“Kotzias, kufiri shqiptaro-grek jo vetëm që njihet nga të gjithë, por është dhe i paprekshëm nga askush”

733
Sigal

Nga BESNIK BAKIU

Siç kam thënë edhe më parë kisha bërë një marrëveshje me vetveten, që nuk do të prononcohesha më për problemet e kufirit me Greqinë, pasi i kam shteruar gjithë argumentet historike dhe juridike për këtë çështje, por pas publikimit të intervistës së ish-ministrit të Jashtëm grek Nikos Kotzias, sipas të cilit “ka forca në Greqi – duke përfshirë edhe ushtrinë greke – që nuk njohin kufijtë shtetërore të Shqipërisë” dhe heshtjes që e shoqëroj këtë deklaratë si në Greqi ashtu dhe Shqipëri, më tronditën dhe më nxitën të mos e mbaj marrëveshjen për të mos shkruar më.

Askush nuk i kërkoi shpjegime zotit Kotzias për deklaratat e tij, as ministri i Mbrojtjes Panos Kamenos, as Kryeministri/Ministri i Jashtëm, Aleksis Tsipras, madje as nuk dolën ta përgënjeshtrojnë.

Në Shqipërinë time jo se jo, as pozita e as opozita, as media, as akademiko-historianët, pasi janë të zënë me sherrnajën mes vedi.

Madje disa u përpoqën ta minimizonin këtë deklaratë, si jo serioze, por si reaksion i Kotzias ndaj Ministrit të Mbrojtjes, Panos Kamenos, i cili e detyroi të jepte dorëheqjen.

Ky qëndrim i saj nuk është rast i shkëputur, ai është në vazhdën e qëndrimeve dhe ngjarjeve të tjera, si: fondi sekret prej miliona eurosh që ishte në dispozicion të “shqiptarëve” kontribuues në interes të  joShqipërisë, histeria antishqiptare e Bularatit, etj.

Sinqerisht habitem se si ka mundësi që fqinjët tanë (paraardhësit e të cilëve, i kanë dhënë kaq shumë kulturës evropiane)nuk kanë kuptuar ende frymën evropiane se barazia e shteteve, interesi i ndërsjellë, transparenca, respektimi i tërësisë territoriale, nderimi mes kombeve, respekti ndaj kulturave, janë themelet e një fqinjësie të mirë mes shteteve.

Nuk dua ta besoj se në Greqi vazhdon të bashkëjetoj shteti legal me para-shtetin e nacionalizmit grek, i cili vazhdon të ushqehet nga sirenat e nacionalizmit dhe urrejtjes, pasi mendoj se popujt kufitarë nuk rrinë në shpinë, por përballë njëri-tjetrit. Ata e shohin njëri-tjetrin në sy, kuptohen me shenja dhe japin e marrin mes tyre. Deklarata e Kotziasit (por jo vetëm), tregon se  para-shteti në Greqi, ekziston ende, paralelisht me shtetin dhe ndonjëherë edhe brenda tij. Siç thotë dhe një gazetar i njohur, që njeh problemet e Greqisë “Shteti nuk guxon të ndeshet me para-shtetin edhe pse e mban nën kontroll atë, ngaqë kjo mund të shpinte në një lloj lufte civile të hapur apo të heshtur. Nuk ndeshet, gjithashtu, sepse shteti ‘ndan’ me para-shtetin, në një masë të madhe, dogmën e nacionalizmit supremacist.

Ndaj për të sqaruar edhe një herë këtë çështje, po përpiqem që  shkurtimisht të jap një tablo dhe paraqes argumente për ekzistencën, njohjen dhe respektimin e kufirit shqiptaro-grek, jo vetëm nga të dy palët, por edhe subjektet e tjera të së drejtës ndërkombëtare. Madje asnjëherë nuk rezulton që të ketë pasur kontestim institucional prej qeverive greke.

