Lamtumirë Doktor Brahush Kadillari, njerëz si ti nuk vdesin kurrë!…

871
Sigal

In Memoriam

Doktor BASHKIM HYSI

S’ka pak ditë që në rrjetet sociale, mes njerëzve që e kanë njohur, mes shokëve, miqve dhe të afërmve, u përhap lajmi i vdekjes së papritur dhe të parakohëshme të mjekut Brahush Kadillari, vdekje që ka tronditur dhe pikëlluar pa masë kolegët e tij, mjekë, infermierë e sanitarë të Institutit të Higjienës, ku ai punonte prej më shumë se 20 vitesh; bashëpatriotët e tij skraparllinj, të vendit ku ai kish lindur, rritur dhe punuar si mjek për një kohë relativisht të gjatë; të afërmit dhe familjarët  e tij të shtrenjtë, veçanërisht, bashkëshorten dhe dy fëmijët e tij, djalin dhe vajzën.

Jeta e mjekut Brahush Kadillarit u pre në mes nga Covid19, flama pandemike e padukshme dhe e pabesë që ka tronditur botën, në përpjekje për për të mbrojtur jetën dhe shëndetin e njerëzve. Si higjienist i vijës së parë, me një përvojë të gjatë pune, natyrisht ai do të ishte në ballë të kësaj beteje që po bëhet përherë edhe më e gjatë dhe përherë edhe më e vështirë.

I vetëdijshëm për rrezikun, por i vetëdijshëm dhe i ndërgjegjshëm për misionin fisnik dhe detyrën e lartë humane të mjekut, ai  gjatë gjithë periudhës së pandemisë, që nga fillimi e deri në ditën e fundit të jetës së tij u ndodh në krye të detyrës si një ushtar fronti, që, siç thotë populli, hidhet në luftë “me qefin nën sqetull”.  Dhe lufta ka pasojat e veta të pariparueshme, me humbje njerëzore, por ka edhe heronjtë e saj, siç ishte doktor Brahushi, një status që do ta bëjë atë të pavdekshëm dhe të paharrueshëm.

Po kush ishte Brahush Kadillari

Brahush Kadillari kish lindur në fshatin Liqedh të Skraparit në vitin më 16 gusht të vitit 1951, në një familje të njohur, tipike të asaj ane me tradita atdhedashëse. Shkollën fillore dhe 7- vjeçare i kreu në vendlindje, kurse shkollëne mesme të përgjithshme në Kamëz dhe vitin e fundit në gjimnazin “Ramiz Aranitasi” të Çorovodës.  Në vitin 1969 filloi Fakultetin e Mjekësisë në Tiranë, të cilin e përfundoi me rezultate shumë të mira në vitrin 1974.

Pas titullimit mjek mjek i përgjithshëm, ai u emërua përgjegjës i qendrës shëndetësore Kapinovë, Skrapar, ku punoi deri në vitin 1983.

Nga viti 1983 deri në vitin 2001 ka punuar në Drejtorinë e Higjienës Skrapar, me detyrën e shefit të shërbimit të Higjienës.

Në vitet 1985-1986 ka kryer specializimin për problemet e higjienës pranë Fakultetit të Mjekësisë.

Në Skrapar ai ka kryer disa studime dhe projekte, të cilat i ka referuar në sesionet shkencore ntë organizuara atje.

Pas kësaj ai transerohet në Tiranë në Drejtorinë e Shëndetit Publik, ku punoi si specialist i shëndetit publik.

Doktor Brahushi është dekoruar për punë të mirë nga Kuvendi Popullor me medaljen për shërbime të shquara ndaj popullit.

Doktor Brahush Kadillari do të mbahet mend nga kolegët me të cilët punoi, nga njerëzit që e njohën, miqtë dhe të afërmit e tij, si një njeri me virtytet më të larta njerëzore: korrekt, i drejtë, i dashur, i dhimshur, human, i aftë profesionalisht, i gatshëm deri në sakrifikim për të ndihmuar të tjerët, cilësi që më së fundi u bë edhe shkak i vdekjes së tij të prakohëshme.

Lamtumirë doktor Brahushi! Njerëz si ti, me gjurmë të thella dhe kujtime të shumta, nuk vdesin kurrë!