Ilmi S.Qazimi: Prof. Arjana Njazi Çepani, figurë e shquar e atdhetarisë dhe shkencës shqiptare

  1. Zonja fisnike që sfidoi vdekjen

Është e vështirë të përshkruash gjallërinë dhe vitalitetin e asaj gruaje energjike. A nuk është shembull i rrallë, do të thoshim mitik, vepra  dhe jeta që na dhuroi Arjana jonë e mrekullueshme, e cila prej thuajse një viti e kishte kuptuar sëmundjen që e kishte kapluar, por nuk donte t’ia dinte fare.Ajo nuk e përfilli  atë.Vijonte punën me të njëjtin tension e ndjenjë përgjegjësie  në të gjitha drejtimet për mësimdhënien, atë shkencore, aktivitetet shoqërore, detyrat administrative, angazhimet familjare. Në festimin e ditëlindjes së fundit  të saj, ajo qeshte e gëzonte tok me njerëzit e familjes, me shokë e shoqe të fakultetit, me studentë e miq nga tërë vendi. Megjithëse shkonte drejt saj, ajo sfidonte vdekjen. Shkallët e fakultetit, sallat e leksioneve dhe auditorët, ku ajo ligjëroi me aq kompetencë e dashuri, për t’u dhënë dije brezave të tërë të djemve e vajzave shqiptare, në Tiranë, Tetovë, e gjetkë nuk do të harrojnë kurrë ecjen e saj fisnike e tërë nur, buzëqeshjen e saj të veçantë që i buronte nga shpirti, komunikimin e ngrohtë të saj me çdo student e studente. Dashamirësia dhe gatishmëria e saj për të ndihmuar të gjithë njerëzit kudo që punoi mbetën nga trashëgimitë e saj më të çmuara. Ditën e ceremonisë përcjellëse që u organizua në fakultet aq meritueshëm për emrin dhe veprën e saj, studentët me librat e saj nëpër duar qanin, lotonin, se nuk do ta kishin më midis tyre, zonjushë Arjanën, por nga ana tjetër kujtonin fjalët e saj gjatë orëve të mësimit: “Mësoni dhe bëhuni të zotë për vendin dhe veten tuaj…vetëm me dituri mund të jetohet …mos kini frikë nga asnjë vështirësi…kapërceni pengesat dhe sfidoni sëmundjet”. E përcollën Arjanën aq shumë njerëz, studentë e kolegë, qytetarë e akademikë, të Tiranës dhe tërë Shqipërisë. Përcollën njeriun që dinte të ndante gëzime e halle, njeriun e dashuruar pas profesionit, trimëreshën optimiste. Një homazh tepër të ngrohtë organizoi Universiteti i Tetovës, ku Arjana kish dhënë leksione deri muajin e fundit. Shkroi media për të dhe të gjithë e ndjejnë se Arjana është përsëri midis tyre. Buzëqeshja e saj ngjall dhe rrezaton optimizëm; vepra e saj është e gjallë. Shpirti i saj i çiltër buron bardhësi e shpresë për ditë më të mira. Besimi i saj te jeta, përballimi i sëmundjes vetëm me punë dhe kurajo si ajo, janë disa prej mësimeve që la Profesoresha jonë e bukur nga shpirti, nga pamja, nga vepra! Arjana do të vazhdojë të japë leksione për brezat e ardhshëm me kurajon e saj  të pazakontë që sfidoi edhe vdekjen.

  1. Kush ishte Arjana Njazi Çepani

Lindi më 16 shtator 1957 në Tiranë.Eshtë e mbesa e dëshmorit Myftar Shahin Osmani që ra në llogoret e luftimeve kundër andartëve grekë në maj 1914,në Kokojkë të Frashërit, Përmet dhe,kujtojmë se  pak ditë më pas do të lindtte jetimi Njazi , babai i ardhshëm i Arjanës… Arjana është e bija e atdhetarit të flaktë,komandantit dhe udhëheqësit ushtarak para dhe pas çlirimit të Atdheut nga fashizmi dhe tradhëtarët e vendit,që punoi me përkushtim e besnikëri ndaj idealit për të cilin ai luftoi, njeriu që gëzonte simpati në popullin e Beratit, Skraparit, Tiranës,Lushnjes, Përmetit,e me gjerë , prindit shembullor , edukatorit  të  mirë dhe bashkëshortit të virtytshëm kolonel Njazi Myftar Çepani. Nëna e saj Bukurije Tefik Çepani,(vajza e të shumëdëgjuarit atdhetar e trim Tefik Xh.Rogut), pjesëtare aktive tok me të shoqin në Luftën Antifashiste Nacional Çlirimtare dhe ndërtimin e shoqërisë se re, një nga aktivistet më të njohura të bashkimit të gruas shqiptare në Skrapar, Berat e sidomos Tiranë. Bukurija, me dashuri që vetëm nënat mund ta ndjejnë,i qendroi afër së bijës deri në fundin e papritur e aq të dhimshëm dhe jetoi me brengën e madhe që askush nuk e dëshiron. Ditën që lindi Arjana në Tiranë, u çel Universiteti i parë shqiptar dhe Kahreman Yllit, ishte emëruar rektori i këtij universiteti. Historia e solli që Arjana e porsalindur, moshatare me këtë universitet, do të bëhej simbol i profesores dhe pedagoges ndër më të shkëlqyerit në Fakultetin Ekonomik, ku ajo kaloi 28 vite nga jeta e saj. Nga pedagoge e thjeshtë, me guxim, me ndjenjë të lartë përgjegjësie e kushtimi ndaj detyrës dhe me studim e punë sistematike këmbëngulëse, ajo arriti të ngjisë shkallët e larta akademike  dhe të bëjë emër në rrethet shkencore si doktore dhe profesore e shkencave ekonomike me një jetëshkrim të pasur. Studimet e larta për ekonomi industriale i kreu në këtë universitet në vitin 1981. Pas kësaj u emërua pedagoge po në këtë fakultet në Departamentin e Organizimit dhe Planifikimit. Në vitin 1999 merr gradën Profesore.Arjana ka patur një veprimtari shumë të gjerë shkencore, duke u përfshirë në projekte, studime, konferenca shkencore brenda dhe jashtë vendit, botime të artikujve shkencore, teksteve mësimore, monografi; në udhëheqje diplomash,; në hartim programesh dhe leksionesh etj. Ajo u nda nga jeta nga një sëmundje e pa shërueshme më  25 tetor 2007 në Tiranë.Tre vëllezërit e saj, Çlirimi, Iliri e Fatmiri,burra fisnikë, e bija dhe të gjithë studentët të cilëve ajo u dha mësim, e kishin idhull, mësonin prej saj se si duhet të ecë njeriu në jetë edhe kur e di fundin e pashmangshëm. Banorët  dhe qytetarët skraparas sidomos ata të Çepanit, krenohen me emrin dhe veprën e znj. Arjana Njazi Çepani, sepse ajo,veç të tjerash, nuk e harroi kurrë vendlindjen e prindërve dhe origjinën e saj.