Historikisht fillesat e veta si kufi shtetëror, datojnë para krijimit të shtetit shqiptar, pas Kongresit të Berlinit të 1878 dhe Traktatit të Shën Stefanit.

Vazhdojnë me vitin 1912, kur  Konferenca e Ambasadorëve në Londër, i kushtoi shumë kohë caktimit të këtij  kufiri. Në mënyrë të padrejtë Shqipëria u konsiderua vend humbës i luftës dhe trojet tona nuk mund t’i shpëtonin pasojave të disfatës së Turqisë, duke injoruar faktin se Shqipëria jo vetëm nuk kishte asnjë lidhje me luftën e Turqisë më shtetet e Ballkanit, por përkundrazi kishte dhënë një kontribut të paneglizhueshëm në këtë luftë.

Më 11 gusht 1913 Konferenca e Ambasadorëve miratoi propozimin e kryetarit të Konferencës, E. Grey, mbi kufirin jugor të Shqipërisë, i cili përcaktonte se: “Shqipërisë i mbetej Korça e Sazani, Greqia merrte Janinën”. Kjo ndarje  e këtij kufiri u bë në dëm të Shqipërisë,  jo sipas parimeve etnografike, historike, ekonomike etj.

Ministri amerikan në Greqi në atë kohë do ta quante këtë plan “një mrekulli e paaftësisë”, “një skemë absolutisht të papajtueshme”, “një lëmsh gjërash të paqëndrueshme”.

Ishte kjo padrejtësi historike ndaj një prej popujve më të vjetër të Evropës, që do të sillte ndeshje, gjak, mëri, dhunë dhe lot deri në fillimin e shekullit të XXI, që detyroi Imzot Gjergj Fishtën të akuzojë: “Uh! Evropë, ti kurva e motit!/Që i re  mohit, besës së Zotit!/Po, á ky asht sheji i qytetnisë?/Me da token e Shqypnisë.”

Është vet kryetari i kësaj Konference zoti Eduart Grej, që ka pohuar padrejtësinë e madhe që u bë ndaj Shqipërisë :”…Unë e di fare mirë se kur gjithçka do të bëhet e njohur, kjo zgjidhje në shumë pika do të japë shkas për kritika të forta…“.

Kjo ndarje e kufirit u rikonfirmua me Protokollin e Firences të Fuqive të Mëdha në 27 janar 1925 për kufijtë e Shqipërisë me Greqinë dhe përfundoi më 30 korrik 1926 nga Konferenca e Ambasadorëve të Fuqive të Mëdha, në Paris me “Aktin Përfundimtar të Delimitimit të Kufijve Shqipërisë”. Duhet theksuar se ky akt detyrues është vendosur unanimisht dhe firmosur pa asnjë vërejtje nga përfaqësuesit e Shqipërisë, Greqisë dhe Jugosllavisë.

Edhe pas këtyre akteve qeveria greke nuk i rreshti përpjekjet rivendikuese, për ta ndryshuar këtë kufi, si në Konferencat e Paqes në vitin 1919 ashtu dhe në vitin 1946 pas përfundimit të Luftërave Botërore, por pa rezultat.

Megjithatë qëndrimi i heshtur refuzues i Greqisë për njohjen e këtij kufiri vazhdoi edhe më pas.

Në vitin 1953 qeveria shqiptare i drejtohet Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, ku i propozonte qeverisë greke organizimin e një takimi të komisionit të përbashkët kufitar. Përpjekjet e qeverisë shqiptare për këtë qëllim vazhduan edhe në vitet 1956 dhe 1959, por pa sukses, pasi qeveria greke refuzonte.

Pas rivendosjes së marrëdhënieve diplomatike në vitin 1971, qeveria shqiptare me notë zyrtare, i ka propozuar më 10 maj 1972 qeverisë greke zhvillimin e bisedimeve për nënshkrimin e marrëveshjeve për rindërtimin e piramidave dhe vendosjen e shenjave të tjera kufitare. Edhe ky propozim nuk u pranua nga pala greke.

