Si do të bëhet kompesimi për strehimin dhe transferimin e punonjësve të Gardës? Ja procedurat

155
Sigal

Të mërkurën, Ministri Taulant Balla tha pas mbledhjes së qeverisë se me vendimin e fundit qeveria ka detajuar masën ditore të përfitimit dhe procedurat e kompensimit për strehim për punonjësit e nivelit të mesëm e të lartë të Gardës së Republikës, të cilët emërohen ose transferohen në detyrë jashtë vendbanimit të përhershëm dhe nuk u sigurohet nga Garda mjedisi për akomodim. Këshilli i Ministrave ka përcaktuar edhe mënyrën si do të veprohet në rastet kur punonjësit e Gardës së Republikës mund të transferohen, për arsye shërbimi, në struktura të tjera me gradë, në varësi të ministrisë përgjegjëse për rendin dhe sigurinë publike, me kërkesën e këtyre të fundit.

Si do të bëhet kompensimi për strehim

Kur punonjësi e Gardës nuk kanë në ngarkim persona të tjerë familjarë, me të cilët ai zhvendoset jashtë vendbanimit të përhershëm, do t’i paguhet qiraja e banesës për sipërfaqe banimi deri në 30 metra katrorë neto. Ndërsa për çdo person familjar shtesë, sipërfaqja neto shtohet me 10 metra katror.

“Numri i personave, pjesëtarë të familjes, në ngarkim të punonjësit të Gardës së Republikës vërtetohet nëpërmjet certifikatës familjare, në momentin e emërimit ose transferimit. Garda e Republikës bën kompensimin e qirasë së banesës së punonjësit, përkundrejt paraqitjes së  kontratës së noterizuar të qirasë. Në kontratë përcaktohet qartë adresa ku ndodhet ndërtesa, sipërfaqja në metër katror dhe vlera mujore e qirasë së objektit.”  Masa ditore e përfitimit të kompensimit për strehim do të jetë sa 1/30 e vlerës minimale të qirasë mujore, sipas përcaktimeve në vendimin e Këshillit të Ministrave, “Për përcaktimin e vlerës minimale të çmimit të referencave të qirave të ndërtesave për qëllime tatimore”.

Cilat do të jenë dokumentet e kërkuara?

Punonjësi i Gardës së Republikës, që të përfitojë kompensim për qira banese, duhet të paraqesë pranë sektorit të burimeve njerëzore dokumentet e mëposhtme:

a) Kërkesën me shkrim për kompensimin e qirasë së banesës;
b) Fotokopjen e kartës së identitetit;
c) Certifikatën personale dhe certifikatën familjare;
ç)  Kontratën e noterizuar të qirasë së banesës ku është transferuar;
d) Vërtetimin nga Drejtoria Vendore e ASHK-së se ai ose pjesëtarët e familjes, që ka në certifikatën e gjendjes familjare, nuk kanë banesë apo nuk kanë aplikuar për legalizim banese, në juridiksionin ku është emëruar ose transferuar.

Verifikimi i dokumentacionit të paraqitur nga punonjësi dhe përllogaritja e shumës së përfitimit të kompensimit të qirasë së banesës bëhet nga komisioni, me këtë përbërje:

a) Drejtori i Drejtorisë së Shërbimeve Mbështetëse;
b) Shefi i sektorit të burimeve njerëzore;
c) Shefi i sektorit të buxhet-financës;
ç)  Specialisti i infrastrukturës;
d) Specialisti jurist.

“Sektori i burimeve njerëzore njofton komisionin për paraqitjen e dokumentacionit nga punonjësi. Komisioni brenda 30 (tridhjetë) ditëve nga paraqitja e dokumentacionit bën vlerësimin e tij dhe në rast të pranimit të kërkesës bën përllogaritjen e shumës së përfitimit të kompensimit të qirasë së banesës. Komisioni merr vendim me shumicë, në prani të të gjithë anëtarëve të tij. Në bazë të vendimit të komisionit, drejtori i Përgjithshëm nxjerr urdhrin për kompensimin e qirasë së banesës për punonjësin.”- thuhet në vendimin e qeverisë.

 Transferimi i punonjësit të Gardës

Punonjësit e Gardës së Republikës mund të transferohen, për arsye shërbimi, në struktura të tjera me gradë, në varësi të ministrisë përgjegjëse për rendin dhe sigurinë publike, me kërkesën e këtyre të fundit. Sipas vendimit, punonjësit, të cilët transferohen në struktura të tjera me gradë, emërohen në funksion në nivel ekuivalent me gradën që kanë.

“Titullarët e institucioneve kërkuese, të cilët shprehin interes për emërimin e punonjësve të Gardës së Republikës, në strukturat e tyre, paraqesin kërkesën me shkrim pranë drejtorit të Përgjithshëm të Gardës së Republikës, duke specifikuar kriteret dhe kualifikimin që duhet për të kryer detyrën. Drejtori i Përgjithshëm i Gardës së Republikës, brenda 10 (dhjetë) ditëve nga marrja e kërkesës, për çdo funksion të kërkuar nga institucionet kërkuese, përzgjedh kandidaturën që plotëson kriteret e kërkuara dhe e përcjell atë tek institucioni kërkues, së bashku me dokumentacionin që vërteton kualifikimin e tij për pozicionin e propozuar.”- thotë vendimi i qeverisë. Kur kandidatura e përzgjedhur mban gradën “Drejtues i lartë”, transferimi bëhet me urdhër të ministrit, pas propozimit të drejtorit të Përgjithshëm të Gardës së Republikës.

Roli i Drejtorit të Përgjithshëm të Gardës

Institucioni kërkues, brenda 5 ditëve nga marrja e kandidaturës së propozuar, shprehet me shkrim për pranimin ose jo të tij. “Drejtori i Përgjithshëm i Gardës së Republikës, pas marrjes së dakordësisë, nxjerr urdhrin e transferimit të punonjësit dhe ia përcjell atë institucionit kërkues, së bashku me dosjen personale. Drejtori i Përgjithshëm i Gardës së Republikës ka të drejtë që për nevoja pune të kërkojë rikthimin e punonjësit në Gardën e Republikës, para plotësimit të afatit të transferimit, por jo më parë se 6 muaj nga transferimi.“- thuhet në vendim.

Punonjësi i transferuar pranë strukturave/institucioneve të tjera me gradë, në varësi të ministrisë, sipas këtij vendimi, në përfundim të periudhës së qëndrimit në detyrë, ka të drejtë të rikthehet në strukturat e Gardës në një funksion, në përputhje me gradën që mban aktualisht.