Varfëria në rritje e kombit shqiptar. Analizë nga Prof.Dr.Arben Malaj/ Mungesa e lirisë së mendimit dhe e shprehjes. Liria shpirtërore apo ajo natyrore , heshtja apo fjala, nënshtrimi apo guximi. Si janë ngritur popujt e vende të varfëra, pse dhe si kanë rënë mbretëri e perandori disa qindravjeccare. Ja pse nuk duhet të heshtim para tiranisë

484

Prof. Dr. Arben Malaj

President i IPPM-së

“E gjitha për çfarë tiranitë kanë nevojë për të mbijetuar

është që njerëzit me të vetëdije të lartë të heshtin”.

Thomas Jefferson – President i SHBA 1801-1809

 

 

  • Liria shpirtërore apo pasuria natyrore, cila prej tyre i ka ndihmuar më shumë popujt në rrugëtimin e tyre disa qindravjeçar?
  • Heshtja apo fjala, nënshtrimi apo guximi?
  • Si janë ngritur popujt e vende të varfra dhe pse dhe si kanë rënë mbretëri e perandori disa qindravjeçare?

Liria e mendimit dhe e shprehjes janë dy kolona solide mbi të cilat individë, vende dhe kombe kanë mbështetur zhvillimin e tyre. Këto liri kanë lindur bashkë me njerëzimin, fitimi dhe konsolidimi i lirisë së mendimit dhe shprehjes nuk ka qenë i lehtë. Ndoshta gjyqi i parë publik kundër së drejtës së mendimit dhe të shprehjes ka qenë ai kundër Sokratit 330 vite p.e.s. me të cilin Sokrati krijoi modelin që inspiron edhe sot me referimin “më mirë një Sokrat i përvuajtur se sa një derr i dhjamosur”. Ndoshta gjykimi më makabër mbetet ai i Galileut, i cili e mbrojti lirinë e mendimit të tij se “bota rrotullohet” edhe kur përballë tij rrotullohej turma që do e digjte të gjallë në zjarr. Filozofi francez Volter inspiron edhe sot kur deklaronte se “Unë nuk e pëlqej mendimin tënd, por unë jam gati të vdes për të mbrojtur lirinë tënde të mendimit.” Gëte më ka inspiruar shpesh në angazhime dhe ballafaqime jo vetëm politike (edhe në të ardhmen), kur deklaron se: “..n.q.s. ke humbur guximin, më mirë të mos kishe lindur.” Filozofët progresistë dhe mbështetësit e tyre kanë luftuar gjatë për t’i bërë universale; të drejtën e lirisë së mendimit dhe të shprehjes. Në vitin 1949 miratohet në OKB Deklarata Universale e të Drejtave të Njeriut ku theksohet se “Gjithkush ka të drejtën e lirisë së mendimit dhe shprehjes; kjo e drejtë përfshin lirinë për të mbajtur mendime pa ndërhyrje dhe për të kërkuar, marrë dhe shpërndarë informacione dhe ide përmes çdo medieje dhe pavarësisht nga kufijtë”. Nobelisti Fukajama në librin e tij “Liria si zhvillim” analizon impaktet pozitive të demokracisë funksionale, e cila është e pamundur pa një demokraci me pjesëmarrje. Indeksi i përvitshëm i lirisë ekonomike gjen lidhje të qarta midis lirive dhe zhvillimit ekonomik e social. Shqetësimi për pasojat e përkeqësimit të lirisë së fjalës vjen nga Presidenti George Washington kur theksonte se: “Nëse liria e fjalës hiqet, atëherë memecë dhe të heshtur mund të jemi të udhëhequr, si dele në thertore.” Ky konkluzion vlen sot më shumë se kurrë për disa vende dhe popujt, të cilët po i nënshtrohen kufizimit të lirisë së mendimit dhe të shprehjes. Me shumë se për këdo tjetër, ky apel u drejtohet elitave, sepse shumë individë me influencë publike vetë-kufizohen apo i kufizojnë duke i nënshtruar ose duke i përkëdhelur me poste e përfitime publike për të heshtur, sepse si presidenti Jefferson qartëson, heshtja e tyre është gjeja më e rëndësishme për tiranët. Dilemën, se mos duke kritikuar liderët politikë dëmtohet vendi e ka zgjidhur rreth 110 vite më parë presidenti amerikan Ruzvelt kur qartësonte