni – më së pari ju pushtetarë që kini në dorë institucionet – pranoni që zvarritja përjetësisht e këtyre temave ju intereson, ju zgjat jetën në pushtet e ju mbulon prapësitë. Dhe është kaq e trishtë!