– Politika shqiptare nuk lëshon rreze shprese, por mbjell vetëm, pa siguri, agresivitet dhe injorancë qytetare.
-Pse edukimi, qëllimi, realizimi dhe sekreti i një jete sa më cilësore në Shqipëri ndodhen në udhëkryq nga politika e deformuar!?
– Nëse ne duam të përmirësojmë shëndetësinë, ne duhet të edukojmë doktorët, studentët, pacientët, me dije të reja, me kërkime shkencore.
Nga Prof.Assoc. Ilia S. Larti
Sekreti më i madh i përsosmërisë së racës njerëzore, përgjigjen e vetë e gjen, te problemi i edukimit. Kanti
Veprime për formimin e njeriut, për ta mësuar dhe udhëhequr atë drejt pjekurisë, në aspektin e formimit intelektual, marrjes së njohurive psikologjike, për të njohur dhe kontrolluar sjelljen e njeriut, si dhe për të përshkruar lidhjen e nevojave emocionale të individit me mjedisin social, vlerave morale, të cilat kërkojnë që njeriu të shkojë drejt së mirës supreme, virtytit e të tjera është EDUKIMI. Qëllimi i edukimit është fillimisht motivimi dhe krijimi i mendimit të arsyeshëm për t’u arsimuar në të gjitha nivelet e sistemit arsimor dhe pastaj, për t’u përshtatur në shoqërinë e emancipuar demokratike dhe më tej, formimi për të gjykuar në mënyrë vetjake dhe të lirë, si dhe për të ndërtuar një vijë sjellje që të përcjellë kulturë, qytetari. Ku patjetër dhe domosdoshmërisht të shoqërohet me të qenit aktiv sa dhe i suksesshëm në marrëdhënie njerëzore, të nisura nga arsyeja praktike, e cila është e aftë të përcaktojë konkretisht dhe bindshëm se si ne duhet të sillemi, duke vendosur e praktikuar pikërisht atë që duhet të jetë vija e sjelljes sonë, duke manifestuar, frymën ligjore, parimet morale, normat etike, shijet estetike tej. Edukimi bazë realizohet me marrje njohurish teorike, formim sa më të plotë profesional, edukim të mirëfilltë bashkëkohor, nëpërmjet përgatitjes së gjerë dhe të shumanshme. Duke përvetësuar nga ana teorike sa dhe praktike lëndët, modulet e deri kurrikulat nëpër shkolla dhe universitete. Ku në këtë sens ky formim do të ndikojë, për të siguruar një jetë sa më cilësore dhe humane sa dhe sociale. Sigurisht në këtë këndvështrim, duhen njohur dhe vlerësuar hapësirat sa ligjore dhe ato morale në kontekstin e lirive dhe të drejtave të njeriut, diversitetit, çështjeve gjinore etj. Domosdoshmërisht këto duhen parë me pikësynimin, për ta vlerësuar me përgjegjësi angazhimin e ecurisë së jetës sa më normale nëpërmjet veprimtarive të suksesshme në aspektin ekonomiko-shoqëror në interes të vetes, familjes dhe gjithë komunitetit, ku jeton dhe vepron. Vend në programet mësimore duhet të zërë vend dhe “Edukimi shoqëror”, i cili ka si qëllim të favorizojë procesin e socializmit pozitiv jo vetëm brenda hapësirës së komunitetit, të cilit i përkasin, nxënësit, kursantët, studentët, por edhe një konteksti edhe më të gjerë social.
Konceptualiteti dhe roli i edukimit për formimin e adoleshentëve dhe fëmijëve
“Edukimi nuk është përgatitje për jetën; por është, vetë jeta..!“ Xhon Djui

Konceptualiteti për edukimin
Si çdo shkencë, formimdije, e çdo fushë tjetër e caktuar bashkudhëtare e jetës, ka filozofinë e vet, sikurse dhe fusha e edukimit. “Filozofia e edukimit”, pavarësisht emërtimit disiplinor, e cili daton që nga shekulli i XIX-të, por ama, me një fillesë që me Platonin dhe Aristotelin, pra, duke pasur pikënisjen që nga shekulli IV-t, para Erës sonë e më tej duke u lëvruar pothuajse pandërprerë gjatë gjithë zhvillimeve të mëvonshme ekonomiko-shoqërore. “Filozofia e Edukimit”, u profilizua në mënyrën më të larmishme qoftë përsa i përket, konceptualitetit, por dhe përkufizimit disiplinor. Në këtë kontekst, duke ju referuar qëllimeve, por sigurisht pa anashkaluar zhvillimet e një fizionomie dhe strukture në aspektin unitar, parë kjo, në kontekstin e rrafshit disiplinor, si dhe e përqendruar te marrëdhënia e ndërsjellë bi-polare, natyrë-arsye, trup-mendje. Kjo marrëdhënie e ndërsjellët bi-polare na shpjegon qartazi edhe arsyet se përse përvijimi i “filozofisë së edukimit”, si një disiplinë e mëvetësishme zuri vend shumë shekuj më vonë. Falë bi-polarizimit të saj strukturor, “Filozofia e Edukimit”, shihej dhe shihet si pjesë jo vetëm e njohjes, por edhe e etikës dhe politikës. Edukimi i njeriut ishte dhe është pjesë përbërëse, madje programatike e përgatitjes së tij qoftë si qenie individuale, qoftë dhe si qenie shoqërore. Sikurse dhe përgatitja fizike, si dhe ajo mendore e njeriut, ishte dhe është një proces që programohej dhe programohet, që zinte dhe zë vend nën dritën e kontributeve dhe përfitimeve që kjo përgatitje i sillte dhe i sjell shoqërisë.
