Kastriot Çipi: Kambanat nuk bien për partitë

270
Sigal

Katër muaj para zgjedhjeve të 25 prillit 2021, interesi i votuesve është në rënie. Ky është një lajm shumë i keq për opozitën, por edhe më i keq për qytetarët, që duan ndryshim!

Kambanat  nuk bien për partitë. Ato bien për ty!

Sondazhi i kryer nga Instituti për Demokraci dhe Ndërmjetësim dhe i monitoruar nga Instituti Kombëtar Demokratik në SHBA (NDI), në korrik të këtij viti, tregon se përqindja e votuesve, që janë pak ose shumë të vendosur të votojnë (dy kolonat e para të tabelës), ka rënë nga 65% në vitin 2016, në 47%. Përqindja e atyre që po mendojnë, ose kanë vendosur t’i bojkotojnë zgjedhjet (dy kolonat e fundit) është rritur nga 23 në 32%. Përqindja e të pavendosurve (kolona e mesit) është rritur gjithashtu nga 12 në 20%. Ka shumë arsye për të besuar se ky erozion votash do të ndëshkojë opozitën. Së pari, megjithëse pakënaqësia ndaj qeverisë është rritur në 59%, pakënaqësia ndaj opozitës ka mbetur e pandryshuar: 71% për opozitën parlamentare dhe 69% për atë jashtëparlamentare. Kjo tregon se pavarësisht skandaleve korruptive të qeverisë, veprimet e opozitës (protestat, djegia e mandateve të deputetëve, bojkoti i zgjedhjeve vendore) nuk kanë ndikuar aspak në uljen e pakënaqësisë ndaj saj. Shifrat të bëjnë të mendosh se qytetarët janë ndikuar më fort nga “opozitarizmi” i Presidentit, pakënaqësia ndaj të cilit është në nivelin 61%, se sa ai i opozitës. Edhe nëse i japim opozitës “përfitimin e dyshimit” dhe pranojmë se në fakt shifrat janë të përmbysura: 69% janë të pakënaqur me qeverinë dhe 59% janë të pakënaqur me opozitën, realiteti nuk është aspak entuziast për opozitën. Pas 7 vitesh të qeverisë më të korruptuar në historinë e Shqipërisë, opozita duhej të kishte me vete shumicën dërrmuese të votuesve. Së dyti, përqindja më e lartë e votuesve që do të marrin pjesë në zgjedhje është më e lartë mes të punësuarve në sektorin publik: 78%! Duke pasur parasysh se sektori publik punëson rreth 175 mijë qytetarë, mund të thuhet se qeveria e fillon garën zgjedhore me të paktën 135 mijë vota. Dorëzimi i pushtetit vendor nga opozita ka ndikuar jashtëzakonisht shumë në dëm të vetë opozitës. Së treti, qeveria vjen në zgjedhje me një “koalicion” të jashtëzakonshëm, që përfshin gjykatat, prokurorinë, ambasadorët e BE dhe SHBA, 100% të pushtetit vendor, KQZ së bashku me komisionet zonale të numërimit dhe administrimit, shumicën e mediave dhe krimin e organizuar! Në këto kushte, opozitës i mbetet vetëm një zgjidhje: bashkimi pa përjashtim i të gjithë subjekteve anti-rilindje dhe premtimet zgjedhore që motivojnë votuesit e pavendosur dhe ata që po mendojnë të bojkotojnë zgjedhjet. Opozita duhet të ofrojë zgjidhje për pakënaqësinë e votuesve.  Numri i qytetarëve totalisht pasivë, që nuk janë përfshirë në 12 muajt e fundit në asnjë veprimtari politike ose qytetare, ka një rritje të frikshme: nga 11 në 44%! Pothuajse gjysma e votuesve. Në këtë grup, 83% mendojnë se politikanët mendojnë vetëm për vete dhe askush nuk e dëgjon zërin e tyre. Por edhe votuesit aktivë janë të pakënaqur. Nëse në vitin 2016, 24% e të anketuarve deklaronin anëtarësinë në një parti politike, në 2020 ky tregues është i përgjysmuar! Kjo gjetje diskrediton propagandën e partive me farsat e anëtarësimeve kolektive, në transmetim të drejtpërdrejtë në TV! Qytetarët duken sot më të interesuar t’i bashkohen nismave qytetare me synime politike (34%, kundrejt 22% në 2016), se sa partive politike (14%, kundrejt 20% në 2016). Kuvendi është institucioni më zhgënjyes në katër vitet e fundit. Nëse në vitin 2016, 53% e të anketuarve e konsideronin atë thelbësor për demokracinë, sot kjo shifër ka rënë pikiatë në 18%! Qytetarët duan deputetë më të arsimuar, të lidhur me zonën dhe që mendojnë të pavarur (44-60%) dhe vetëm 6-7% e tyre duan që deputetët të kenë përvojë politike apo të jenë besnikë ndaj partive të tyre. Qytetarët duan gjithashtu një sistem zgjedhor që i mundëson të votojnë kandidatin, jo partinë (78%) dhe të kenë marrëdhënie të drejtpërdrejta me të zgjedhurin e tyre, pas zgjedhjeve (70%). Pikërisht në gjetjet e këtij paragrafi të fundit, opozita duhet të gjejë çelësin e fitores. Opozita mund të zgjedhë kandidatë më të arsimuar e pa rekorde kriminale, por nuk i bën dot ata më të lidhur me zonën e më të pavarur me këtë sistem zgjedhor që kemi.

