Universiteti Mesdhetar i Shqipërisë, lajmëtar pararojë i ndryshimeve

267

(Diplomohet brezi i vitit 2021-2022 i Universitetit Mesdhetar të Shqipërisë).

Sigal

Akademik Prof.Dr. Anastas Angjeli

Akademik Prof.Dr. Anastas Angjeli

 

Universiteti Mesdhetar është sot pas 14 vitesh një lokomotivë e pandalshme e dijes, duke patur si synim parësor, përmirësimin brenda vetes, në mënyrë që t’i ofrojë të rinjve jo vetëm garancinë se ardhmja e tyre është në duar të sigurta, por edhe një ofertë akademike që i bën ata të denjë e të pregatitur për tregun e punës.

Të kënaqur që në praninë e studentëve, të ftuarve dhe të stafit akademik të UMSH-së ne diplomojmë brezin e 11- të studentëve të Universitetit Mesdhetar të Shqipërisë dhe kënaqësia dhe emocionet e kësaj dite të veçantë, mbeten për mua si themelues i këtij Universiteti të papërshkrueshme. Veçanërisht, kur shoh kaq shumë të rinj dhe prindër që na kanë besuar edukimin e tyre.

Ky besim, ka qenë shtysa më e madhe që Universiteti Mesdhetar të jetë sot pas 14 vitesh një lokomotivë e pandalshme e dijes, duke patur si synim parësor, përmirësimin brenda vetes, në mënyrë që t’i ofrojë të rinjve jo vetëm garancinë se ardhmja e tyre është në duar të sigurta, por edhe një ofertë akademike që i bën ata të denjë e të pregatitur për tregun e punës.

Sot, nuk do të ndalem gjatë në vështirësitë dhe sfidat që të gjithë përballuam tre vitet e fundit, për shkak të pandemisë së Covid, por në fakt këto vite shënojnë pikërisht edhe pikën e kthesës për të çuar Universitetin Mesdhetar të Shqipërisë, në një Etapë të Re.

Ne të gjithë bashkë, patëm mundësinë të reflektojmë, të ndryshojmë e të tejkalojmë me ritme të shpejta problematika të pamenduara më parë, të rikonsiderojmë prioritetet e të rinjve tanë përballë një realiteti të ri që kërkon përgjegjësi dhe angazhim maksimal.

Kërkoj mbi të gjitha përshtatshmëri ndaj ndryshimeve të vrullshme të teknologjisë, ku ajo çka dukej si vizion dhe objektiv i një të ardhmeje të afërt u kthye menjëherë në domosdoshmëri të së tashmes.

Ndaj këtë vit Universiteti Mesdhetar I Shqipërisë me ekspertët më të mirë të fushës u orientua drejt atij që quhet tregu i brendshëm rajonal dhe ndërkombëtar i punës duke ofruar për studentët e tij edhe një fakultet të ri të dedikuar për informatikën që do të ofrojë dije të shkencës në teknologji informatike, inteligjencë artificiale e robotike etj, fakultet që do t’i ofrojë  studentëve tanë mundësi të unifikuara punësimi brenda dhe jashtë vendit me programe studimi, të cilat sot mbeten më të kërkuarat, por edhe më të paguarat.

Për t’u ndalur më gjatë në ndërkombëtarizimin e arsimit, i cili mbetet kryeprioritet jo vetëm i Universitetit tonë, por i të gjithë vendit në kuadër të procesit të integrimit europian. Ne kemi zgjeruar partneritetin me dhjetra Universitete të huaja dhe gjithashtu nga tetori i këtij viti do të mundësojmë për herë të parë për studentët tanë, diplomat e dyfishta. Kjo mundësi e jashtëzakonshme për ta, na çon më pranë hapësirës europiane, dhe nga ana tjetër pregatit më mirë gjeneratën e re me përvojën e vendeve më të zhvilluara.

Bashkimi Europian mbetet mbështetës i studentëve tanë dhe falë bashkëpunimit dhe programit ERASMUS, Universiteti Mesdhetar i Shqipërisë plotëson të gjitha standardet e cilësisë, si edhe dërgon çdo vit për një semestër apo vit akademik dhjetra studentë duke shkëmbyer profesorët dhe dije, përvojë dhe metodologji në universitetet më të njohura europiane duke shërbyer si urë lidhëse për këto shkëmbime, të cilat tashmë kanë përfshirë masivisht gjithë universitetin tonë, në të gjitha dimensionet.