Procesi i edukimit shpërfaqej dhe shpërfaqet si pjesë e një synimi mbi atë individual.
Pra, në këtë kontekst synohej dhe synohet ecuria dhe rritja e përvijimit të një shoqërie dhe të një jete sa më cilësore, në përsosje të vazhdueshme, në aspektin e mirëqenies dhe për të qenë njeriu sa më i kulturuar dhe sa më i lumtur. Kur një shoqëri humbet besimin te vlerat e edukimit (nga keqqeverisja), ajo humbet shpirtin e qytetarisë, humbet çdo formë të saj dhe transformohet në një gjendje pa formë dhe përmbajtje që nuk lëshon rreze shprese, por mbjell vetëm, pa siguri, agresivitet dhe injorancë qytetare. Nëse ne duam të përmirësojmë shëndetësinë, ne duhet të edukojmë doktorët, studentët, pacientët, me dije të reja, me kërkime shkencore, me vlera humane, të cilët janë vazhdimisht në kërkim të dijes dhe përmirësimit të shëndetit fiziko-mendorë. Nëse duam të ndërtojmë risi në çdo fushë të shoqërisë, duhet të ndërtojmë institucione, si: shkolla, gjimnaze, universitete, laboratorë, të cilat do të krijojnë njeriun e së ardhmes, duke hequr dorë nga të menduarit pa vlera. Sëmundja e fokusimit drejt botës materiale (sipas qejfeve të politikës) dhe vlerësimi i individit vetëm nga paraja, krijon një shoqëri pa vlera humane, sociale, me ndjenja pangopësie dhe për t’u pasuruar, në rrugë jo të ndershme, e cila qëllimin parësor ka për zhvatjen e gjithçkaje që i del përpara. Kjo jo vetëm rrit kriminalitetin, por krijon një injorancë totale në mendësinë e çdo individi ku antivlerat shndërrohen në vlera, ku imoraliteti shndërrohet në moral, ku antiligji shndërrohet në ligj dhe krijon një krizë të thellë psikike, ku shformon dhe tjetërson mënyrën e të menduarit dhe shkatërron koshiencën dhe vetëdijen qytetare.
A është e drejtë që ne sot merremi më tepër me analiza jo reale, duke mos ju referuar rezultateve, pa evidentuar mangësitë, përgjegjësitë detyrimet sociale dhe harrojmë që të merremi me thelbin real të problemeve, të cilat diktojnë planifikimin dhe realizimin e formave edukuese si: Pranimin dhe angazhimin për të qenë aktiv në edukim! Praktikimin e punës për një vetëdukim cilësor! Krijimin e Mendimit Kritik! Zgjimin e Mendjes! Iluminim Njerëzor!
Zhvillim ekonomiko-shoqëror! Harmoni dhe bashkëpunim për interesat e shoqërisë! Besim tek Njëri-Tjetri! Të gjitha këto kërkojnë investime strategjike me sfond “Edukimin”, i cili ka ndikim të konsiderueshëm për përgatiten e brezave të ardhshëm me angazhimin për t’u marrë dhe zhvilluar shkencën, përftuar dijet, aplikimit të tolerancës së kulturuar, pranimin e risisë.
Në lidhje me këto, të gjithë studiuesit, intelektualet bien dakord në krijimin e “Fondit të Mendimit”, i cili ka mundësinë reale që të shkundë çdo pluhur dhe mëri të së kaluarës dhe me një synim të qartë, duke parë përpara drejt një të ardhmeje më me vlera dhe standarde të mirëpranuara. Në këtë mënyrë arihet të ndërtohet “Tempulli i Dijes”, i cili do të jetë efektiv, me një ndikim mjaft konkret për zhvillimin ekonomiko-shoqëror me nivel cilësor dhe ritme sa më të shpejta, drejt një jete sa më cilësore dhe sa më të kulturuar, duke u bërë e prekshme për mbarë qytetarët.






















