Panariti: E vetmja shpresë mbetet një model tjetër qeverisje që t’i mbyllë këto plagë!

252
Sigal

Nga Edmond Panariti

Qumësht që rrjedh nga jashtë brenda dhe fermerët që rrjedhin nga brenda jashtë!

Ashtu siç nuk ka ndodhur më parë autocisterna me qumësht të importuar furnizojnë tani rregullisht fabrikat e përpunimit të qumështit te ne.

Industria jonë e qumështit, po kthehet në fasoneri!

Asnjë qindarkë mbështetje direkte për të dhe furnizuesit e saj, fermerin dhe blegtorët vendas.
Asnjë dhe asgjë! Edhe në këtë pandemi të rëndë u lanë pa përkrahje. U braktisën!

Qumështi i fermave tona, nuk e konkurron më atë të importit. Fermat po mbyllen. Lopët delet po firaksin. Një vend historikisht dhe tradicionalisht blegtoral, rrezikon të mbetet pa bagëti dhe bujqësi.
I vetmi artikull “eksporti” mbeten fermerët të cilët të braktisur dhe varfëruar po lëvizin nga brenda jashtë në kampet e azilit të Evropës.

Shpëtoni blegtorët dhe blegtorinë!

Duke i ulur barrën e tatimeve dhe të taksave. Ktheni rimbursimin e plotë të TVSH për fabrikat e qumështit, që ato të blejnë qumështin e fermave tona. Jepuni para në dorë për çdo kokë bagëti të mbarështuar ashtu siç bën Evropa dhe vëllai ynë i vogël Kosova. Ndaloni konkurrencën e pa ndershme të qumështit të importit me mekanizma ligjore që ja u njeh edhe marrëveshja e tregtisë së lirë.
Bëjeni siç bëjnë të gjithë ata që e duan vërtetë vendin dhe banorët e tij.

Mos i persekutoni, blegtorët dhe barinjtë duke i përndjekur dhe mbyllur stanet, baxhot, pikat e therjes apo dyqanet e vogla me anë të policisë ushqimore të quajtur AKU, apo me xhandarmërinë tatimore për të favorizuar një grusht mega biznesesh.

Lërini të mbijetojnë dhe marrin frymë në një vend që është edhe i tyre. Por ky model drejtimi dhe qeverisje nuk i bën këto! Sepse ai është vetë sëmundja dhe jo ilaçi kundër saj.

E vetmja shpresë mbetet një model tjetër qeverisje që t’i mbyllë këto plagë.