Në korrik të vitit 1985, u zhvillua në Athinë takimi i delegacioneve të specialistëve shqiptarë dhe grekë, për të shqyrtuar mundësitë e riparimit të piramidave kufitare  dhe për të shkëmbyer mendime për mënyrat a tjera të parandalimit  dhe të zgjidhjes së incidenteve në kufirin shtetëror të Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë dhe të Republikës së Greqisë.

Delegacioni shqiptar kryesohej nga Drejtori i Kufirit Zoti Enver Pataj, kurse ai grek nga nënkolonel Rikollaos Kulluris.

Nga ky takim u vendos të krijoheshin 3 grupe të përbashkëta pune me 12 vetë secili, me pjesëmarrjen e 1 oficeri, 4 ushtarëve dhe 1 ndihmësi, nga secila palë; të cilët kishin si detyrë:

a) Të regjistrojnë piramidat  ekzistuese dhe numrat përkatës të tyre.

b)Të vlerësojnë dëmet që kanë pësuar piramidat dhe mundësitë e mënyrat e riparimit të tyre.

c)Të konstatojnë piramidat që mungojnë ( të shkatërruara plotësisht ).

d)Të përcaktojnë sektorët midis piramidave ku për shkak të natyrës së terrenit eventualisht mund të ndodhin incidente kufitare si dhe sektorët e pyllëzuar të vijës së kufirit”.

Takimi i dytë i këtyre delegacioneve u zhvillua në Tiranë prej datës 26 deri me 30 nëntor 1985, ku: “Palët konstatuan se, nga 177 piramida kufitare kryesore të kufirit shtetëror shqiptaro-grek, 19 prej tyre nuk u gjeten, 27 piramidave u është gjetur vetëm bazamenti, 18 janë dëmtuar mbi 50 për qind, 37 janë dëmtuar nën 50 për qind, kurse 76 duan riparime të vogla. Grupet e përbashkëta të punës, konstatuan, gjithashtu, se nga rreth 270 km që është kufiri shtetëror shqiptaro-grek, rreth 145 km është i veshur me pyje e kaçube dhe, për arsye te konfiguracionit të terrenit dhe të bimësisë, shumë pjesë të vijës së kufirit janë të paqarta dhe mund të bëhen shkak për incidente kufitare”.

Në këtë takim  pala shqiptare i dorëzoi palës greke “Projekt marrëveshjen për parandalimin dhe zgjidhjen e incidenteve kufitare”.

Mbledhja e tretë  e këtyre delegacioneve u zhvillua në Janinë prej datës 25 deri më 29 shtator 1989, ku për punimet e kryera u hartuan dhe u nënshkruan procesverbale, në të dyja gjuhët ( shqip e greqisht).

Në këtë takim për projektin e marrëveshjes për parandalimin dhe zgjidhjen e incidenteve kufitare dhe vendosjen e disa rregullave të përkohshme, deri në përfundimin e kësaj marrëveshje, nga pala greke u tha se nuk janë në kompetencën e delegacionit grek dhe do t’i transmetohen organeve kompetente nëpërmjet dërgimit të këtij Protokolli.

Mbledhja e katërt u zhvillua më 14 shkurt 1991 në Tiranë, në të cilën delegacioni shqiptar, përsëriti kërkesën për përfundimin e marrëveshjes për zgjidhjen e incidenteve, por delegacioni grek njoftoi se projekti shqiptar i dorëzuar në vitin 1985, është akoma duke u studiuar. Ai mori përsipër që të vejë në dijeni qeverinë greke për këtë propozim të përsëritur.

Më 9-11 shtator 1992 në Janinë zhvillohet mbledhja e pestë. Në këtë takim pala shqiptare kërkoi përdorimin e dokumenteve ndërkombëtare që nga Protokolli i Firences të 17 dhjetorit 1913 dhe atij të 27 janarit 1925, por pala greke iu shmang kësaj kërkese dhe kërkoi që Shqipëria t’i drejtohej palës greke në rrugë diplomatike, ku të kërkonte njohjen e dokumenteve juridike-ndërkombëtare për caktimin e kufirit.