se: “Të njoftosh se nuk duhet të ketë kritikë ndaj Presidentit ose se ne duhet të qëndrojmë pranë Presidentit, të drejtë apo të gabuar, nuk është vetëm jo patriotik dhe servil, por është moralisht i tradhtueshëm për publikun amerikan.” Theodhore Ruzvelt, President i SHBA 1901-1909. Rreth 110 vite më vonë, ne ndodhemi 110 vite më pas në raportin tonë me lirinë e mendimit dhe të shprehjes. Besnikëria ndaj vendit për të cilën politikanët betohen është vrarë nga detyrimi për besnikëri ndaj partisë. Në Shqipërinë e shekullit të 21-të sapo të kritikosh një lider, një makineri e tërë shpifëse në rrjetet sociale e financuar nga udhëheqës të parafabrikuar, sulmojnë me gjuhë banale këdo që sipas tyre po “dëmton” partinë. E vërteta është se ata sulmojnë që të mos u cenohet karriera e tyre, edhe kur është e qartë se ajo që në fillimet e saj është bërë pisë nga marrëveshjet me të fortët, krimin e organizuar dhe financuesit me 900 euro/nata në hotel. Prandaj presidenti Ruzvelt theksonte se të mbështetësh personat e gabuar “nuk është vetëm jo patriotike dhe servil, por është moralisht i tradhtueshëm për publikun amerikan”. Në një artikull të tij Profesor Jan-Werner Mueller në Universitetin Princeton, analizon zhvillimet jo pozitive në raport me lirinë dhe demokracinë në disa vende si në Rusi, Turqi, Hungari etj., dhe konkludon se nuk janë masat popullore, por janë elitat që për shkak të grindjeve brenda tyre nuk arrijnë të bashkohen as përballë këtyre zhvillimeve përkeqësuese. Në këto vende qeveritë janë angazhuar për ti reduktuar liritë qytetare e politike individëve dhe partive opozitare. Presidentit amerikan Harry Truman paralajmëronte se: “Pasi një qeveri të jetë e angazhuar për parimin e heshtjes së zërit të opozitës, ajo ka vetëm një rrugëdalje, dhe kjo është në rrugën e masave gjithnjë e më shtypëse, derisa të bëhet burim terrori për të gjithë qytetarët e saj dhe të krijojë një vend ku të gjithë jetojnë me frikë”. Ndoshta braktisjet masive nga vendet e Ballkanit Perëndimor ushqehen edhe nga ndjenja e frikës që sundon në këto vende. Frika për të folur i lirë në publik, frika për humbjen e vendit të punës, frika për të bërë biznes konkurrues, frika për të ardhmen kanë shumë vite që po i varfërojnë jo vetëm shpirtërisht shqiptarët. Përkeqësimin e lirive demokratike po ndodh edhe në vendet e Ballkanit Perëndimore, disa qeveritarë dhe mbështetës së tyre mediatike përpiqen ta justifikojnë se kjo po ndodh edhe në demokracitë e konsoliduara. Po, por në ato vende rrënjët e kulturës demokratike, rrënjët shtete-formuese, rrënjët institucionale, ndarja dhe kontrolli i pushteteve, liritë themelore në çdo aspekt të jetës shoqërore, ekonomike e politike, mund t’i përballojnë dhe amortizojnë zhvillimet e përkohshme negative. Ndërsa në vendet e Ballkanit shkelja e këtyre lirive që në fazat e para të demokracive anemike, pengojnë konsolidimin e demokracisë dhe favorizojnë liderët autoritarë dhe populistë. Ky raport i deformuar dhe vetë pranuar me lirinë nuk na ndihmon t’i zgjerojmë ato, nuk ka nxit të jemi promovues të tyre, kemi mbetur thjeshtë mbrojtës virtualë apo digjital dhe spontanë. Mësimi historik lidhur me lirinë se “Liria është fryt që duhet vjelë përditë, ndryshe kalbet”, prandaj për to duhet luftuar çdo ditë jo thjeshtë për t’i mbrojtur, por për t’i zgjeruar dhe rritur, për t’i bërë më të mëdha, më të gjera dhe më të prekshme dhe pa asnjë kufizim për çdo individ, për çdo vend dhe për çdo komb.