Kërkimi shkencor gjithashtu kalon në një nivel tjetër me programet e doktoraturës, me hapjen e së cilave këtë vit Universiteti Mesdhetar i Shqipërisë, plotëson gjithë gamën e studimeve që ofrohen në arsimin e lartë, por nga ana tjetër hap një dritare të rëndësishme për kërkuesit e rinj si kontributorë për zhvillimin ekonomik të të gjithë vendit, por edhe pjesëmarrja në projekte nga më të ndryshmet, që nga dëshirë tashmë është shndërruar në realitet, duke marrë pjesë e realizuar dhjetra të tilla. Tashmë edhe si lider në bashkëpunime me disa universitetete partnere europiane e rajonale.

Presidenti i Universitetit Mesdhetar, Akademik Prof. Dr. Anastas Angjeli dhe Rektori i UM, Prof. Adrian Civici

Këto risi, sëbashku me lirinë akademike, debatin intelektual, investimet në infrastrukturë e dixhitalizim na bëjnë të jemi krenarë se po ecim në të njëjtin ritëm me institucionet e arsimit të lartë në Mesdhe e Europë, dhe përpjekja e pandalshme do të vazhdojë të ketë rezultatet e saj vit pas viti.

E gjithë bota po shkon drejt një koncepti të ri Universitetesh, që kanë të bëjnë me revolucionin dixhital, inteligjencën artificiale, start up-et, të cilat kanë efekte madhore për ekonominë, punësimin, sigurinë dhe gjithë shoqërinë.

Universiteti i së ardhmes vendos qasje të reja mësimore innovative. Ai trajnon qytetarët, përmes ndërkombëtarizimit të dijes dhe mobilitetit të studentëve e pedagogëve.

Në epokën dixhitale dhe përballë një evolucioni teknologjik, ndryshimesh ekonomike dhe transformimesh shoqërore, universiteti paralajmëron ndryshimet e shoqërisë. UMSH është një lajmëtar pararojë e këtyre ndryshimeve

Universiteti i së ardhmes parashikon diploma dhe kualifikime që mund të përmbushen për punët e së nesërmes, rritja e “fleksibilitetit”, e ndikuar nga evolucioni i profesioneve dhe pritshmëritë e punëdhënësit. Ai synon përvetësimin nga studentët të aftësive universale për të rimenduar, vepruar, parashikuar dhe marrë parasysh zgjidhje alternative për skenarët kompleksë të së ardhmes. Ai adopton një praktikë ndërsektoriale që integron një qasje ndërdisiplinore dhe ndërprofesionale për të maksimizuar bashkëpunimin dhe këndvështrimin i përbashkët.

“Universiteti Mesdhetar i Shqipërisë, integron module të përgjithësuara “Soft skills” duke i kombinuar këto me aftësitë emocionale të përshtatjes, kreativitetin, inteligjencën emocionale, të menduarit kritik, fleksibilitete njohëse, gjykime, negocimi, mendje të hapura dhe punë në ekip”

Ky model tek i cili mbështetet Universiteti Mesdhetar i Shqipërisë, integron module të përgjithësuara “Soft skills” duke i kombinuar këto me aftësitë emocionale të përshtatjes, kreativitetin, inteligjencën emocionale, të menduarit kritik, fleksibilitete njohëse, gjykime, negocimi, mendje të hapura dhe punë në ekip. Kalimin nga “kuptimi në veprim”, forcimin e kapaciteteve për të kaluar nga mësimi në veprim mbi botën reale.

Në këtë mënyrë ne kalojmë duke u përshtatur me kohën  nga një mënyre pedagogjike me në qendër mësuesin, drejt të mësuarit me në qendër studentin.

Dhë në besojmë se vetëm duke pasur në qendër studentin do të mundemi t’I ofrojmë atyre përqafimin e këtij vizioni të së ardhmes.

Deri tani është bërë shumë. Brezat e të diplomuarve tanë falë kësaj filozofie dhe vendosmërie, sot japin kontributin e tyre duke punuar në institucione të ndryshme publike dhe private si ekonomistë, juristë, administratorë, specialistë të shkencave politike dhe marrëdhënieve ndërkombëtare, por edhe duke vazhduar studimet e mëtejshme si brenda dhe jashtë vendit. Këta të diplomuar janë prova më e dukshme e punës sonë, janë kontributi ynë për shoqërinë dhe njëkohësisht kontributi për të ardhmen europiane të vendit tonë.

