Prof. Dr. Bajram Hysa: Nga burojnë revoltat dhe konfliktet

1455
Sigal

Shoqata e Investitorëve të Huaj (FIAA) ka prezantuar rezultatet e vëzhgimit për mjedisin e biznesit 2019, të zhvilluar me anëtarët e saj, që janë sipërmarrjet më të rëndësishme në vend, si banka, kompani që veprojnë në fushën e industrisë, naftës, telekomunikacionit, energjisë, konsulencës etj. Sipërmarrjet vlerësojnë se klima e biznesit në 6 muajt e parë të vitit ishte e pavaforshme. Bizneset janë pyetur të vlerësojnë klimën nga 0 në 100, ku zero është e pafavorshme dhe 100 shumë e favorshme dhe rezultati ishte 39. Bizneset janë pyetur se sa problem janë këto pengesa për aktivitetin e tyre: monopoli & konkurrenca e pandershme; korrupsioni; burokracia e qeverisë dhe ekonomia informale, duke vlerësuar nga zero kur nuk ka pengesë, deri në 100 që është një pengesë e madhe. Pengesa kryesore e identifikuar nga bizneset është monopoli dhe konkurrenca e pandershme, me 68 pikë, e ndjekur nga korrupsioni me 67, burokracitë e qeverisë me 64 dhe në fund ekonomia informale, me 61. Bizneset vlerësojnë se përkeqësimin më të madh e ka shënuar klima politike (32 pikë, ku zero tregon përkeqësim domethënës), e ndjekur nga transparenca në procedurat qeveritare (38), rregulli e siguria (41) dhe sistemi dhe procedurat e prokurimit publik (42).

Le të shohim nga afër çështjet që shqetësojnë investitorët

Padyshim askush nuk mund ta mohojë ekzistencën e monopolit dhe konkurrencës së pandershme. Shohim shumë blerës e shitës në treg, por asnjëri prej tyre nuk ka fuqi për të ndikuar në çmim, nëpërmjet një veprimi individual. Kjo vërehet te lëndët ushqimore bazë, shoqëritë telefonike, karburantet, madje edhe te perimet e frutat. Konsumatori nuk ka asnjë alternativë. Shitësit i kanë plotësisht në dorë blerësit. Kjo tregon se qeveria ka krijuar privilegje ekskluzive, duke favorizuar disa dhe duke i detyruar të tjerët të ndjekin rrugën e tyre pa u ndihmuar. Ata që gëzojnë privilegjin e fuqisë monopoliste kanë larguar shumë të tjerë nga konkurrenca, duke i detyruar të mbyllin bizneset për shkak të tregut të kufizuar. Lista e tyre është e gjatë. Sot flitet për oligarkë që favorizohen me tenderë e koncesione. Por nuk duhet përjashtuar edhe termi “oligopolist” që, sipas fjalorit, do të thotë “një ndër pak shitës”. Shembuj të situatave të oligopolit gjen gjithandej nëpër Shqipëri. Çmimet e tyre janë çmime të administruara nga monopoli, i cili ka krijuar mjaft konfuzion në treg dhe ka varfëruar popullsinë. Fuqia e tregut është tejet e drobitur. A nuk është kjo një politikë antisociale? Ekonomia jonë sot vuan nga politika e çmimeve të administruara që ka çorientuar tregun dhe fenomeni i ofertave të pakërkuara, apo ndryshe PPP-të e famshme, të cilat i kanë varur një gur të rëndë në qafë të gjithë qytetarëve shqiptarë. Për sa i përket konkurrencës, ajo asqë nuk njihet si koncept . Ata që drejtojnë nuk kanë asnjë aftësi për të reflektuar, për të bërë të vetën të paktën diçka nga eksperienca e të tjerëve. Si mund të funksionojë një ekonomi tregu me njerëz kaq egoistë, që nuk respektojnë parimin bazë të konkurrencës së lirë? Pse qeveria nuk ka hartuar ligje specifike për të nxitur konkurrencën? Si mund të lejohen firma dhe kompani të paskrupullta që të nxjerrin jashtë bizneset dhe firmat e tjera? Konkurrenca pothuajse nuk ekziston, përderisa shteti dhe qeveria nuk kanë një program të mbrojtjes së kësaj konkurrence. Mazhoranca qeverisëse nuk e kursen retorikën për përgjegjësitë sociale dhe politikat nxitëse ndaj biznesit, për krijimin e vendeve të punës, por përkushtimi ndaj interesit publik praktikisht është në nivele diskriminuese. Interesat e zyrtarëve shtetërorë janë interesa të ngushta dhe egoiste, që kanë nxitur më së shumti kaosin social dhe politik në vend. Jetojmë në një shoqëri ku drejtuesit qeveritarë nuk sillen në mënyra racionale, por në vend të rregullit i kushtohen retorikës dhe propagandës boshe, duke avancuar në interesat e tyre private dhe korruptive. Ne nuk presim që qeveria Rama të jetë një “deus ex machina”, një fuqi e dërguar nga qielli, por konsiderimi i saj si diçka impersonale është pikërisht burimi i revoltës dhe konfliktit social që po zien. Pra nuk është thjesht kërkesa e opozitës për garantim të procesit zgjedhor ajo që ka çuar në pikën e vlimit “kazanin social”. Legjitimiteti i votës sigurisht që është lajtmotiv i besueshëm dhe mobilizues. Por arsyeja bazë e demonstrimit popullor është se qeveria ka humbur ndërveprimin social me qytetarët shqiptarë, pavarësisht nga bindja dhe përkatësia politike e shoqërore. Rebelimin tashmë njerëzit e mendojnë jo thjesht në kuadrin e protestës politike të opozitës, por si kurs të sjelljes së tyre qytetare, për një reflektim të madh social dhe politik në vend. Në fund të fundit është e drejta e tyre ekskluzive që duhet pranuar gjerësisht edhe nga ndërkombëtarët. Ne na duhet sot një politikë jo thjesht e majtë apo e djathtë, por një politikë që të plotësojë qëllimet e saj, të jetë në shërbim të njerëzve. Të bëjë ndryshimin e rregullave të lojës për të arritur rezultatet e pritshme për integrimin dhe mirëqenien. Por duhet të kemi parasysh se, një rregull që thotë se rregullat mund të ndryshojnë në çdo kohe, siç ndodhi me ndryshimet kushtetuese të 2008-s, do të shkatërronte themelet për shumë kooperime shoqërore e politike, duke rrezikuar edhe formën më të rëndësishme të kapitalit, që është kapitali njerëzor dhe ky do të ishte një kapitullim i turpshëm historik i demokracisë dhe shtetit shqiptar.