Prof. Dr. Edmond Panariti: Territorialja do agravojë kontrollin dhe parandalimin e flakëve teksa Shqipëria është në epokë zjarresh

Ish-ministri i Bujqësisë, Edmond Panariti, deklaroi se Shqipëria po përballet jo thjesht me një stinë, por me një “epokë zjarresh”, si pasojë e thatësirës së zgjatur dhe ndryshimeve klimatike.

Panariti tha se dëmet në pyje dhe kullota janë kolosale, ndërsa paralajmëroi se thatësira mund të pasohet nga përmbytje për shkak të reshjeve ekstreme.

Sigal

Ai e lidhi situatën edhe me reformën territoriale, duke kundërshtuar reduktimin e njësive vendore. Sipas tij, bashkitë që ndodhen pranë masiveve pyjore njohin më mirë territorin dhe janë të parat që mund të reagojnë ndaj zjarreve.

Panariti paralajmëroi se përqendrimi i kompetencave te bashkitë e mëdha mund ta vështirësojë kontrollin e territorit dhe kërkoi më shumë decentralizim, fonde për emergjencat civile dhe monitorim 24 orë të zonave pyjore.

Ai kërkoi gjithashtu që Ministria e Bujqësisë të marrë një rol më të madh në menaxhimin e pyjeve dhe që të forcohen masat ndaj zjarrvënieve të qëllimshme.

Prandaj kjo është e lidhur dhe me reformën territoriale, pa llogaritur pastaj ato që janë thënë dhe stërthënë dhe do të vazhdojmë t’i themi: pra, mungesën e kapaciteteve në radhë të parë për kontrollin dhe parandalimin e zjarreve. Emergjencat civile të cilat praktikisht kanë fonde mjerane dhe të pamjaftueshme për t’u bërë ballë këtyre fatkeqësive.Dhe prandaj kjo është një fenomen i cili kërkon një qasje të re dhe një strategji të re. Unë do të thoja, në radhë të parë, në nivel qendror, unë mendoj që është koha që Ministria e Bujqësisë të marrë nën kontroll pyjet, ashtu siç ka qenë edhe më përpara. Për arsye sepse mbrojtja e pyjeve, e cila është jo vetëm mbrojtja nga zjarret, por edhe mbrojtja nga dëmtuesit… Ju e dini që pyjet tona po shkatërrohen edhe nga procesionarja, shkoni në Pukë, edhe në Fushë-Arrëz, i shikoni. Edhe pa ndodhur fatkeqësia e djegies së pyjeve nga zjarret, të cilat nuk janë vetëm të qëllimshme, janë dhe ndezje spontane. Pasi është e vërtetuar tashmë që kur temperaturat kapërcejnë 35 gradë, dhe ne po i afrohemi një limiti të tillë, ka gjethet të cilat nganjëherë mbulojnë edhe mbeturinat organike të bagëtive… Praktikisht krijojnë kushte ideale, fillon procesi i fermentimit të mbeturinave organike, ato janë të mbuluara me kashtë dhe për rrjedhojë rritet temperatura dhe krijohet fenomeni i vetëndezjes. Pra, përveç vëmendjes së veçantë në kapjen e keqbërësve, të cilët për qëllime nga më të ndryshmet, jo vetëm nga piromania, por dhe për qëllime të përfitimit të drejtpërdrejtë ekonomik, pra digjet pylli për të përfituar sipërfaqe kullotë të themi apo sipërfaqe arë, kryejnë veprime të tilla kriminale. Dhe kjo kërkon natyrisht një sistem të monitorimit 24 orë me kamera, në mënyrë që këta… plus forcimin e masave në Kodin Penal që këta të vihen përpara përgjegjësive më të rënda. Por në këto temperatura ekstreme që ne po përjetojmë, kemi dhe fenomenin e vetëndezjes.