Sigal

 Aktiviteti shkencor,akademik, profesional dhe shoqëror

1.Përfshirja në Projekte, studime, konferenca shkencore brenda dhe jashtë vendit, botime të artikujve shkencore, teksteve mësimore, monografi, etj.

2.Udhëheqje diplomash

3.Aktiviteti mësimor:

Hartimin e Programeve dhe Leksioneve në fushën e Sipërmarrjes dhe Manaxhimit të Biznesit të Vogël; Manaxhimi Operacioneve; Organizimi i Ndërmarrjeve; Seminare, Konsultime; Drejtim të Detyrave të kursit, etj.Pozicione administrative e te tjera.

Botime :Tetë tekste mësimore;Katër  referime të botuara në formë broshure;

Trembëdhjetë artikuj në revista shkencore brenda vendit ;Katër artikuj  në revista shkencore jashtë vendit;Njëmbëdhejtë referime në konferenca kombëtare dhe ndërkombëtare;Pjesëmarrje në shtatë projekte kërkimi, brenda dhe jashtë vendit ;Anëtarësim e pjesëmarrje në gjashtë  shoqata shkencore ;Njëmbëdhjetë aktivitete të tjera si angazhime në jetën publike, shoqërore, politike, në shoqërine civile, borde, etj;Në veprimtaritë jashtë institucionit ajo ka qenë këshilltare e Jashtme pranë zv. Kryeministrit, Drejtore Ekzekutive e Institutit të Kërkimit dhe Zhvillimit të Sipërmarrjes; bashkëpunëtore në disa aktivitete të organizuara nga Banka Botërore dhe OSBE, si dhe drejtuese e kurseve të trajnimit të sipërmarrësve të rinj.

  1. Epispodi i urimit: “Zaptofsh botën, moj bijë!”

Në fshatin tonë Çepan, prej Tirane vinte thuajse çdo vit për të kaluar lejën e zakonshme te njerëzit e burrit një grua e re me vajzën e saj afër 5-6 vjeçe.Ishte Bukurije e Tefik Rogut që qe martuar me Njazi Çepanin dhe kishte lindur katër fëmijë. Ajo , me vajzën përdore , shkonte shtëpi më shtëpi për të takuar  njerëzit, ashtu siç qenë atëhere ato shtëpi e ata njerëz – relativisht të varfër ekonomikisht por të pasur e të pastër shpirtërisht; ata e prisnin me buzagazje,me zemër të çiltër me arra e ftonj, bajame e rrush të thatë e plot yshyrate të tjera. Kujtojmë se  si një herë, në vitin 1963, Demir Lamani, një bashkafshatar patriot i Njaziut, pjesëmarrës në varrimin e Avni Rustemit, dhe e shoqja e tij,Bajamja të dy  kishin hyrë në moshën e pleqërisë.Ata  e pritën Bukurije Çepanin me gaz të veçantë; sepse vërtet qe vajzë e lindur në këto anë, e bijë ë Tefik Pasha Rogut, ngjitur me Çepanin,por larguar qysh në kohë të luftës, kishte burrin kolonel, jetonte në Tiranë, kishte edhe fëmijë, por ama në kryeqytet!

4.Dekorimi

Më 5 prill 2012, Presidenti  i Republikës së Shqipërisë z. Bamir Topi,  me dekretin përkatës  dekoroi (pas vdekjes) znj.Arjana Njazi Çepani me “Urdhëri Naim Frashëri – i artë” .Në ceremoninë e dekorimit, që u zhvillua në sallën e presidencës, merrnin pjesë  akademikë, rektorë, dekanë , profesorë, njerëz të shkencës dhe  institucioneve të larta shkencore e arsimore të vendit, deputetë, si dhe pjesëtarët  e familjes së  Arjanës, nëna e saj  Bukurije Çepani, e bija e saj Besa, vëllezërit  e saj familjarisht, kushërinj, nipër e mbesa  si dhe përfaqësues të vendlindjes së saj z. Zaim Osmani, Vladimir Osmani,etj.Dekorata  iu dorëzua   së bijës së Arjanës znj. Besa nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë Bamir Topi. Ajo, mes emocionesh, falënderoi Presidentin  e Republikës, shokët e shoqet profesorë e akademikë të  së ëmës dhe premtoi se do të punojë për të mirën e kombit e  atdheut  ashtu si nëna e saj Arjana Çepani.