Klodi Stralla: Më mirë një mik ,se sa një çiflig!

13
Sigal

Drejtori i shkollës u martua me motrën e rojes së shkollës, që vërtet ishte shumë e bukur. Duke qenë se ishin një shtëpi, drejtori filloi t’a afrojë më shumë rojen, madje, një herë, kur mungoi një mësues, i kërkoi të rrijë në klasë me nxënësit që të mos bëjnë zhurmë. Diçka e tillë filloi të përsëritej, kështu, roja filloi dhe të japë mësim. Sa herë që mungonte një mësues, vinte roja gjithë qejf dhe e zëvendësonte.

Pak nga pak, nga roje, drejtori e emëroi mikun mësues. Kaluan disa vite dhe drejtorit iu ofrua posti i drejtorit të arsimit publik, ndërkohë, miku i tij u emërua po prej tij drejtor shkolle. Pas ca vitesh, drejtori u zgjodh ministër arsimi, sakaq miku i tij u emërua po prej tij drejtor arsimi, kishte zyrë, staf, makinë, udhëtime, dieta …

Një ditë, teksa drejtori ynë lexonte shtypin, i ulur në tavolinë dhe duke rrufitur kafenë e mëngjesit, lexon një njoftim të ministrisë, në të cilin thuhej se ministri i arsimit kishte dhënë urdhër të formohej një komision për verifikimin e dëshmive të stafit të ministrisë dhe nivelin e tyre akademik.

E pushtoi frika, e kapi ankthi dhe iu tha pështyma në gojë. Ai s’kishte as dhe një dëshmi akademike dhe formimi i atij komisioni të mallkuar do ta nxirrte lakuriq. Ai nuk ishte më shumë sesa një roje shkolle.

Menjëherë mori në telefon kunatin e tij dhe i tha:

-Kunat! Ti e di se unë s’kam as dhe një dipllomë dhe nëse formohet ai komision, unë jam i pari që demaskohem.

Por kunati i tij ministër, me një zë të qetë i tha:

-Mos e kij atë dert zoti drejtor! Të kam emëruar ty kryetar të komisionit!

Shenim:
Kjo rrëfenjë sigurisht është e sajuar dhe unë e huazova prej dikujt, por filozofia e saj është kuintesenca e asaj që ndodh sot tek ne, prandaj edhe ia vlen t’a risjellim si zbavitje në këtë fundjave marsi. Edhe titulli nuk është rastësor, por një shprehje e njohur popullore shqiptare.