Në vitet 1994-1995, në kuadër të Komisionit të Përbashkët Shqiptaro-Grek, u formua Komisioni i Përbashkët për çështjet e kufirit dhe të mbrojtjes.

Në të bënin pjesë ekspertë ushtarakë me nivel të lartë teknik e profesional, si dhe përfaqësues të dy Ministrive të Jashtme. Në takimin e dytë zyrtar në Athinë, ku do të finalizohej dokumenti bazë, i cili ishte një Protokoll Marrëveshje kuadër për t’u zbatuar në parim nga të dy vendet në terren, ku pala greke gjatë bisedimeve në Ministrinë Greke të Mbrojtjes shpalosi një qëndrim dhe koncept të papranueshëm e jashtë realitetit të gjërave.

Në dallim nga takimi i parë në Tiranë, në Athinë pala greke e nisi pozicionimin në bisedime me një formulim jo të saktë. Ajo iu përmbajt pikëpamjes që dokumenti të quhej “Përcaktimi i Vijës Kufitare“. Kjo u kundërshtua nga pala jonë dhe palës greke iu bë thirrje menjëherë që të korrigjonte përdorimin e termave, sepse ne nuk ishim mbledhur të përcaktonim vijën e kufirit, por për të lidhur një Marrëveshje për Riparimin dhe Mirëmbajtjen e Vijës Kufitare Tokësore. Mbas kësaj ndërhyrjeje serioze, pala greke kërkoi ndjesë se “u shprehëm gabimisht dhe u keqkuptuam“.

Por nuk mjaftoi me kaq. Ajo këmbënguli që në dokumentin e Protokoll Marrëveshjes të shënohej se riparimi i piramidave kryesore dhe dytësore të bëhej duke i identifikuar ato sipas vijës ekzistuese në vend rast pas rasti, duke ngulur këmbë që në Preambulën e Marrëveshjes nuk ishte e nevojshme t’i referoheshim “dokumenteve ndërkombëtare, përkatësisht Protokollit Ndërkombëtar të Firences me Anekset përkatëse të vitit 1925 për Kufirin Shqiptaro-Grek”, dokumente që i posedonte secila palë.

Pas bisedimesh të gjata dhe të tensionuara pala greke pranoi formulimin të ekspertëve shqiptarë që punimet të kryhen  “ mbi vijën e kufirit shqiptaro-grek të njohur botërisht, në bazë të dokumentacionit teknik ekzistues”, pra në përputhje me marrëveshjet dhe dokumentacionin ndërkombëtar që ekzistonte për të dy vendet për vijën kufitare tokësore.

Takimet e Komisionit  Shqiptaro – Grek për çështjet kufitare dhe punimet për rindërtimin e riparimin e piramidave kufitare në kufirin Shqiptaro – Grek, vazhduan çdo vit dhe përfunduan në vitin 2006. Mirëmbajta dhe riparimi i piramidave vazhdon edhe sot e kësaj dite.

Vlen të theksohet se në kryerjen e këtyre punimeve u përdorën hartat e Protokollit të Firences, madje edhe në proces verbalet e firmosura nga të dy palët janë ruajtur të njëjta emërtime të sektorëve dhe numrave të piramidave.

Gjithashtu dua të përmend që procesverbalet janë të firmosura nga përfaqësues të lartë të ushtrisë greke.

