Dr. Kujtim Drishti: Jemi kthyer si në diktaturën e Enverit

338
Sigal

JEMI KTHYER NË KOHËN TJETËRSUAR TË ENVER HOXHËS

Nga Kujtim Drishti:

(Koment mbi artikullin e Edi Ramës botuar më 31 maj 2020)

E lexova artikullin. E pamundur, thashë, jemi kthyer në kohën e Enver Hoxhës.
Të del një piktor dhe të hiqet si specialist për gjithçka, edhe për artin edhe për arkitekturën, deri këtu hahet, por kur të del si specialist i Historisë, aty e kupton se përse ai e ka të lehtë të fshijë historinë. Një gjë është e qartë, Edi Rama ka para, ose miqtë e Edit Ramës kanë shumë para, si për të hapur ekspozitë pikture personale në Nju York, ashtu dhe për të shkruajtur në  prestigjiozen franceze « Le Monde ».  Unë do të analizoj artikullin e tij. Por do ta bëj këtë analizë në disa shtresa: në faktin Historik, në artin e të folurit përpara publikut dhe në psikologjinë e Edi Ramës. Kjo e fundit shprehet tek rreshti i fundit të shkrimit të tij, ku ai përfundon në një paradë mesianike universale: “Shpifni, shpifni, sepse do mbetet gjithnjë diçka, të huazuar nga Francis Bacon, në shekullin e XVII.” Mesianiku Edi Rama, e di se do mbetet diçka në të vërtetë, por kjo është e vërteta historike, që ai e shuan, sepse ai nuk e do historinë e Shqipërisë, sepse ajo ka shumë gjak. Paradën e Francis Baconit e kanë përdorur të gjithë gënjeshtarët e botës për të kthyer të vërtetat me kokë poshtë. Me këtë frazë të Francis Bacon, ai mbyll tezën e tij, se ngjaria e Teatrit është e mbushur me shpifje. Le të shikojmë se cila është teza fillestare e hedhur nga autori në artikull. “Prandaj është e dëshpërueshme të konstatosh, shkruan ai, se deri në ç’pikë gënjeshtrat dhe lajmet e cunguara shpërndahen sot në botën tonë, duke bërë të nevojshme që e vërteta të zvarritet në baltë më parë se të dalë për të fituar, ndërsa faktet u dashkan të bëjnë një udhëtim të gjatë në shkretëtirë përpara se të arrijnë në portin e duhur”. Çfarë thotë Edi Rama këtu? Asgjë të re veçse me një stil letrar kondicionon lexuesin me idenë universale, se të vërtetës i duhet një rrugë e gjatë për të triumfuar. Thirrja e të vërtetave universale do t’i shërbejë atij, për të nxjerrë të vërtetën e tij, si e vërtetë universale. Mësim i pa marrë nga historia në konditat e një shteti pa Gjykatë Kushtetuese. Por cila është e vërteta universale e Edi Ramës? E vërteta universale e Edi Ramës është përqëndruar në frazilitetin e një ndërtese, godinës së Teatrit popullor, çfarëdolloj rëndësie historike të kishte ajo, diskutimi do të orientohej gjithnjë në faktin, që kjo godinë nuk është e ndërtuar me normativat moderne. Për këtë, ai duhej të merrte dhe dëshmitë e artistëve të teatrit, për të thënë se kjo godinë nuk është e ndërtuar për teatër, është pa hapësirë, jo e rehatshme dhe e ndërtuar me një material frazil. I duhej të krijonte me dhjetra komisione ekspertësh që të vërtetonin frazhilitetin e godinës. Deri këtu ne i japim të drejtë Edi Ramës,  dhe ai nuk mungon në paraqitjen në artikullin e tij të të gjitha këtyre fakteve. Madje shton në fund të kësaj radhitje:
“Vérité oblige: le bâtiment du Théâtre national n’a jamais été classé comme un monument protégé.” /– “E vërteta na detyron: ndërtesa e Teatrit nacional nuk ka qenë kurrë e klasifikuar si një monument nën mbrojtje”. Por ka një detaj që ai e neglizhon me qëllim:
“ ndërkohë që punimet e shkatërrimit të teatrit kishin filluar, disa parti politike organizuan me shpejtësi një manifestim, duke vënë përpara alibinë e tij -partitë politike, ai harroi t’i thotë botës se teatri kish muaj që ishte pushtuar nga mbrojtësit naivë të tij, dhe se në orën 4 të mëngjesit, të 17 majit, forcat e rendit u përplasën me ta. Prapa këtij detaji qëndron ajo që ai neglizhon të thotë, sepse e drejta nuk mbaron këtu. A mund të mbarojë e vërteta dhe e drejta në frazhilietin e godinës, me të cilin është dakort çdo njeri i arsyeshëm? Për argumentat e mëposhtme ne do të shikojmë se Edi Rama bëhet vetë cungues i pjesës tjetër të së vërtetës. Dhe në këtë lojë futet edhe gazeta “Le Monde”, që e ndjen se ekziston një pjesë e errët në këtë mes. Ajo zgjedh pikën më të dobët të shkrimit për t’a vendosur si titull prezantues artikullin e kryeministrit shqiptar: “Një informacion i cunguar transformohet në mënyrë të paevitueshme në një gënjeshtër të madhe. Por po të shikojmë me kujdes, cili nocion është e kundërta e gënjeshtrës? E kundërta e gënjeshtrës është e vërteta. Atëhere përse mjeshtërit e gazetarisë franceze të “Le Monde”,   zgjodhën këtë pasazh, ngatërrimin e nocionit të së vërtetës me nocionin e informacionit? Përse ata nuk thonë:  “Një e vërtetë e cunguar kthehet në gënjeshtër?” -Arsyeja është e thjeshtë: Ata e ndjejnë se nuk e njohin të vërtetën dhe nuk angazhohen në nocionin e së vërtetës, duke tradhëtuar me elegancën franceze, në një farë mënyre, autorin e shkrimit. Pra këtu vimë në pjesën e dytë të së vërtetës, në atë që nuk është më material, por që çuditërisht, ngriti njerëzit në protestë. Ashtu si çdo njeri është i ndërtuar me lëndë, me mish e me gjak nga njëra anë, dhe me shpirt nga ana tjetër, po ashtu dhe kjo ndërtesë, kishte një shpirt. Populli e ndjente, prandaj u hodh ta mbronte pa mendje të kthjellët, se përse, por shpirti nuk është i kapshëm, konkret dhe i vendosshëm në tryezën e negociacioneve midis ekspertëve të arkitektonikës. Njerëzit më të angazhuar e pushtuan teatrin sepse e kuptonin se ai mbante në vete një pjesë të shpirtit të kombit. Cili ishte ky shpirt i Kombit, i përqëndruar në këtë ndërtesë frazhile?
Studiuesi Aurel Plasari, vërtetoi me dokumentacione, se diçka e rëndë dhe e madhe kishte ndodhur në këtë ndërtesë të kryeqytetit shqiptar. Punimi i tij ishte skrupuloz dhe serioz. Por për dreq në Shqipëri nuk ka akoma një Akademi që ta mbështeste punimin e tij, e të merrte inisiativën të kërkohej emërtimi i “monumentit në mbrojtje”. Në kontekstin e Shqipërisë, pa Gjykatë Kushtetuese, ai që është kryetar i shtetit, i ngjan më shumë Mbretit, se sa një kryetari shteti demokratik. Ju le të nënkuptoni pasojat e këtij fakti, jo vetëm në Shqipëri, por edhe në hartimin e këtij artikulli të mbretit arrogant. Duhej një shpirt elegant, një “bel âme”, që të kish kuptuar simbolikën e kësaj ndërtese. Dhe ata dolën por përpara mbretit jo elegant, u mospërfillën. Në këtë ndërtesë “u ekzkutua intelektualizmi”, -thotë avokati Spartak Ngjela. Dhe kjo ndodhi në vitet e para pas Çlirimit. Që prej asaj kohe u kristalizua një përçmim për intelektualin në Shqipëri. Por a është koha ku intelektuali të ketë zenë vendin e tij në popull?  JO!!