Opozita bëri gafë historike që kundërshtoi ndryshimin e sistemit zgjedhor, gjë që e kërkojnë  78% e votuesve.

As marrëveshja e 5 qershorit, sipas sondazhit, nuk është pritur mirë nga qytetarët: 48% e tyre mendojnë se marrëveshja u shërben partive, ndërsa vetëm 17% mendojnë se u shërben qytetarëve. Por opozita mund të përfitojë, duke ia lënë “rilindjes” faturën për ndryshimin e njëanshëm të Kodit Zgjedhor, me ndalimin e koalicioneve, duke bërë njëkohësisht një “mea culpa” për mos ndryshimin e sistemit. PD dhe LSI duhet të ftojnë të gjitha partitë opozitare, edhe ato që drejtohen nga ish-deputetë të PD, në një proces votimi paraprak (ato që në anglisht quhen “primare”). Në vend që t’i anatemojë të larguarit, PD duhet të lexojë gjetjen e sondazhit: vetëm 7% e votuesve e konsiderojnë kriter besnikërinë e deputetit ndaj partisë, ndërsa 83% ankohen se deputetët nuk e dëgjojnë zërin e tyre. Në këto votime paraprake, secila parti duhet të paraqesë lirisht kandidatët e saj. Votimi duhet të jetë me lista të hapura. Në të duhet të lejohen të marrin pjesë jo vetëm anëtarët e partive, por të gjithë qytetarët me të drejtë vote. Të gjitha partitë duhet të administrojnë procesin bashkarisht. Bazuar në rezultatin e zgjedhjeve, për partitë dhe kandidatët, koalicioni opozitar duhet të shpallë kandidatët e përbashkët dhe të regjistrohet në zgjedhje me listë unike. Vetëm kështu mund të motivohen qytetarët e pakënaqur të votojnë një opozitë që nuk i kënaq, por gjithësesi përfaqëson një alternativë më të mirë se sa qeveria e “rilindjes”. Nëse PD dhe LSI nuk do të arrijnë një kompromis të tillë, me njëra-tjetrën dhe me të gjitha partitë e tjera opozitare, fitorja e opozitës do të vihet në dyshim. Të pakënaqurit do të jenë edhe më dyshues se këto dy parti, në vend që të rrëzojnë Ramën, po luftojnë që secila prej tyre të dalë e dyta në zgjedhje, për të bërë koalicion me Ramën pas zgjedhjeve. Zgjedhjet paraprake, me lista të hapura dhe koalicioni parazgjedhor janë e vetmja garanci se nuk do të kemi sërish Ramën në qeveri, në koalicion me Bashën apo Kryemadhin. Votuesit e PD që nuk duan LSI, apo ata të LSI që nuk duan PD, duhet të kuptojnë se në mungesë të këtij koalicioni të madh, alternativa është ndarja e pushtetit me Ramën. Dhe kjo vlen edhe për ata që nuk duan të votojnë as PD e as LSI. Edhe ata duhet të kuptojnë se zgjedhjet paraprake me lista të hapura janë mundësia e vetme për të pasur zërin e tyre në Kuvend.