Artan Xh. Duka : Më Evropian se Evropianë në BE!

79
Sigal

 

Të debatosh e ridebatosh me Greqinë për Himarën është njëlloj si të pranosh që edhe mund të kenë të drejtë(!) duke rënë në kurthin që synon me patjetër ta shndërrojë Himarën në axhendë e telenovelë pafund. 

Ndroja që po na bëhet huq

Kryeministri pati një mundësi të mirë me intervistën me gazetarin grek për të tërhequr edhe disa paralele aktuale dhe historike të vlefshme jo vetëm për kontekstin e intervistës në fjalë, por dhe për të “ulur” njëherë e mirë me këmbë në tokë, për sot e mot, qasjen e bisedimeve me fqinjin grek.

Qasja kyçe në marrëdhëniet me fqinjët është gjithnjë reciprociteti, por ndërkohë, në lidhje me fqinjët, që përfituan prej padrejtësive historike që Evropa e vjetër kreu ndaj nesh, është e domosdoshme dhe detyrim historik e kombëtar që edhe politika zyrtare shqiptare t’i theksojë pa ngurrim e pa komplekse kudo e kurdo këto padrejtësi sa kohë shpërfillen e nuk ka reflektim real.

Paqja e përhershme në gadishullin Ilirik bazohet vetëm në reflektimin e ndjesën e duhur ndaj këtyre padrejtësive prej fqinjëve tanë. Kjo nuk ka pse të etiketohet as provokim, as naivitet e as ëndërra në diell, sepse nëse mbarë rajoni e ka seriozisht integrimin në BE, atëhere duhet të sillet si BE ku ironikisht bën pjesë edhe vetë Greqia e “fortunave” pafund në gotë ndaj nesh.

Përballë llomotitjeve e gjepurave të stisura të Greqisë, dalja nga situata nuk është “parkimi i autobuzit në portën” tonë, shfajësimi e mbrojtja deri në lodhje ndaj qiqrave në hell pafund greke, por heqja e vijave të kuqe dhe ngritja me forcë e argumenteve dhe problemeve reale historike ende “tabu” mes palëve duke hedhur “topin” në portën e tjetrit.

Greqia në avazin e saj gjithnjë e ka bërë dhe vijon të bëjë qimen tra në marrëdhëniet ndaj nesh e në këtë avaz po përpiqet të përfshijë edhe Himarën. Jo thjesht duke pretenduar të paqëna atje, por dhe duke përfolur kontributin e SHBA e BE në hartimin e një reforme në drejtësi që i vë kufirin tek thana edhe vetë kryeministrit.

Të debatosh e ridebatosh me Greqinë për Himarën është njëlloj si të pranosh që edhe mund të kenë të drejtë (!) duke rënë në kurthin që synon me patjetër ta shndërrojë Himarën në axhendë e telenovelë pafund.

Himara është pjesë e çmuar e mozaikut të Labërisë dhe nuk ia kemi borxh askujt t’i japim llogari për të. Është vijë e kuqe që jo thjesht bën të tepërt një pyetje interviste, por dhe të papranueshme çdo tentativë për ta shndërruar Himarën apo çdo tjetër sebep në axhendë fallso, që shërben si “kapak” për të varrosur pafund çështje reale e padrejtësi historike si genocidi në Çamëri, ligji i luftës, të drejtat e çamërve, arvanitasve, shqiptarëve pas ‘90 etj.

Ngritja e këtyre problemeve nga ana shqiptare e fut në hullinë e duhur komunikimin me palën matanë. Kjo gjë krijon kontekstin e duhur për çdo komunikim paskëtaj, përfshirë edhe intervista si kjo e fundit. Pa këtë kontekst pala greke do të vijojë me avazin e saj dhe marrëdhëniet mes nesh asnjëherë nuk do të jenë reale dhe kjo do të rëndojë pafundësisht harmoninë afatgjatë në rajon.

Çështja kombëtare është përmbi çdo diplomaci e taktika të ditës, llogaritje politike apo marketingu e kredoje me partnerët jashtë. Nuk ia vlen asnjë “medalje” i moderuari, toleranti, mëndjehapuri etj sa kohë çmimi për to është heshtja apo belbëzimi rreth interesit kombëtar.

