Shkeljet në sigurinë ushqimore në Shqipëri vazhdojnë por ndëshkueshmëria vjen në rënie

201
Një ambulant udhëton nga Ndroqi në Tiranë për të shitur pula fshati dhe produkte të tjera. Foto: Nensi Bogdani.
Një ambulant udhëton nga Ndroqi në Tiranë për të shitur pula fshati dhe produkte të tjera. Foto: Nensi Bogdani.
Sigal

Rrjeti i gazetarisë investigative BIRN, i ka kushtuar së fundmi vemendje sigurisë ushqimore në Shqipëri. Me titullin “Pak siguri, edhe më pak ndëshkime për tregun ushqimor në Shqipëri” në analizën e tij, portali i njohur thekson se ndonëse problemet dhe shkeljet ligjore me sigurinë ushqimore në Shqipëri janë të përsëritura, ndëshkimet me gjoba kanë ardhur në ulje nga viti në vit. Telegraf sjell në vijim analizën e plotë të një shkrimi nga Anesti Barjamemaj:

Është data 20 gusht dhe temperatura arrin në 35 gradë, por banorët e rrugës “Petro Nini Luarasi” në Tiranë gjenden në treg duke bërë pazaret e javës. Shumë prej tyre blejnë fruta-perime te rrugica “Vath Koreshi”, ndërsa të tjerë janë duke bërë pazar me banorët e zonave rurale, që shesin qumësht dhe vezë mbi trotuar. Petriti bashkë me të shoqen bisedojnë me tregtarët ambulantë dhe blejnë prej tyre bulmet.

“Qumështin e morëm tek fshatarët, e kanë të freskët,” thotë Petriti. “Dalim çdo ditë që e marrim, mundohemi të vijmë sa më shpejt, por na qëllon ndonjë ditë që vijmë edhe vonë,” shton ai.

Kryeqyteti është tregu kryesor i produkteve të banorëve të zonave rurale, që sjellin çdo ditë qumësht, vezë, pula, mish qengji apo viçi si dhe fruta-perime të bahçeve të tyre. Por ata nuk kanë një treg të posaçëm  dhe i shesin produktet në rrugica apo trotuarë.Kërkesa për produkte të freskëta fshati është gjithashtu e lartë në Tiranë, pavarësisht kushteve të tregtimit.

“Cilësia e qumështit të lopës që marrim tek fshatarët është më e lartë, ne e bëjmë vetë edhe kosin. Ka pasur raste që ka qenë i prishur, se ne kemi ardhur vonë dhe ka qëndruar në diell bidoni, por sërish mendojmë se ushqehemi më të sigurt kështu,” tha Petriti.

Por ekspertët e sigurisë ushqimore nuk bien dakord. Kristaq Bërxholi, pedagog në pension i Veterinarisë Mjekësore thotë se tregtimi i produkteve në kushte jofrigoriferike është rreptësisht i ndaluar dhe “duhet të ndalet menjëherë”. “Shitja e produkteve në rrugë si qumështi, mishi, djathi, veza  dhe mishi është kategorikisht e ndaluar. Bota ka dhënë alarmin, pasi ndryshimi i klimës ka shtuar shumë insektet, ka shtuar parazitët, por edhe viruset dhe bakteret që këto produkte transmetojnë,” tha Bërxholi.

“Nëpërmjet ushqimit mund të infektohen shumë njerëz, mund të përhapen shumë sëmundje ndaj edhe kërkohet shumë kujdes,” shtoi ai.

Tregtimi jashtë standardeve nuk është një problem i izoluar vetëm te produktet e fshatit. Në një aksion të zhvilluar në korrik në Korçë dhe Gjirokastër, Autoriteti  Kombëtar i Ushqimit, AKU, bllokoi një sasi prej 23 838 ton produkte bulmeti, të cilat tregtoheshin në mungesë të kushteve higjieno-sanitare dhe pa etiketë nga katër subjekte tregtare.

Sasia e bllokuar përbëhej nga djathi i bardhë, djathi kaçkavall, gjiza dhe gjalpi, për të cilën AKU thotë se vendosi shtatë masa administrative me gjobë në vlerën e 900 mijë lekëve.

Një task-forcë ndërinstitucionale për sigurinë ushqimore u ngrit gjithashtu gjatë periudhës 26 qershor – 18 gusht dhe kreu mbi 3 mijë inspektime në 12 qarqet e vendit. Sipas AKU, task-forca konstatoi një seri shkeljesh ligjore, të tilla si tregtim i ushqimit të pasigurt, mungesë të kushteve higjieno-sanitare apo mungesë të përditësimit të sistemit të vetëkontrollit.

Të dhënat e siguruara nga BIRN përmes një kërkese për të drejtë informimi tregojnë se pavarësisht problemeve të përsëritura, numri i gjobave të vendosura nga AKU është ulur nga viti në vit.

Në vitin 2019, AKU raporton 725 gjoba në total për shkelje të sigurisë ushqimore, ndërsa gjatë vitit 2022 numri total është 394 gjoba, me një rënie prej 45%. Problematikë tjetër është dhe vjelja e gjobave, pasi shumë subjekte i drejtohen gjykatës dhe një pjesë prej tyre i fitojnë gjyqet.

Sipas AKU, ndëshkimet administrative janë vendosur për “mangësi në kushtet higjieno-sanitare, mangësi në etiketimin e produkteve ushqimore, nxjerrje në treg të ushqimit të pasigurt apo tregtimin e mishit pa vulë apo certifikatë veterinare”.

Autoriteti Kombëtar i Ushqimit tha gjithashtu në përgjigjen me shkrim se të gjitha rastet kur janë konstatuar produkte të rrezikshme me risk të lartë në shëndetin e konsumatorit, subjektet janë referuar në prokurori sipas dispozitave të Kodit Penal.

Për ekspertin Bërxholi, masat e AKU-së janë të pamjaftueshme. Ai thekson se siguria ushqimore ka një rëndësi të veçantë, ndaj ka ardhur koha që të konsiderohet si “cenim i sigurisë kombëtare.

“Është e domosdoshme që të ketë një kontroll të shtuar nga AKU dhe të ndalohet tregtimi në këtë formë. Duhet të shtohen gjobat dhe të ketë masa drastike,” përfundoi ai. / Reporter.al