“Po”!- thotë Edi Rama, unë jam intelektual, ja ku e keni dhe artikullin tim në gazetën e intelektualëve të botës. Ndërkohë që Bauman ka deklaruar: -“La décadence des intellectuels”, që pas viteve 80-të të shekullit të shkuar. Ndërkohë që dy studiues francezë akuzojnë faqen e fshehur të “Le monde” në librin e tyre investigues “La face caché du Monde”, (Pierre Péan dhe Philippe Cohen). Po duhej një shpirt elegant për të kuptuar përse u ndërtua një grup për mbrojtjen e Teatrit, i cili ishte brenda në teatër, kur forcat e rendit të veshura me antiplumb dhe kaskat e mesjetës, sulmuan godinën në orën 4 të mëngjesit, ashtu siç sulmohen terroristët e armatosur në Paris. Por këtë, publiku francez nuk e di. Nuk e di që kjo ndërtesë, ishte vendi ku u ekzkutua intelektualizmi në kohën e komunizmit në Shqipëri. Vërtet ai ishte i dobët në raportin forcave me komunistët, por populli ka kuptuar se ne do ishim krejt ndryshe sot, po të kishim patur një opozitë të fortë. Ky mësim duket se nuk i shkon për shtat asnjë qeverie, asnjë partie në Shqipëri. Nëse ky aspekt, bërja e gjyqeve kundra opozitës inetelektuale shqiptare, përfaqësonte antivlerën, ekzekutimin e vlerës, për ironi të Historisë, kjo ndërtesë iu kushtua Vlerës së Artit, ku publiku zbuloi artin e madh botëror, i cili i tejkalonte kufijtë e vlerës së ideologjisë komuniste dhe mbajti popullin në një ëndërr të bukur për dekada me radhë, ndërkohë që lufta e klasave vazhdonte tmerrin e saj, këtë herë mbi vete njerëzit, që e kishin përkrahur. E po pastaj? Thonë partizanët e Edi Ramës ai ka dedikuar antivlerës një bunker 200 metra më tej. Po! Në mes të Kryeqytetit si për të thënë se bunkeri do të mbetet një atavizëm psikologjik, edhe tek kryetarët e shtetit shqiptar. Të ftohet ndaj emocionit që prodhon ai. Por Edi Rama është materialist dhe e di se po vrave trupin, ke vrarë dhe shpirtin. Në artin e negociacioneve, Edi Rama është një sofist i orës së parë. Mbështetet në të vërteta universal, për të bërë të vërteten e tij si universale. Konditat i ka. Paraja nuk u mungon të shkruajë edhe në “Le Monde”. Por për ekspertët e artit të të folurit në public, ai keqpërdor autorët e botës. Në këtë artikull ai kërkoi në ndihmë Shekspirin, Baconin dhe Allbert Kamynë. Ai i referohet Sheksipirit për t’i marrë “Çmenduria dhe mençuria janë aq të lehta për t’u kapur, sa dhe sëmundja infective”, por publiku francez nuk e di  se  Edi Rama ndërtoi një monument të zi  në parkun më  të madh  të Tiranës, për të kujtuar ata që ranë në fushën e betejës për të mbrojtur Erdoganin.
-Përse ? -pyesin francezët.
-Përse ? -përgjigjen shqiptarët.
-A është kjo një mençuri, apo një çmenduri?