Çështja kombëtare është përmbi çdo diplomaci e taktika të ditës, llogaritje politike apo marketingu e kredoje me partnerët jashtë. Nuk ia vlen asnjë “medalje” i moderuari, toleranti, mëndjehapuri etj sa kohë çmimi për to është heshtja apo belbëzimi rreth interesit kombëtar.

Nuk janë temat, por tonet ato që ngrenë tensionet në rajon

Nuk është moderim shmangia e temave të nxehta, por toni me të cilën duhet të përcillen ato. Edi Rama mund të ndihmonte më tej veten, por dhe vetë gazetarin në të ardhmen nëse do të citonte më shumë histori gjatë intervistës në fjalë. Se para se të bëhet një pyetje për mësimin në greqisht, nevojiten përgjigje për një mal me pyetje për padrejtësitë historike ndaj kombit shqiptar në Greqi, një ftesë e sfidë kjo për median serioze dhe profesionale greke, mendimin intelektual grek për të hulumtuar e reflektuar më pas.

Ndonëse në një intervistë pyetjet i bën gazetari, i intervistuari gjithnjë ka mundësinë që në mos të kundërpyesë, të përgjigjet duke prekur çështje që gazetari mbase edhe dëshiron t’u bëjë bisht. Nëse ka kohë për rrëfime personale e ironi ndaj së shkuarës, ka kohë edhe për të vërteta shekullore që Greqia injoron.

Çamëria me toponimet e historinë e saj, ligji i luftës, arvanitasit, genocidi ndaj popullsisë çame, absurdi i varrezave të ushtarëve grekë etj, janë “elefanti në dhomë” kur vjen puna tek marrëdhëniet me Greqinë. Nuk kanë pse të mbeten tema tabu, por përkundrazi duhet të jenë fjala e parë në çdo takim me fqinjët, sepse e ardhmja nuk bëhet mbarë pa reflektuar si duhet për të shkuarën e mbushur me drama plot.

Kryeministër, politikanë, kryebashkiakë, gazetarë etj vijnë nga matanë për një gjë të stisur si helenizmi në Himarë ndërkohë që në 30 vjet demokraci, nuk mbahet mënd që një politikan e shtetar i yni, privatisht apo zyrtarisht, me shpurë gazetarësh rrotull apo tek-pull për pushime verore, të ketë dalë një vizitë nga bashkëkombasit tanë matanë në viset çame dhe arvanitase atje.

Një mungesë totale reciprociteti dhe dinjiteti njëkohësisht dhe që ngre hamëndje plot. Nuk i pengon kush në kufi, por nëse ndodh, do të ishte sërisht kryelajm në vetvete që gjeneron po aq publicitet në BE e më tej. Dhe deri atëhere, le ta fillojnë me një kurorë në Kllogjer. Është këtej kufirit.

Të vërtetat duhen thënë, sepse tensionet në rajon nuk i provokojnë temat, por tonet si shtjellohen ato dhe këtu hyn dhe arti i politikës dhe komunikimit modern. E ardhmja në paqe zë fill tek paqja me të shkuarën dhe ndërsa Greqia e stisjeve pafund ndaj nesh është BE, ne nuk kemi përse të jemi më evropian se vetë evropianët e BE ku nacionalizmi ende nuk është fjalë e ndaluar.

Nuk është punë kufijsh, sepse shtëpia e shqiptarit tanimë është bota mbarë. Është punë respekti ndaj vetvetes, heronjve që sakrifikuan gjithshka, atyre që nuk janë më dhe vuajtën kalvarin e padrejtësive e mizorive pafund, dinjitetit kombëtar dhe nëse i përvidhemi ne atij të parët, atëhere fqinji fillon e beson vërtet se ka të drejtë dhe bota nga ana e saj… ajo rri e vështron kur nuk ndjehet i zoti…!

Rrugëtimit drejt BE nuk i dihet orari dhe kur të vijë dita jo gjithshka do të duket rozë. Kemi në dorë ndërkohë që të krijojmë “BE” e vogël brënda nesh. Dhe këtë ta bëjmë me dinjitet duke nderuar të vërtetat historike pavarësisht reagimeve të dikujt në BE. E vërteta i çliron të gjithë dhe fillohet duke e zënë me gojë atë. Sa për integrimin në BE, le të jetë një bonus. Kurdo që të ndodhë, nëse ndodh, do të ndodhë si duhet.