Për punën e bërë në vite duhet t’i jemi mirënjohës personaliteteve që morën pjesë në kohë të ndryshme në këto komisione, si: Prof.Dr. Ksenofon Krisafi, Prof. Dr. Myslim Pasha, Ali Hamzait, Prof.Dr. Kosta Gazeli, Mihal Kallo; drejtorëve të Kufirit në vite që ishin kryetarë të delegacioneve, si: Enver Pataj, Haki Liçaj, Beqir Pregja, Gëzim Goçi, Pjerin Ndreu, Albert Pilo, Bashkim Mustafa, Krenar Muça e Arjan Rugji, dhe në  veçanti topografëve të talentuar dhe patriot: Çelnik Murataj, Prof. Dr Myslim Pasha, Çarçan Danaj, Selman Lleshi, Isak Rama, Edison Memelli.

Është detyrë e të gjithëve (grekë e shqiptarë) ta ruajmë e forcojmë fqinjësinë e mirë mes njëri-tjetri, pasi ajo ka rrënjë të thella që nga lashtësia, kur Homeri në Iliadë na rrëfen se pellazgë, ilirë dhe grekë ishin rreshtuar së bashku në Luftën e Trojës së Priamit; Herodoti shkruante për kullotat dhe bagëtinë e Apollonisë, për lumin Ao që rrjedh pranë vendlindjes sime; Aristoteli shkruante për qeverisjen e Epirit dhe Ilirisë.

Të gjithë duhet t’i jemi mirënjohës gjimnazit të famshëm Zosimea të Janinës, ku u shkolluan dhe morën dritën e diturisë rilindësit më të mirë shqiptarë, ata që e ngritën Shqipërinë. Duhet të marrim shembull nga bashkëpunimi shqiptaro-grek në revolucionin grek të vitit 1821, ku bashkë me heronjtë grekë, njëlloj si në kohërat antike, shkëlqyen arvanitasit Boçari, Xhavella, Bubulina, etj.

Është profetik parashikimi i një nga ideatorëve dhe ideologëve të Rilindjes shqiptare, poetit kombëtar Naim Frashëri “Interesat politike e të dy kombeve e do që gjithnjë Shqipëria dhe Greqia të jenë miq të pandarë. Por fazat historike që prej një shekulli e tëhu do të nxjerrë shumë pengime për një marrëveshje të vërtetë”.

Në përfundim dua t’i kujtoj zotit Kotzias se kufiri shqiptaro-grek jo vetëm që njihet nga të gjithë, por është dhe i paprekshëm nga askush. Për këtë mjafton të lexosh nenin 1 të “Traktatit të Miqësisë, Bashkëpunimit, Fqinjësisë së mirë dhe Sigurisë midis Republikës së Shqipërisë dhe Republikës Greke” ku shprehet se: ”Republika e Shqipërisë dhe Republika Greke shpallin përkushtimin e tyre ndaj parimit të paprekshmërisë së kufijve ekzistues, të njohur ndërkombëtarisht, në përputhje me Aktin Final të Helsinkit dhe Kartën e Parisit, dhe se vija kufitare midis dy vendeve do të jetë vijë kufitare paqe dhe miqësie. Ato deklarojnë respektimin nga ana e tyre e parimeve të sovranitetit, të tërësisë tokësore, të barazisë së të drejtave”.

Ndaj nuk është koha për moskuptim, por për mirëkuptim, për nënshkrimin e dy marrëveshjeve të domosdoshme për kufirin; asaj për riparimin dhe mirëmbajtjen e piramidave dhe për zgjidhjen e incidenteve kufitare.

Jo vetëm grekët, që siç shkruan personaliteti i madh grek Seferisi: “kudo që shkojnë Greqinë e marrin me vete, si një plagosje“, edhe ne shqiptarët  kudo që shkojmë Shqipërinë e marrim me vete, dhe jo vetëm si një plagosje, por edhe si një brengë, pasi nuk kemi mundur t’ja mbyllim dhe qetësojmë plagët. Pasi i jemi borxhli Shqipërisë, ashtu siç me dhimbje e shkruan poeti i madh dhe miku im Xhevahir Spahiu “I kemi borxh vitit 13 që nuk i mbyllëm plagët”.