Këtu, thënia e Sheksprit gjen justifikimin e plotë të saj. Por ai thotë edhe diçka tjetër, tek Makbethi, thotë edhe: “Për të gënjyer botën, ngjaji botës”. Kështu bën dhe kryeministri shqiptar, madje për t’i ngjarë botës sipas finesës së Shekspirit, ai vesh edhe atletet e Perëndimit, edhe brekushet e Lindjes. Ai thërret në ndihmë Albert Kamynë, që ishte një njeri rebel kundra pushteteve, me mendje të hapur dhe të lirë, duke vënë në pozitë të vështirë intelektualët e kohës së tij, me Sartrin në krye: Dhe ai vendos emrin e Kamysë pikërisht pas frazës, ku eviton të flasë për të vërtetën e cunguar. “Voilà encore une parfaite illustration démontrant comment une information tronquée, se transforme inévitablement en un grand mensonge, ajoutant en cela au malheur du monde, comme le disait si bien Albert Camus” dhe unë përkthej: “Ja përsëri një ilustrim i përkryer që vërteton se si një informacion i cunguar, transformohet në një gënjeshtër të madhe duke iu shtuar me këtë fatkeqësisë së botës, siç e thoshte aq bukur Albert Kamy”. Por Albert Kamy, për të rritur peshën e mesazhit filozofik, do të kish dashur më shumë, që në vend të fjalës  “informacion i cunguar”, të  kish thënë: “e vërtetë e cunguar”,  gjë që për një arsye psikologjike të forte,  Edi  Rama nuk guxon ta përmendë, sepse e vërteta i fut frikën, sepse ajo është e vërteta e Historisë, që kristalizohet nga një AKADEMI SERIOZE, të cilën ai e ka zëvendësuar, por nuk ka këllqe ta thotë përpara opinionit publik. E vërteta ka emocion. Informacioni nuk ka domosdoshmërisht emocion. Kjo ndërtesë frazhile mbante emocionin e Krimit mbi intelektualizmin në histori ashtu si dhe emocionin e Lavdisë së Artit. Por në mendjen e të gjithe pushtetarëve, asnjëri nga këto emocione të histories, nuk kish lindur. Këtë fenomen nuk mund ta dijë ndërtuesi i përbotshëm danez. Natyra nuk le vende bosh. Në vend të emocionit, ajo ka futur shikimin e ftohtë të snobizmit burokratik, që do të krenohet me një Tiranë modern, por pa kujtesë emocionale. Një muzeum në qendër të Tiranës, aty ku ishte Teatri, do t’i rikthente koherencën popullit shqiptar e në mënyrë të veçantë, vetë Tiranës. Civilizimi nuk është kuintesencë e modernizmit. Ai është kuintesencë e kulturës. Nuk mund të ketë kulturë të thellë pa kujtesë të thellë.