Dhe për ta mbyllur, si prind më shumë sesa gjithçka tjetër, sot dua që të gjithë ju që jeni këtu, por edhe ata që do të jenë pas jush, të kuptojnë rëndësinë se të ardhmen e Shqipërisë e keni ju në dorë dhe ajo nuk ndërtohet as me dëshirën për t’u larguar dhe as me dëshirën për të parë se diku gjetkë është më mirë, por me dëshirën dhe vullnetin e përbashkët që më të mirën ta bëjmë këtu, të gjithë bashkë!

Ceremonia 2022, Universiteti Mesdhetar i Shqipërisë diplomon brezin e 11-të të studentëve

Universiteti Mesdhetar i Shqipërisë, diplomoi sot brezin e 11-të të studentëve. Të pranishëm në ceremoninë e brezit 2022, ishin Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, Zv.Ministrja e Arsimit Albana Tole, CEO i Bankës Kombëtare Tregtare,Seyhan Pencabligli e dhjetra të ftuar të tjerë, përfaqësues të biznesit, politikës e komunitetit akademik. “Në epokën dixhitale dhe përballë një evolucioni teknologjik, ndryshimesh ekonomike dhe transformimesh, universiteti paralajmëron ndryshimet e shoqërisë. UMSH është një lajmëtar pararojë e këtyre ndryshimeve. Dhe ne besojmë se vetëm duke pasur në qendër studentin do të mundemi t’i ofrojmë atyre përqafimin e këtij vizioni të së ardhmes”, u shpreh Presidenti i Universitetit Mesdhetar, Akademik, Prof.Dr Anastas Angjeli në fjalën e tij. Ai theksoi se, të diplomuarit e Universitetit Mesdhetar të Shqipërisë,janë prova më e dukshme e kontributit për shoqërinë dhe njëkohësisht kontribut për të ardhmen europiane të vendit. Kryetari i Bashkisë së Tiranës vlerësoi stafin akademik të Universitetit Mesdhetar dhe uroi studentët e prindërit në këtë ditë të veçantë, duke nënvizuar rëndësinë që ka edukimi si dhe mbështetja e të rinjve.
“Sot gëzohem bashkë me ju sepse kam fituar kolegë të rinj, që do e bëjnë Tiranën më të mirë. Ka njerëz që thonë se kush ka është më i fortë. Por, në fakt, më i fortë është ai që di. Ndaj, besoj se keni bërë investimin më të rëndësishëm, për të marrë dije”, iu drejtua Veliaj studentëve.

Sipas tij, viti 2022 ka qenë një vit i suksesshëm për Tiranën, kushtuar rinisë. Veliaj vlerësoi faktin se për herë të pare, universiteti do pasurohet edhe me degët e reja të teknologjisë së informacionit.

“Teknologjia e informacionit na i ka bërë ca gjëra më të lehta, por ca gjëra edhe më të vështira. Na ka lehtësuar faktin se lejet dhe licencat i japim online, taksat i procesojmë online, parkimin e bëjmë online, ama nëse Shqipëria hyn në një konflikt, siç ka qenë konflikti i fundit me Iranin, do të thotë se jemi dixhitalisht të ekspozuar ndaj botës, sepse kemi dhënë akses edhe për efekt të transparencës. Kjo na bën të kuptojmë se kemi shumë nevojë për zanate të tilla”, tha ai.

Rektori i Universitetit Mesdhetar, Prof.Dr, Adrian Civici përgëzoi studentët për mbylljen e këtij rrugëtimi, duke theksuar se e ardhmja e tyre pas diplomimit do të ndërtohet me e sigurtë me dijet që kanë përfituar pranë këtij Universiteti.

CEO i Bankës Kombëtare tregëtare,Seyhan Pencabligli gjithashtu dha një mesazh të rëndësishëm për studentët duke i ftuar të mendojne për vendin duke e ndërtuar të ardhmen e tyre në Shqipëri, ku mundësitë nuk mungojnë. Studentët e ekselencës gjithashtu dhanë dëshmitë e tyre, për studimet në Universitetin Mesdhetar dhe dyert që u janë hapur pas përfundimit me sukses.